Vëllaznimi filloi me përgatitjet për edicionin e ri- Rexhepi: Synimet janë superliga
7 Korriku ka qenë dita e nisjes së përgatitjeve të KF Vëllaznimi për edicionin e ri të garave në Ligën e parë futbollistike të Kosovës. Nën drejtimin e shtabit teknik me në krye Xhengis Rexhepin, futbollistët kanë zhvilluar ushtrimet e para në fushën me bar sintetik te pallati i sporteve Shani Nushi në Gjakovë. Skuadra ka pësuar ndryshime drastike. Shumë janë larguar e shumë futbollistë kanë nënshkruar për Vëllaznimin dhe sot për herë të parë ata kanë nisur ta djersitin fanelen “kuq e zi”.
“Në stërvitjen e parë të gjithë futbollistët ishin të motivuar dhe kështu do të punohet deri në fillim të kampionatit për të qenë të gatshëm për gara. Ka ndryshime drastike nga edicioni I kaluar. Janë larguar shumë por kanë ardhë shumë futbollistë të rinj cilësor”, ka thënë trajneri Rexhepi për Radio Gjakovën dhe revistën Gjakovapress pa specifikuar emra..
Ai ka shtuar se ka një bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e klubit, në veçanti me kryetarin dr. Gazmend Boshnjaku, për sjelljen në Gjakovë të futbollistëve të mirë.
“Brenda javës presim që skuadrës ti bashkohen edhe 3 apo 4 emra të rinj që do ta kompletojnë ekipin”, ka thënë Rexhepi.
Kryetrajneri Xhengis Rexhepi është shprehur optimist për arritjen e synimeve të KF Vëllaznimi, anipse konkurrenca në ligë do të jetë shumë e madhe për superligë.
“ Kur kam vendosur që të rri në Vëllaznim edhe në këtë kampionat, kisha shumë oferta të skuadrave të superligës, por me kryesinë e klubit u morëm vesh dhe vendosa për një çështje të madhe, për synimin që Vëllaznimin ta dërgojmë në superligë”, ka thënë kryetrajneri.
Ai ka pasur fjalë falënderimi për tifozerinë gjakovare ndërsa e ka pranuar kënaqësinë që drejton një klub të madh me një traditë në futbollin kosovar, siç është KF Vëllaznimi.