Baca Din me 97 vjet punon si djalë i ri!

Është puna ajo që e mban njeriun. Ajo që i shndëron vitet e pleqërisë në vite të rinisë,  ajo që na e zgjatë e na e bën jetën më të shëndetshme. Xheladin Nushi, i njohur për të gjithë ne si baca Din, apo  Dinalushi, kujdeset për kopshtin e tij  skaj përroit të qytetit në lagjen Gërqar të Gjakovës. Punon nga mëngjesi në mbrëmje e asnjëherë nuk lodhet edhe pse mbi supe i “rëndojnë” 97 vite.

Ditën kur e vizituam ai po rregullonte siperfaqen e mbjellur me  domate. Kishte një hekur(në Gjakovë njifet si qyski) me të cilën hapte vrima në tokë për të vënë hunjët ku lidhen fidanët e domateve. Ajo është e rëndë gati 1o kilogram, por kjo nuk paraqet vështirësi për 97 vjecarin e vyeshëm e punëtorë të madh që nuk din për lodhjen.

xheladin nushi 1Ne në këtë shkrim e sjellim bacën Din, si shembullin e jetëgjatësisë që është fryt i mënyrës së të jetuarit dhe të të ushqyerit . “Qysh kur e kemi blerë shtëpinë në këtë lagje, unë kam qenë veçse kater  vjeç e që nga ajo kohë e vetmja gjë që mbaj mend është puna që unë e bëj në bahçen time” , kujton baca Din.

Rrëfimi i tij nis nga jeta shkollore që nuk ishte e njëjtë si për shumicën e fëmijëve tjerë.Ai e filloi atë por e përfundoi po atë vitë.”Unë i kam hyrë kësaj pune qysh se në klasë të parë. Kam qenë në shkollë vetëm në atë vit shkollor e puna ime e vetme ishte t’i ndihmoja babës në punët ditore kështuqë shkolla për mua mbarojë në po atë vit që filloi”, tregon ai.

Ne e gjetëm në bahçe , aty ku ai kalon pjesën më të madhe të ditës e kohës së tij. ”Qohem në ora 5:30 të mëngjesit e dita ime aty nis.E nis me pemët e perimet që i kultivoj që një jetë të tërë e përfundon me ndonjë punë tjetër rreth kopshtit” , rrëfen një ditë të zakonshme 97 vjecari qëshpesh e zë edhe nata aty.

Thotë se i mbjell vetë të gjitha farishtet dhe falënderon Zotin për mundësinë që i ka dhënë për të punuar. Siç tregon vetë, çdo vit merr katër prodhime nga toka, prodhime të cilat i biri, Bashkimi, del në treg dhe i shet.

“Asnjëherë nuk e lë tokën batall. E punoj vetë me dorë, ngase me traktor nuk mundem, sepse gjithnjë ka diçka të mbjellë aty afër. Dimrit kam punë me farishte e fidane dhe s’më pengon moti i keq, sepse kam edhe serra”, fillon ta tregojë historinë e tij Xheladi Nushi, apo baca Din, siç e njohin të gjithë.

Plaku numëron rreth 30 kultura të ndryshme, të cilat i mbjell në stinë të ndryshme. Kënaqësinë më të madhe e ka kur e hedh farën në tokë, ngase e di se nga ajo farë do të rritet një bimë e shëndetshme dhe e mirë.

Kulturat e tij gjithnjë janë të dalluara në treg. Pa e humbur modestinë, thotë se kur dilte në treg për të tregtuar prodhimet e ndryshme bujqësore, të gjithë vinin e blinin tek ai, sepse çmonin bimët e freskëta dhe të rritura pa plehra kimike. Zarzavatet e tij të shumëllojshme janë të njohura në të gjithë Gjakovën, ndaj të parat “avulloheshin” në treg.

Baca Dinë e ka treguar “sekretin” e jetëgjatësisë së tij dhe shëndetit mjaft të mirë që e gëzon sot.Sipas tij qysh në rininë e  hershme ka qenë pjesë e aktiviteve të shumta.

”Kam qenë në Shkodër  për më shumë se katër herë në këmbë e kam qenë më i riu prej shokëve. Ecnim gjithë ditën në shi e unë i kam rezistuar edhe asaj kohe”, thotë ai që për shumë të rinjë në ditët e sotme vetëm mendimi për një gjë të tillë do të dukej çmenduri e lene më akti.

Xheladin Nushin gjen kohë edhe për diçka tjetër. Ditët e tij prej të moshuari mbushen me jetë edhe kur qëndron në një ambient tjetër. “Jam dervish në Teqenë e Madhe. E kemi me traditë e i pari i Teqesë më ka lënë vendin e të parëve të rradhet e njerezve të rëndësishëm të asaj Teqeje”,  thotë baca Din duke treguar se edhepse  nuk është çdo ditë aty, ai i përtrinë të gjitha duatë dhe ritet e asaj teqeje.

Duke u kujdesur për bahçen e tij ai e argëton edhe veten. E baca Din, dinë t’ia thotë edhe këngës. Por kënga pa raki, sic e thotë edhe ai vet, nuk shkon.”Pa raki nuk shkon zani e kangës i’a kam marrë qysh në vitet e mia të rinisë, atë kohë kur me shokët e mahalles kemi pi raki e kemi lënë të agojë dita përmes këngës ”, thotë ai.

E pas kësaj që thotë  i’a merr edhe këngës për ta vërtetuar që zeri nuk e ka tradhtuar ende e që ajo e shoqëron cdo ditë kur ai i’a thotë afër hijes së pemëve të larta të bahçes së tij. Me tregimin e jetës së tij, me punën e tij të përditshme , sjell edhe një mesazh për të rinjët e sotëm.

”Puna të mbanë. Jeta pa punë ska asgjë. Punoni shumë, ushqehuni mirë se ajo është sherbet për ditët e pleqërisë”, përfundon njeriu më i moshuar e që është akoma aktiv në Gjakovë.

Vullneti dhe energjia që e karakterizojnë bacën Din kur pritet të mbushë një shekull jetë të befasojnë për të mirë. Atë ndodh të mos e shohim edhe tek shumë të tjerë të cilët nuk kanë as çerekun e viteve të tij. Ai vazhdon punën në bahçe, e ne largohemi duke i uruar edhe shumë vite të tjera po aq të bukura e aktive sa ç’i ka edhe sot.

Edhe disa vite, dhe jeta i rrumbullakësohet në një shekull. Në letërnjoftimin e tij shkruhet viti i lindjes 1918, por të gjithë thonë se ditëlindjen e vërtetë e ka në 1916-ën. Bacën Din nuk e pengojnë vitet.