Wednesday, March 27, 2024
Aktuale

Haxhosaj me librin e ri “Lot e Lakmi”

 

lot-e-lakmiKa dalë nga shtypi botimi më i ri i krijuesit dhe shkrimtarit të njohur gjakovarë Halil Haxhosaj i titulluar “Lot e Lakmi”.

Bëhet fjalë për një libër i cili në brendi të tij ka dy drama. Në dramën e parë në dy akte, me titull  “Lotët e Bleonës” autori Haxhosaj është inspiruar nga ngjarjet e shumta të hidhura të ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes kryepersonazhit të kësaj drame, Bleonës së vogël, Haxhosaj sjellë deri tek adhuruesit e këtij zhanri të fjalës së shkruar artistike si dhe të lojës skenike, një dramë të vërtet të ndodhur në një familje shqiptare ku lufta dhe pasojat e saj çrregullojnë gjithçka brenda familjes, duke sjellë gjëra tragjike dhe të dhimbshme, të cilat i kanë përjetuar shumë mjedise familjare edhe në komunën e Gjakovës.

Drama e dytë në librin e fundit të autorit Halil Haxhosaj, është një pjesë teatrale për fëmijë e cila mbanë titullin “Lakmia”. Këtë dukuri mjaftë prezente edhe tek fëmijët dhe të rinjtë, autori Haxhosaj e shtron me mjeshtri, përmes personazheve të kësaj drame të cilat në këtë rast janë lulet e shumta.

Lule-vogla, Lule-kënga, pastaj Lule-punëtorja e shumë lule tjera, të cilat përmes lojërave të ndryshme arrijnë ta luftojnë anën negative të Lule-smirës.

Libri “Lot e Lakmi” është libri i parë i autorit Halil Haxhosaj në zhanrin e dramës, ndërkohë që është botimi i njëzet i këtij autori.