Wednesday, April 24, 2024
Fejtone

Ja si fliste dikur zejtari Musa Kika, për Plisat e prodhuar në Gjakovë

Ja si fliste dikur zejtari Musa Kika, për Plisat e prodhuar në Gjakovë

Qershor 2012

Radha e dyqaneve të plisave në krahun e majtë në “Tenelzen e namazgjahut” të Gjakovës e që vazhdonte varg, deri tek “Loma e Drithit” e tutje nëpër Çarshinë e Vjetër e ruajtur në fotografi (si kjo e botuar në këtë faqe), incizime e kujtime nga breza të mesëm e të moshuar, tregon për një zhvillim të madh të zejes së plisagjinjve. Musa Kika, i cili ka mbi gjashtë dekada që “bashkëjeton” me zanatin e plisagjiut, vazhdon të punoi plisa duke mbajtur të gjallë këtë zeje dikur mjaft të përhapur në qyetin e Gjakovës. Ai ka shpjeguar gjitha operacionet që kërkohet të bëhen për prodhimin e një plisi.

Zejtari Musa Kika, ka kthyer kohën prapa për të rrëfyer për zanafillën e këtij zanati duke kujtuar se dikur shumëkush mbante plis në kokë e tash shumë pak dhe për mbi 20 punëtori të qeleshepunuesve (plisagjive) të Gjakovës.

I pyetur për familjet dhe punëtorit që kanë qenë të vendosura në Çarshinë e Vjetër, Kika kujton:

“Punëtoritë e plisave kanë qenë në Lomen e Drithit. Kanë qenë dyqanet e familjes tonë- Kikës, pastaj Nimon Gërkuqit, Dervish Vules, Lah Kasapit, ndërkohë që e pat hapur dyqanin edhe Nazim Lota. Në teposhtëse të namazgjahut kanë qenë Zhavelt, Ferhat Lota, Rexhep Soba, Sherif Matoshi, Eshref  Pasha, pastaj Ali Nuzamala, Shaip Kasapi, Muhamet Cana, Rexhep Dina, Zeqir Vula e tj. Me këtë zeje është marrë edhe familja Mula. Isuf Mula ka pasur dyqan edhe në Shkodër”, thotë Kika.

Ndryshe, tërë jetën ia ka kushtuar kësaj zeje. Është rritur në familjen ku është punuar nga mëngjesi e deri në mbrëmje dhe ku është dëgjuar melodija e tingujve të krijuar nga “jaja” e shthurrjes së leshit. Ai thotë se puna e mbanë njeriun në jetë.

 “Këtë zanat e kam mësuar nga të parët e mi prej moshës 13-vjeçare. Është një zanat i vjetër që e kemi praktikuar gjithë familja”, ka thënë Kika duke shtuar se nga viti 1960 ka filluar të bie numri i dyqaneve të plisave në Gjakovë.

Kika (83-vjeçar), i cili është ndër plisagjinjtë më të vjetër të Kosovës, flet edhe për vështirësitë e këtij artizanati, që sipas tij është në prag të shuarjes.

“Është një zanat i rëndë dhe kemi vështirësi për ta siguruar lëndën e parë. Por meqenëse është traditë kombëtare duhet të ruhet, sepse është hazër për t’u braktisur krejt”, ka thënë ai.

Kika e ka përshkruar edhe me fjalë punën deri te finalizimi i prodhimit të një plisi.

 “Gjithë procedura zgjat prej 20 deri në 25 minuta, varësisht se sa është plisi i trashë. Fillimisht leshi dërgohet në makinë dhe matet me gram, mandej fillon procesi. Janë afro 14 operacione deri te prodhimi final. Sëpari duhet të sigurohet leshi. Ai duhet të ndahet, të dliret-pastrohet, pastaj të shprishet. Përpara nuk ka pas maqinë të shprishjes dhe ky operacion bëhej me jajë t’madhe e cila ka qenë shumë e zorshme. U shprishke aty e prej asaj vinte n’atë jajen e vogël- e njohur me emrin Sere. Vjen operacioni i ngjeshjes në sere, atëherë plus asaj duhet në tezgjah. Aty vijnë operacionet e ngjitjes. Sapo të ngjiten duhet mu punu, me u bo petë dhe me qenë i gatshëm. Pastaj mbetet veç me u terë e me hy në kallyp. Kur t’qitet n’kallyp duhet me u qeth plisi. Operacioni i fundit është futja në “surfull” për zbardhim e tek atëherë me u terë e përsëri me u qethë.

