Saturday, May 10, 2025
KulturëLajme

Jahja Shehu, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit

Jahja ShehuAktori i shquar i Teatrit Profesionist të Gjakovës , Jahja Shehu është laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore për teatër. Aktorit të njohur, ky çmim iu nda  në Ditën Botërore të Teatrit, 27 Mars  nga Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi në një ceremoni ku MKRS-ja, ka ndarë edhe çmimet tejra vjetore për teatër, për vitin 2013.

Për shfaqjen më të mirë është shpërblyer shfaqja “ Mbas zonjushës Julie”, me regji të Kushtrim Koliqit dhe produksion të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Sikur kjo të ishte shfaqje” është shpërblyer me çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar. Kjo shfaqje është prodhim i kompanisë teatrore ‘La Rremë’ në bashkëpunim me Teatrin ODA.

Kushtrim Koliqi ka marrë çmimin për regjinë më të mirë, për shfaqjen ‘Mbas zonjushës Julie”, ndërkaq aktorja Gresa Pallaska, me rol po në këtë shfaqje ka marrë çmimin për aktoren më të mirë.

Bazuar në Rregulloren për ndarjen e çmimeve vjetore për teatër, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ka vlerë financiare 5 mijë euro, ndërkaq kategoritë tjera shpërblehen me nga 2 mijë e 500 euro.

Ministri Krasniqi tha se ndjehet i nderuar që ka pasur rastin të punojë në themelimin e këtyre çmimeve dhe në ndarjen e tyre.

“Kosova ka shumë emra, personalitete që e kanë ndërtuar e zhvilluar teatrin, e po ashtu ka një gjeneratë të re që po vjen dhe po shkëlqen jo vetëm në Kosovë por edhe në skenat botërore. Këto çmime janë një nderim që shoqëria dhe shteti i bën këtyre personaliteteve të shquara të skenës kulturore, dhe një nderim e motiv për gjeneratat e reja për punë edhe më të mëdha”, ka thënë ministri Krasniqi.

Ministri ndërkaq ka folur për personalitetin e Jahja Shehut, duke e vlerësuar atë si një nga ata që kanë zhvilluar teatrin anekënd Kosovës.

“Për mua është nder që t’ia ndajë këtë çmim dhe padyshim t’i them, zotit Jahja Shehu se ky çmim nuk nënkupton se ju po pensionoheni por është një falënderim për ato emocione që na keni dhuruar me vite dhe të ju themi se përvoja juaj na duhet ende”, ka shtuar ai.

Gjithashtu ministri theksoi se ka nënshkruar Statutin e ri të TKK-së, dhe njoftoi se në ditët në vijim do të shpallet nënshkruhet rregullorja për ansamblet rezidente, që do t’i hapë rrugë shpalljes së konkursit për kompletimin e ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar.

Përveç këtyre, Ministri Krasniqi tha se pas finalizimit, në ditët në vijim, do të nënshkruhet rregullorja për procedurat dhe kriteret e themelimit të teatrove. Me këtë, tha ai, do t’i hapet rruga që Teatri i Gjakovës, të marrë statusin e teatrit kombëtar.

Ministri Krasniqi shtoi se në këto vjetet e fundit ka pasur një përkushtim të lartë që të rritet përkrahja për artistët, për institucionet e kulturës. Ai përmendi rritjen e buxhetit çdo vit si për institucionet, ashtu edhe për operatorët e pavarur kulturor.

Laureati i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Jahja Shehu u shpreh se ndjehet shumë i lumtur për dy arsye, e para, se në këtë moshë ka pritur edhe njëherë Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, ndërsa e dyta, në vlerësimin e punës së aktorit përmes këtij çmimi.

Shehu falënderoi ministrin që çmimi po merret për çdo vit.

“Nuk ka rëndësi sa është çmimi, nuk ka rëndësi vlera e çmimit. Unë që tri net nuk kam fjetur i qetë duke menduar që në Kosovën tonë ka ende njerëz që dinë ta çmojnë, vlerësojnë punën shumë të vështirë e me sakrifica të mëdha të aktorit”, u shpreh Shehu.

E kryetarja e jurisë, Burbuqe Berisha, theksoi se nuk ka qenë e lehtë të përzgjidhen fituesit, ngase ka pasur shumë nominime. Aktori Jahja Shehu, tha ajo ka qenë i nominuar pothuajse nga të gjithë teatrot.  Anëtarë të jurisë që ka ndarë këto çmime kanë qenë edhe: Basri Lushtaku, Arben Zharku, Orhan Kerkezi dhe Liridon Cahani.