Shqipja e shkruar nga Gjon Nikollë Kazazi ishte e dialektit të Gjakovës
Sot, është 272 vjetori i ndarjes nga jeta i ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut, imzot Gjon Nikollë Kazazi. Ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, kishte zbuluar veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Gjon Nikollë Kazazi ka lindur në Gjakovë në vitin 1702 ndërsa vdiq më 5 gusht të vitit 1752. Në vitin 1727 mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 41-vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.
Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit.
Është quajtur figurë e ndritur gjithëshqiptare me dimensione evropiane. Shqipja e shkruar nga Gjon Nikollë Kazazi ishte e dialektit të Gjakovës dhe të bën një përshtypje shumë pozitive përsa i përket pastërtisë dhe bukurisë së saj. Gjakova e nderon emrin duke pagëzuar shkolla e rrugë me emrin e tij, ndërsa me krenari klubi letrar i qytetit e mban emrin e Gjon Nikollë Kazazit.