Friday, April 4, 2025
Aktuale

E diela, dita e kërcimeve atraktive nga Ura e Fshenjtë

Brigjet e lumit Drini i bardhë tek Ura e Fshenjtë nesër (e diele 18 Gusht 2024) do të jenë epiqendra e garave tradicionale të kërcimeve në ujë. Tradicionalisht kjo ditë është shfrytëzuar për një vikend të këndshëm veror, ku dielli, uji dhe atraksioni i kërcyesve bëhen bashkë për një të diele që shënohet një herë në vit. Për herë të 74, kërcyesit në stilin dallëndyshe dhe në këmbë do të kërcejnë për të fituar epitetin e kampionëve. Fituesi, pos medaljeve e kupave do të marrë shpërblimin prej 600 euro. Garat i organizon klubi “Kërcyesit e Urës” me mbështetjen e komunës së Gjakovës.

Për Urën e Fshenjtë është thurur legjenda, njëra ndër më të bukurat e letërsisë popullore shqiptare dhe kjo legjendë është kultivuar me legjendat e trimave të lartësive që pushtojnë qiellin.

“Njerëzit që hedhën nga lartësitë e mëdha, më tepër u takojnë trupave që vijnë nga qielli. Thonë, ndoshta ata kanë lidhje me perënditë…” kishte thënë Ali Podrimja, poeti ynë i shquar, që ndër të parët sprovojë kënaqësinë që sjellë kërcimi atraktiv nga lartësia e kësaj ure.

Gjakova është e njohur si qytet përveç tjerash edhe për garat e kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë. Çdo vjet në muajt e nxehtë të verës organizohen garat atraktive të kërcimeve që mbledhin mijëra e mijëra adhurues të notit nga e gjithë Kosova. Dita e garave shndërrohet edhe në festë të veçantë pushimi e rekreacioni.

Garat tradicionale të kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë bashkë me ato të Mostarit janë unike në Ballkan dhe gjithnjë zgjojnë kërshërinë e sportdashësve. Garat e kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë mbahen të dielen prej orës 12.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *