Komuna me masa të reja anticovid
Në komunën e Gjakovës sot janë regjistruar edhe 13 raste të reja, 7 në qytet, 2 në Korenicë dhe nga një në fshatrat Dallashaj, Vogovë, Gërqinë dhe Lipovec, duke u ngritur numri i të infektuarve në gjithsejtë 723. Prej tyre deri me sot janë shëruar 550 pacientë, kanë vdekur 46, kurse aktiv me Covid 19 janë 115 pacientë.
Në Spitalin e përgjithshëm Isa Grezda vazhdon të rritet numri i pacientëve që kërkojnë trajtim për Covid 19. Sipas raportit të sotëm, në këtë institucion shëndetësor janë të hospitalizuar 29 pacientë. Prej tyre 16 pacientë janë të konfirmuar me Covid 19, 4 janë të konfirmuar negativ kurse 9 pacientë pritet të testohen. Gjendjen më të vështirë e kanë 2 pacientë që janë me CPAP maskë dhe 15 të tjerë me oksigjenoterapi.
Numri i rasteve të reja me COVID-19 në komunën e Gjakovës ka filluar të rritet jashtëzakonisht shpejtë. Për këtë arsye, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, i informon qytetarët për masat e reja mbrojtëse që do t’i nisë Komuna e Gjakovës.
“Shumë shpejtë, Komuna e Gjakovës do të nisë me masa të reja mbrojtëse, më ndryshe. Nga stafi administrativ do të fillojmë t’i lirojmë disa, ata do të angazhohen në punë online nga shtëpia për shkak se duhet të kujdesemi që të parandalojmë mbylljen e shërbimeve. Ndërsa, punën me palë do ta ndërpresim, përveq rasteve esenciale” deklaroi Kryetari Gjini duke pohuar se brenda institucionit të komunës ka raste pozitive të cilët janë në izolim, kurse një pjesë po testohen.
“Lutja ime ndaj qytetarëve të komunës tonë është që të kenë kujdes të shtuar pasiqë numrat e fundit dëshmojnë se virusi është në mesin tonë. Të mos dalin pa nevojë, të mos grumbullohen nëpër ahengje sepse ato mund të rezultojnë me numër të madh të rasteve të reja. E kuptojmë që kjo situatë i shqetëson të gjithë por nuk guxojmë të rrezikojmë për një situatë tjetër të mbylljes. Shpresoj të gjej mirëkuptimin e qytetarëve dhe secilit individ që të respektojnë të gjitha masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit” ka theksuar Kryetari Gjini.