Mbahet Mitingu i Poezisë i 53-ti
Me ndarjen e çmimeve tradicionale, të premten mbrëma në Gjakovë është mbyllur Mitingu i 53-të i Poezisë në Gjakovë. Ndonëse me shumë vështirësi financiare dhe me disa muaj vonesë, ky Miting ka arritur që të mbledhë poet nga shumë treva shqiptare për të mos e ndalur traditën mbi gjysmë shekulli. Kryetarja e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gentiana Muhaxhiri, tha se 53 vite tradite duhet të bëjnë krenar secilin dhe sipas saj këtë traditë duhet ta shtyjmë më tutje.
Rreth 20 poet kanë lexuar poezitë e tyre para disa qindra dashamirëve të fjalës së shkruar. Ndërsa juria profesionale e Mitingut, edhe ka ndarë çmimet tradicionale. Kështu për poezinë më të mirë të lexuar në natën e Mitingut, që mbanë emrin e poetit Ali Podrimja, është shpërblyer poeti nga Shqipëria, Sadik Bejko. Pas marrjes së çmimit për herë të dytë, Bejko tha se ndihet i nderuar që po shpërblehet nga një aktivitet tashmë i njohur në mbarë trevat shqiptare e më gjerë.

Ndërkaq. mbrëmë janë dhënë edhe shpërblimet tjera tradicionale. Për veprën më të mirë të botuar mes dy mitingjeve çmimin “Din Mehmeti”, e kanë ndarë dy poet, Hamit Alijaj, për veprën “E hana përtej botës”, si dhe Agim Vinca, për librin “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”. Ndërsa çmimi “Yllka Domi”, që tradicionalisht ndahet për poet debytant, i ka takuar poetes së re nga Gjakova, Entela Çarkagjia.

Çarkagjia pas marrjes së çmimit tha se ndihet shumë e privilegjuar dhe e motivuar për të vazhduar në rrugën e nisur të artit. Organizatori i Mitingut, klubi letrar Gjon Nikollë Kazazi ka ndarë mirënjohje posmortum për poetët Besim Bokshi e Halil Haxhosaj, për kontributn e madh dhënë rrugëtimit me sukses të mitingut të Poezisë. Ndërkaq për kontribut në letërsi organizatori i ka ndarë edhe poetëve Sali Bytyqi, Agim Desku dhe Zeqir Fazliu. Para mbrëmjes qendrore të Mitingut sikur edhe në vitet tjera është organizuar edhe tribuna letrare që këtë herë si temë ka pasur “Aspekte të prozës bashkëkohore shqipe”, për të cilën kanë folur profesor Emin Kabashi e Muharrem Kurti.