Duke precizuar se çmimi i një plisi aktualisht sillet rreth 7 euro, Kika ka shprehur shqetësimin se kohëve të fundit ka rënë interesimi.

“Secili popull e ka traditën e vet. Ky artizanat është pjesë e traditës sonë, por kohëve të fundit është duke shkuar mjaft poshtë”, ka thënë ai.

Sipas tij janë prodhuar katër lloje të plisave: Janë quajtur Benga plisat më të mirë që janë punuar nga leshi më i pastër, Biringjija, Testellyk dhe e katërta dorë ishte Plisa të hollë.

Baca Musa kujton kohën kur shumë qytetarë të Gjakovës sikurse edhe të mbarë Kosovës mbanin plisa në kokë. Ai thotë se në Gjakovë të rinjtë mbi moshën 20 vjeçare mbanin plisa.

 “Kishte pas qenë një terzi i njohur, Osman Haxhiavdyli i cili si mjeshtër që ishte, i kishte të punësuar shumë kallfë në punëtorin e vet. Para tij ishin kon lidh me kusht dy kallfallar të tij me nga një sillë (drekë), se a mundet njeri nga ta të ec këmbë nga Çarshia e Vjetër e deri te Ura e Islam Begut pa e vu plisin në kokë. Ishte nisur njëri nga këta të dy dhe ende pa shku te caku, nja 50 metra, i nënshtruar nga shikimet habitëse të gjithë kalimtarëve, nuk ka duruar dhe është kthyer prapa. Kish pas thënë: Mjeshter shkruma mu sillen me quran e me krejt se e humba kushtin!. Njimendë më erdhë marre kur më shikojshin të gjithë pa plis në krye”… Pra, atëherë të gjithë mbanin plisa…” kujton kohët e arta të këtij zanati, Kika.

 

Një nga tregimet më interesante është ai që bën fjalë dhe konfirmon se plisi i bardhë, kapuçi tradicional i shqiptarëve është trashëguar nga Ilirët. Duke mos u bazuar në dokumentet historiko-arkeologjike, por vetë në kushtet e atëhershme ekonomike të fiseve ilire, na del e logjikshme që këto tregime të kenë baza reale. Sepse, fise të ndryshme ilire merreshin me njërën nga degët kryesore të ekonomisë, me blegtorinë. Kjo e vërtetë e konfirmuar edhe nga të dhënat historike na bën që t’u besojmë edhe gojdhanave popullore lidhur me plisin. Duke pasur lesh delesh në sasira të mjaftueshme, Ilirët prej këtij punonin veshjet e tyre, ku hyn edhe pjesa që mbulon kokën – kapuçi. Pothuaj të gjitha pjesët e veshjes në të kaluaren njerëzit i bënin vetë në shtëpi. Më vonë shfaqen zejtarë profesionalë. Kështu qëndron puna edhe me punimin ose prodhimin e plisave.

Në popull si dhe ndër zejtarët tanë qeleshepunues të Kosovës dhe jashtë saj ekziston një gojdhanë shumë e vjetër. Ajo thotë se këtë zeje e solli në Gjakovë një plak, që në kohërat e moçme ishte shpërngulur nga Malësia në këtë qytet. Kjo tregon qartas se në kohërat më të lashta, kapuçat punoheshin nga  vetë anëtarët e familjes porsi edhe pjesët e tjera të veshjes popullore të përditshme (tirqtë, ndërresat, mintanat, xhokat, japunxhat, gjurdiat, gëxofët etj.

                                                                           Kadri Halimi, “Rilindja 1970

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *