
Ditën botërore të Teatrit, 27 Marsin gjakovarët e kanë shijuar të mërkuren në mbrëmje me spektaklin skenik dhe muzikor “O. Taka”, të Teatrit të Baletit të Kosoves. Loja e bukur e balerinëve, ritmet atraktive muzikore dhe vet ngjarja që thurrej në shfaqje, sollen emocione në skenën e Pallatit të kultures e cila në fund jehoi nga duatrokitjet e gjata të pranishmëve. Ngjarja e shfaqjes “ O. Taka” me koreografi, libretto dhe muzikë të Sinan Kajtazit erdhi si inspirim nga veprimi fisnik i Osman Takës, luftëtarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili pak para se të varej nga Osmanët kërkoi që ta interpretonte vallen e shpirtit të tij, gjë për të cilën edhe e dha jetën.
Trupa e Baletit të Kosovës aq bukur e përcolli mesazhin e shfaqjes tek publiku gjakovar, me skena të vazhdueshme masive, me ritme të fuqishme muzike ku dominonte kolona zanore e valles së popullarizuar si vallja e Osman Takes.
Trupa e Baletit të Kosovës erdhi në Gjakovë me ftesën e Teatrit të qytetit Hadi Shehu, përkatësisht të drejtorit Edi Kastrati në kuadër të bashkëpunimeve të dyanëshme.
.