Perlat shkodrane “shkrijnë akullin” në Gjakovë
Gjakova të premten në mbrëmje ka qenë e përfshir nga një mot i ligë me borë e akull, por edhe nga tingujt e këndshëm të muzikës së bukur shkodrane që rrezatuan diell në Pallatin e Kulturës Asim Vokshi ku u shfaq koncerti “Perlat shkodrane” me Shkëlzen Jetishin dhe Kastriot Tushën e mysafir të tjerë. Të dy artistët së bashku me të ftuarit e tyre si Shyqeri Alushi, Zenel Doli, Bujar Qamili, Rosela Gjylbegu e Vlona Boshnjaku interpretuan disa prej këngëve më të bukura shkodrane. Me dy interpretime të tij në skenë u ngjit edhe artisti Mirush Kabashi.
U tha se Gjakova dhe Shkodra kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të parët e dy qyteteve kanë luftuar, tregtuar por bashkë edhe kanë kënduar.
Koncerti filloj me këngën “Shkodra ka plotë dashuri” dhe përfundoi me potpuri shkodrane i shoqëruar nga orkestri i Vëllaznim Buxhovit. Erdhi pas 7 vitesh pasi ky rrugëtim i muzikës shqipe nga këngëtarët Shkelzen Jetishi e Kastriot Tusha kishte filluar nga Elbasani me këngët e USTA ISUF MYZYRIT më 2009, për tu kthyer në Gjakovë me këngët e QAMILIT VOGËL më 2010 dhe një vit më vonë, më në 2011 me këngët e MUSTAFA BUDINIT, gjithnjë duke mbledhur si bleta, nektarin e muzikës së bukur shqipe.
Jetishi dhe Tusha e kanë pranuar se e kanë pasur të vështirë të zgjedhin disa nga perlat e muzikës shkodrane, sepse ajo ka vlera të çmuara muzikore. U kënduan shumë këngë mes të cilave :.Karaifilat që ka Shkodra, S ka ma t bukur se pranvera, O bylbyl o i bukri shpend, Lulebore , Kur perendon dielli, Ma ke gishtin e tj.
Ëmbëlsi e koncertit ishte prezenca dhe prezantimi i legjendes së muzikës, këngëtarit të madh të ahengut shkodran Shyqeri Alushi, , që në moshën 84-vjeçare këndoi një prej këngëve të tij. Ai i emocionuar nga atmosfera në Gjakovë, tha se … “Gjakova e Shkodra janë një. Pas kësaj mbrëmje kur të kthehem në Shkodër, edhe me vdek nuk kam dert hiq!!! ”
Ky koncert ishte shumë emocional edhe për Shkëlzen Jetishin që festoi ditëlindjen. Një foto e nënës së tij të ndjerë që erdhi si dhuratë surprizë në skenë përloti këngëtarin. Duke folur për koncertin, Xeni u shpreh se, e kishin të vështirë të përzgjidhnin këngët pasi Shkodra ka repertor të madh të këngëve të saj.
Tenori i nderuar me urdhrin “Mjeshtër i madh”, Kastriot Tusha, tha se marrëdhëniet mes Gjakovës me Shkodrën kanë ndikuar edhe në kulturë.
Po ashtu, para publikut gjakovar u prezantua edhe Bujar Qamili që uroi që të tilla koncerte me këngëtarë të tjerë të mbahen sërish në Gjakovë.
Artisti me prejardhje nga Gjakova por i lindur në Shkodër e që mban titullin “Nderi i kombit”, Mirush Kabashi, tha se është kënaqësi të performohet para publikut gjakovar. Ai tha se vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me Gjakovën edhe për faktin se i ati i tij është i varrosur këtu.
Koncerti “Perlat shkodrane” u mbyll denjësisht për t’i hap rrugën të tjera koncerteve. Jetishi e Tusha paralajmëruar se koncerti i ardhshëm mund t’i dedikohet këngëve beratase ose këngëve folklorike të Veriut të Dervish Shaqës.