Saturday, April 27, 2024
Kulturë

Intervista: MAZLLOM R.MORINA, KËNGËTAR DHE KITARIST

“KËNGA DHE KITARA, PËR MUA ËSHTË VETË JETA”

Gati 60 vjet nuk i është ndarë këngës. Këtë dashuri për muzikën e gjeti në familje nga të parët dhe e përcolli tek fëmijët e vet.  Këndon edhe sot me dashuri të veçantë. Meqenëse këto ditë po hyn në dekadën e tetë të jetës (’73) mote, zgjodhëm të bëjmë një bisedë rasti me Mazllom (Riza) Morinën. Mazllomi nuk është i panjohur për publikun e qytetit, për atë kosovar e më gjerë…

*Kur ju lindi dëshira, apo të themi dashuria për këngën?

Unë jam i lindur në një familje ku tradicionalisht interpretohej kënga dhe shoqërohej edhe me instrumete muzikore. Kështu që në vegjëli edhe mua më rrëmbeu ky merak, dëshirë për këngën. Kishte kënduar gjyshi, pastaj babai, nga i cili edhe mësova shumë finesa nga ai për këndimin, dhe kështu vijoi rritja me këngën. Të themi edhe këtë se babai ishte edhe kantautor (Riza-Xaj Morina). Mbaj mend këngën e tij të preferuar “Kur të shoh moj bukuri”, e cila u këndua në ndeja, ahengje të ndryshme, e që shoqërohej edhe me instrument (sharkinë) e Ymer Rizës.

*Cilin lloj të këngëve fillove ta këndoje më me dëshirë?

Për të kënduar, kam filluar në vitet ’60-ta, dhe aty nisa rrugëtimin. Së pari nisa me këngë popullore, që i kisha dëgjuar në ahengje, ndeja dhe dasma, por pa lënë anash edhe radion, me të cilën atëherë përcillnim muzikën që emetohej në valët e saj. Dhe gjithnjë i kam veçuar këngët gjakovare dhe ato shkodrane. Më vonë, nuk i lash anash edhe këngët e trevave të tjera shqiptare.

*Fillet e para të këngës i nise si vokalist dhe më vonë fillove t’i shoqëroje me kitarë, apo të dyja patën rrjedhë të njëhershme?

Në fillim kënga, nisa si vokalist me këngën “Je një lule që nuk gjindesh”, të cilën e këndoja me andje, e të cilën edhe sot e këndoj. Pastaj pasuan këngët e tjera, të cilat filluan të regjistroheshin në shirita manjetofoni, duke kënduar kështu me grupe nëpër ndeja dhe ahengje i shoqëruar edhe me instrumentistë të ndryshëm. Veterani kitarist Ylvi Kuka, më bëri kurioz që edhe unë të mësohem me këtë instrument i cili është pjesë e imja dhe e dua shumë edhe sot. (Kjo po reflektohet edhe te fëmijët e mi, Ermiri dhe Edoni…).

*Cilët ishin këngëtarët që të frymëzuan dhe patën ndikim në përcaktimin e shijes tënde muzikore?

Ka shumë dhe nga të gjitha trevat shqiptare, por për mua shquhen – dallohen nga ata: Bik Ndoja, Qamili i Vogël (Muhaxheri), Mazllum Myezini, etj. Këta emra ishin frymëzim për mua, dhe e pasuruan repertorin tim.

*Kur ndodhi përcaktimi  juaj  që t’i përkushtoheni  këngës dhe cilët ishin faktorët e kësaj nxitjeje?

Përmenda më lartë se si fëmijë, shoqëroja dhe dëgjoja familjarët, kryesisht babanë e ndjerë, i cili më la mbresa dhe më dha kurajo që të vazhdoj me këndimin e këngëve. Pastaj edhe loja dhe shoqërimi me instrumentin (kitara), diktuan vijimin e mëtutjeshëm për ta ndjekur këtë rrugë.

*Rrugëtimi juaj si këngëtar ka kohë bukur të gjatë. A mund ta përshkruani këtë ecje tuajën ndër vite, e cila është pothuajse një jetë e tërë?

Po, në fillim të viteve ’60-ta, pasoi kënga në shkollë, ndërsa më pas në grupin muzikor “Rinia”, për të vijuar në shoqërinë muzikore “Skenderbeu”, e prej aty, pak më vonë, në SHKA “Hajdar Dushi”. Një sezon nga viti 1974 kam qenë edhe anëtar i “Korit të Burrave” të qytetit në cilësinë e tenorit, deri në vitet e ’80, ku kemi edhe xhirime nga RTP e atëhershme…, për të vijuar edhe sot me këngën dhe instrumentin në grupin muzikor AVI “Ashikët”, këto dy dekadat e fundit. Me këtë grup kemi bashkëpunim të harmonishëm, nga i cili rrodhën shumë këngë dhe promovime të reja dhe të padëgjuara për publikun….(Intervisten dhe  shkrimin e plotë e gjeni në revisten Gjakovapress Nr.123)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *