Prof.dr. Qamil Haxhibeqiri : Arsimi tek ne dje dhe sot – disa vrojtime të mia
- Dje kishim pak shkolla (fillore dhe të mesme) dhe klasa me pak nxënës, prej të cilëve pak ishin të shkëlqyeshëm, shumë ishin shumë të mirë, pak ishin të mirë dhe disa e përsërisnin klasën. Gjithsesi, të gjithë dinin, të paktën, shkrim lexim.
Sot kemi shumë shkolla (fillore dhe të mesme) dhe klasa me shumë nxënës, pothuajse të gjithë të “shkëlqyeshëm” dhe asnjë përsëritës, ani pse disa prej tyre nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë mirë (d.m.th. janë analfabet funksional).
- Dje kishim nxënës të cilët “nuk i dinin” të drejtat e tyre por i dinin obligimet e tyre (të vijnë me rregull në mësim, të mësojnë, të respektojnë mësuesit, etj.)
Sot kemi nxënës që i dinë të drejtat e tyre por “nuk i dinë” obligimet e tyre (mund të mos mësojnë, të vinë të papërgatitur në mësim, mund edhe të ofendojnë ose përqeshin mësuesit e tyre por e dinë që, në fund, gjithsesi do ta kalojnë klasën).
- Dje cilësia në arsim matej me njohuritë e fituara nga nxënësit dhe vlerësimin e bënin inspektorët e arsimit për lëndët përkatëse.
Sot cilësia matet me numrin e notave të shkëlqyeshme të nxënësve (kriteri i vendosjes së të cilave është i dyshimtë) dhe vlerësimin, për të gjitha lëndët, e bëjnë, të shumtën e rasteve, drejtorët “e gjithëdijshëm” me ndihmën e “koordinatorëve për cilësi”.
- Dje avancoheshin njohuritë e mësimdhënësve me anën e studimeve të rregullta në Institucionet e Arsimit të Lartë.
Sot avancohen kualifikimet (por jodoemos njohuritë) e mësimdhënësve me anën e studimeve të shkurtuara në programin e famshëm AKM (Avancimi i Kualifikimit të Mësimdhënësve).
- Dje ngritja profesionale e mësimdhënësve bëhej me ndjekjen e seminareve profesionale për lëndët përkatëse, të mbajtura nga ekspertët e atyre lëndëve.
Sot ngritja profesionale e mësimdhënësve bëhet me ndjekjen e një morie seminaresh nga fusha e mësimdhënies të mbajtura nga ekspertë të mësimdhënies që janë të “gjithëdijshëm” (për të gjitha lëndët) dhe me ç’rast ndjekësit e seminareve pajisen me llojlloj certifikatash (sipas meje, të pa kurrfarë vlere) që u nevojiten për certifikim…. (Shkrimin e plotë mundë ta gjeni në Revisten Gjakovapress Nr. 132)