Kryqi Kuq i Kosovës, dega në Gjakovë e mbyll vitin me suksese
Kryqi i Kuq i Kosovës-Dega në Gjakovë, ka një bashkëpunim të ngushtë me Partner Lokal që ka reflektuar me mbështetjen në rritje për familjet skamnore. Në një takim që u drejtua nga doktoresha Arta Koshi Hasimja, me partnerët, dhe vullnetarët u tha se aktiviteti i kësaj dege ishte orientuar në realizimin e programeve nga shëndetësia ku hynë Ndihma e parë, edukimi shëndetësor në familje dhe dhurimi i gjakut, pastaj programi i mirëqenies sociale, i komunikimit, i shërbimit të kërkimit, i gatishmërisë dhe reagimit në raste fatkeqësie si dhe programi i rinisë. Instruktori i Ndihmës se parë Joni Zajmi, i njoftoi të pranishmit me gjitha arritjet dhe sfidat e Kryqit të Kuq në Gjakovë.
Duke prezantuar punën dhe aktivitetet e Kryqit të Kuq për periudhën Janar- Dhjetor të këtij viti sekretarja e Kryqit të Kuq në Gjakovë, Fllanza Bakija Lama, ka falënderuar të gjithë mbështetësit, institucionet komunale, bizneset, shkollat, mediet mes të cilave edhe Revista Gjakovapress, për bashkëpunimin, sepse, sipas sajë, falë mbështetjes së partnerëve lokal është arritur që edhe këtë vit të përmbushet në tersi misioni human degës së Kryqit të Kuq të Kosovës, në Gjakovë.