Friday, March 29, 2024
AktualeLajmet e shpejta

Gjakova nderon ish kryetarët e komunes në vite

Me një sërë aktivitetesh sportive kulturore, komuna e Gjakovës është duke e shënuar 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Manifestimi qendror për nderë të kësaj feste është mbajtur të enjten në mbrëmje  në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, me ç ‘rast në një program të pasur kulturor e artistik janë prezantuar disa nga artistët e rijnë dhe të talentuar të komunës së Gjakovës.

Kyetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, i ka uruar qytetarët për përvjetorin e 9-të të pavarësisë dhe ka rikujtuar se Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të, prandaj ka porositur që të gjithë të kujdesen për ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj shtëpie.

“Kosova është shtëpia jonë, ne nuk kemi shtëpi tjetër. Kur e humb shtëpinë e humbë identitetin. Të gjithë që jetojnë këtu kanë identitet në shtetin e Kosovës, prandaj ta gëzojmë atë. Ta gëzojmë dhe të mundohemi më sinqerisht. Mos të mendojmë me sy përjashta, por të mendojmë me pamje të Kosovë përbrenda, kësaj shtëpie që ka nevojë për rregulluar”, ka thënë mes tjerash kryetarja Mimoza Kusari – Lila.

Kryetar të komunës në periudha të ndryshme- Mimoza Kusari Lila dhe Qemajl Sahatqiu

Në shenjë nderimi e respekti për kontributin e dhënë ndër vite, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila në këtë ceremoni ka ndarë mirënjohje për të gjithë ish – kryetarët e komunës së Gjakovës prej përfundimit të luftës së dytë botërore e deri në ditët e sotme. Shumica e këtyre mirënjohjeve janë tërhequr nga pasardhësit e ish – kryetarëve, tashmë të ndjerë, ndërsa ishin vetëm ish – kryetarët Enver Vula, Neshet Zhubi dhe Qemajl Sahatqija që këtë mirënjohje e gëzuar së gjalli. Lidhur me këtë moment të rikujtimit, kryetarja Kusari – Lila ka thënë se historia duhet të mësohet e plotë e të mos harrohen të gjithë ata që e kanë kontributin e vet në zhvillimin e komunës së Gjakovës.

“Për mua është shumë me rëndësi që sot, të paktën tu përmendim emrat të gjithë atyre që vendosën nga një gurë në ndërtimin e kësaj komune të Gjakovës. Ta dimë se asgjë nuk fillon e nuk mbaron me ndonjërin prej nesh. Ne jemi vetëm një pjesë në atë rrugë të gjatë dhe të mundimshme për ta krijuar këtë identitet”, ka thënë Kusari – Lila.

Ndryshe, përveç këtij aktiviteti, po sot është hapur edhe një ekspozitë me piktura nga një grup piktorësh, të cilët kanë paraqitur punimet e tyre më të mira.

Përveç kësaj komuna e Gjakovës ka paraparë edhe të tjera aktivitete që do të zhvillohen nesër, e që do të nisin me homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Gjakovës.(ZIP)