Ngrohtorja e re deri në fund të vitit
Sezoni i ngrohjes zyrtarisht fillon me 15 tetor, por Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë këtë pritet ta bëjë kah gjysma e muajit Dhjetor. Kjo për faktin se Ngrohtorja e re ende nuk është e gatshme të ngrohë ambientet familjare, institucionet dhe hapësirat komerciale, kurse Ngrohtorja e vjetër tashmë është jashtë funksionit. Këtë e ka deklaruar Albana Skivjani, drejtoreshë në Ngrohtoren e qytetit, e cila këtë vonesë e ka arsyetuar me telashet që kryesi i punimeve i ka pasur për shkak të pandemisë Covid 19 me sjelljen e pajisjeve të prodhuara në Austri. Skivjani ka thënë se deri në gjysmën e dhjetorit po pritet që të aktivizohet sëpaku një kalldajë që, përmes djegies së biomasës, prodhon vetëm energji termike, me të cilën do të ngrohen ambientet që kanë qenë të kyçura me rrjetin e ngrohjes këto vitet e fundit.
“ Punimet po vazhdojnë me mjaft shpejtësi në Ngrohtoren e Re. Kontraktori po vazhdon punët në të gjitha drejtimet, i përkushtuar për të funksionalizuar pjesën e ngrohjes deri në fund të këtij viti. Ndonëse dikur dukej e pamundur, tashmë jemi drejt funksionalizimit të këtij impianti i cili do t’i shërbejë Gjakovës për dekada me radhë”, ka thënë Skivjani.

Krahas përpjekjeve për ta përfunduar projektin madhor të ngrohjes, Ngrohtorja e qytetit, sipas drejtoreshës Albana Skivjani, po punon në evitimin e defekteve në rrjetin e vjetruar dhe nënstacione, posaçërisht në rrjetin e pjesës veriore të qytetit, ku janë shumë banesa kolektive dhe shkollat.