Dush Mati- Vukasi i Vllaznimit
Intervistë me veteran futbolli
Fahredin Mati –Dushi, është ngushtë i lidhur me futbollin. Ai tërë jeten ia ka kushtuar sportit e një pjesë të jetës së tij lojës aktive në futboll. Skuadrën e Vëllaznimit e ka për zemër. Edhe tash në moshë të shtyer ndjek skuadrën në garat e ndryshme. Ndryshe, karrierës së futbollistit ia ka filluar si junior i Vllaznimit në moshën 17 vjeçare. Pa i mbushur të tetëmbëdhjetat, u inkuadrua si senior. Luajti afro 12 vjet, duke garuar në 3 liga: në atë të Kosovës, të Serbi – Maqedonisë dhe në Ligën e dytë të ish-Jugosllavisë. Si sulmues dhe golashënues i spikatur, luajti në periudhën 1953 – 1966. E quajten Vukasi i Vëllaznimit sepse në atë kohë futbollisti më i mirë ishte Vukasi i Hajdukut të Splitit. Bëmë një intervistë me te.

Si filloi karriera e juaj ?
-Isha 17 vjeçar, kur atë ditë duke ecur në rrugë, më ndalen dy shokë e më thanë: “ Jemi futbollistë junior të Vllaznimit, na mungon një lojtar, ti do vish me ne në Gjilan ku do të luajmë ndeshjen e radhës. A, më njihnin mua, se më kishin parë duke luajtur nëpër rrugica e livadhe. U nisëm me kamion dhe drejt në stadium. M`i gjetën këpucët e ndërresat. Luajtëm, fituam 3:0, dhe shënova 1 gol.
E pastaj ?
-Sezonin në vijim, më morën mua dhe tre të tjerë, dhe na inkuadruan me seniorët, për të përtërirë skuadrën. Këta të tre ishin: Zija Brovina, Qamil Haxhikadrija dhe Talat Efendija. Aty gjetëm lojtarët e vjetër si: Aqif Binishin –portier, Hamdi NUQIN, Haxhi Domin, etj.
Si u pritet nga këta “te vjetrit”?
-Shumë mirë, na këshillonin dhe na jepnin kurajo për të vazhduar, por edhe ne i respektonim dhe dëgjonim ata.
Ke luajtur në tri liga të futbollit?
-Po, luajtëm në ligën e Kosovës, pastaj luajtëm në ligën e përbashkët Serbi – Maqedoni dhe në ligën e dytë të ish – Jugosllavisë. Isha sulmues, herë si alo e djathte e herë si qendërsulmues. Kam qenë golashënues i ekipit dhe rrallë ka ndodhur që në një ndeshje të mos shënoj.
Keni luajtur në Kragujevc, Çaçak, Zajecar…, si ju kanë pritur? A keni pasur probleme?
-Relativisht mirë. Probleme më së shumti kemi pasur me gjyqtarët e ndonjëherë me tifozët e tyre , të cilët na fyenin.
Çaste të vështira ?
– Në Mitrovicë, në një ndeshje ndodhi një përleshje në mes futbollistëve – kur u futen në fushë edhe policia edhe tifozët, na dërguan në sekretariat, për të na marrë në pyetje. Aty na shanë e na ofenduan, por nuk na rrahën. Në çaste të vështira duhet shënuar edhe ndeshja kur e pata lënduar këmbën- gjurin e djathtë, nga një lojtar i Prishtinës, Boroniasheviq, ne vitin 1963. Pas shërimit , luajta edhe afër 3 vjet, kur vendosa t`i var në mur këpucët e futbollit. Por nga futbolli s`jam ndarë, duke qenë si përcjellës i të gjitha ndeshjeve të Vllaznimit, gjerë në ditët e sotme.
Po çastet e mira?
-Kemi qenë si një familje, gjithnjë në harmoni e dashuri, dhe kemi luftuar për ngjyrat e klubit pa kursyer asgjë. U gëzoheshim fitoreve. Kemi pasur gjithmonë tifozeri të flaktë, na përcjellnin shumë herë edhe kur luanim jashtë Gjakovës.
Po me ndërresat ‘kuq e zi’ a ka pasur problem?
-Kur luanim jashtë , po. Disa herë na kanë detyruar t`i ndërrojmë ato.

Avni Zhubi Ulur: Hamdi Nuqi
Çfarë ndeshje mbanë mend për të mirë a për të keq?
-Nuk e harroj ndeshjen kur luajtëm me Trepçën e Mitrovicës dhe fituam 5:0, atëherë pata shënuar 3 herë. Për të keq mbaj mend ndeshjen e humbur nga Buduqnosti i Pejës, në Gjakovë me 1:0 , kur ishte në pyetje titulli i Kampionit të Kosovës. Mbaj në mend edhe ndeshjen në Obiliq- Liga e Kosovës- kur ishim duke humbur me 1:0, dhe kur në minutat 86 e 88, shënova 2 gola dhe fituam ndeshjen.
Po nofka Vukasi i Vllaznimit ?
-Vukasi ishte lojtar i spikatur i Hajdukut të Splitit dhe reprezentacionit të ish- Jugosllavisë. Këtë nofkë e morra nga tifozët, pas shumë lojërave të mira dhe shumë golave të shënuar.
Cilët lojtarë e vjetër të Vllaznimit të kanë lënë përshtypje më të madhe?
-Më së shumti më ka pëlqyer legjenda e futbollit të Kosovës – Hamdi Nuqi, golashënues i pa përsëritshëm. Ishte si Gerd Mileri i famshëm gjerman. Pastaj shumë të mirë kanë qenë edhe: Hamid Lleshi, Haxhi Domi, Minip Bejtullahu, Zija Brovina.
E më vonë?
-Avni Zhubi, i cili pat luajtur edhe në Prishtinë, Zenun Brovina , pat luajtur edhe për Partizanin e Beogradit, Ardian Kozniku, që ishte edhe anëtar i Hajdukut të Splitit dhe disa skuadrave franceze.
Na thuaj Dush se cili do të ishte formacioni më i mirë i Vllaznimit , i të gjitha kohërave sipas teje?
Mendimi im është ky: 1. Aqif Binishi, 2. Qemajl Dinarama, 3. Nafi Byci, 4. Zija Brovina, 5. Shinasi Rizvanolli, 6. Mazllom Vala, 7. Murteza Kozniku, 8. Jakup Kuqi, 9. Hamdi Nuqi, 10. Zenun Brovina, 11. Luan Vokshi.
Po ” gjenerata e artë” që ishin 5 vjet rresht kampion të Kosovës ?
Këta ishin: S. Muhaxheri, Z. Halilosmani, F. Zhubi, H. Vula, M. Hasimja, F. Rraci, Q. Haxhijonuzi, Xh. Haxhishabani, Xh. Halilosmani, F. Domi dhe L .Vokshi.
Për fund, çka mendon për Vllaznimin e sotëm?
Mendoj se Vllaznimi e ka vendin në superligën e Kosovës, dhe se Vllaznimin duhet ndihmuar për të arritur suksese sa më të mëdha, e për ti gëzuar Kuqezinjtë e Jakovës , të cilët e përcjellin pandërprerë në Gjakovë dhe jashtë saj.
( Gjakovapress dhe Dr.A M)