Reagon Kryetari i Komunës së Tuzit Lindon Gjelaj: Shqiponja është simbol që identifikon shqiptarët
Kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi Lindon Gjelaj ka reaguar përmes rrjeteve sociale rreth rastit të diskualifikimit të kërcyesit gjakovar nga garat e kërcimeve në Ujë nga Ura e Vezirit në Podgoricë.
“Shqiponja dykrenare, e formuar si gjest me duar, është simbol i cili identifikon shqiptarët, shenjë e qartë dhe paqësore e identitetit kombëtar dhe krenarisë kulturore. Ky simbol nuk është dhe nuk duhet të interpretohet si provokim ndaj askujt, por si një shprehje e natyrshme e përkatësisë sonë etnike dhe historike, ashtu siç edhe komunitetet e tjera i ruajnë dhe nderojnë simbolet e veta. Mali i Zi është shtet multinacional dhe multikulturor i cili kultivon bashkëjetesë dhe respekt ndërmjet të gjithëve. Shprehja e identitetit nuk cenon askënd, përkundrazi, pasuron shoqërinë tonë shumetnike. Me këtë qëndrim, duhet mbrojtur të drejtën e çdo qytetari për të shprehur lirshëm dhe me dinjitet përkatësinë e vet kulturore dhe kombëtare”, ka thënë Gjelaj.