“Jeta është e pamatur” libër me perkushtime për Zarushin
Me organizim të Qendrës Kombëtare të Poetëve dhe Shkrimtarëve “Gjakova”, dhe me mbështetje të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të shtunën u promovua vepra me poezi, fotografi dhe përkushtime “Jeta është e pamatur” që i është dedikuar pas humbjes tragjike të jetës në fillim të vitit të shkuar të humanistes dhe aktivistes politike, si dhe këshilltares të Kuvendit Komunal, Gjylgjyzare Karaxhija Xharavina-Zarushi.
Në emër të Komunës së Gjakovës, këtë promovim e ka përshëndetur Ali Tafarshiku, i cili me mirënjohje është shprehur ndaj realizuesve të kësaj vepre, dhe është zotuar se gjithnjë do të mbështeten iniciativa të tilla për Zarushin, në mënyrë që të jetësohen porositë e saj.
Mevlyde Saraçi, në emër të Qendrës Kombëtare të Poetëve dhe Shkrimtarëve “Gjakova”, e cila edhe është botuese e kësaj vepre, ka falënderuar gjithë ata që me përkushtime poetike dhe përkushtime tjera që kanë bërë për Zarushin, u mundësua që të kemi një vepër për një personalitet shumë të vyeshëm dhe të çmuar, e iniciatori i së cilës vepër për botim ishte Halil Haxhosaj, i cili edhe është redaktor i veprës.