Jahja Kokaj me çmimin Kosovo Diaspora 2014
Shkencëtari i mirënjohur Jahja Kokaj ka fituar çmimin Kosovo Diaspora 2014. Dr. Kokaj, me origjinë nga Gjakova, ka fituar më së shumti vota nga lexuesit e platformës digjitale Kosovo Diaspora.
Shtatë finalistë ishin përzgjedhur për garën në mes të Kosovarëve që jetojnë jashtë vendit dhe kanë bërë arritje të jashtëzakonshme në fushat e tyre. Në këtë garë, Dr. Kokaj e ka kaluar edhe këngëtaren me famë botërore Rita Ora (Vendi i 2-të) dhe Miranda Ademajn, një grua me emër të njohur në fushën e biznesit.
Kosovo Diaspora shënon dhe promovon arritjet e individëve, bizneseve dhe organizatave që ndërlidhen me Kosovën. Storjet rreth këtyre të arriturave publikohen në uebsajtin kosovodiaspora.org, ndërsa lajmet e përditshme lidhur me arritjet e diasporës publikohen në fb.com/kosovodiaspora dhe twitter.com/kosovodiaspora.
“Është e rëndësishme të shpërndahen informata pozitive për Kosovarët në gjuhën Angleze, në mënyrë që në të gjithë botën të përçojmë mesazhin e duhur për imazhin e Kosovës dhe Kosovarëve nëpër botë,” shpjegon Albion Curri, iniciator për shpërndarjen e këtij çmimi.
“Ekipi jonë i ka përzgjedhur shtatë storje të Kosovarëve që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës, të cilët vazhdimisht me arritjet e tyre na bëjnë krenarë dhe i inspirojnë të gjithë shqiptarët për të sjellur rezultate pozitive në shoqëri përmes profesioneve dhe talenteve të tyre.”
Në vitin që lamë pas, Jahja Kokaj është nominuar për disa çmime të njohura ndërkombëtarisht për arritje shkencore dhe me ekspertizën e tij ka ndihmuar shumë shqiptarë që të arrijnë sukses në punën e tyre.