Prof.dr. Qamil Haxhibeqiri për akademik Esat Stavilecin
( Botuar në numrin më të ri të reviste Gjakovapress Nr.140 online)
Në këtë akademi përkujtimore me rastin e pesëvjetorit të ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit më ra hise të shkruaj për angazhimet dhe veprimtarinë e akademikut tonë në ASHAK. Për mua, si njeri që nuk i takoj profesionit të Akademik Esat Stavilecit, një detyrë e tillë nuk ishte aspak e lehtë. Vështirësia nuk qëndronte në ate se nuk dihet dhe nuk ka çka të thuhet e të shkruhet për veprimtarinë e tillë të akademikut tonë, por vështirësia qëndron në ate se nga ajo veprimtari e begatë dhe e frytshme është pothuajse e pamundur t’i thuash të gjitha. Andaj, kërkoj ndjesë nga profesionistët për ndonjë pasaktësi apo lëshim, gjithësesi, të paqëllimshëm.
Në këtë shkrim nuk do të flasë për librat
Nocione dhe parime të administrates publike, aspekte metodologjike dhe shqyrtime krahasimtare (ASHAK, botimi i parë 2005; botimi I dytë, 2007)
Shteti – shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës (ASHAK, 2008)
Fjalor shpjegues i termave administrati ve (ASHAK, 2010)
Të menduarit dhe të shkruarit akademik – vështrime të përgjithshme nga fusha e metodologjisë së huluntimit shkencor , (ASHAK, 2013)
Nuk do të flasë as për shumë libra dhe monografi tjera të Akademik Stavilecit të botuara tek ne e në botën e jashtme, nuk do të flas as për kompletin prej 20 veprave të profesorit të botuar nga IAL “Dardania” më 2013 të cilin ma dhuroi profesori i nderuar dhe i cili zën një vend të rëndësishëm në bibliotekën time personale. Këtë nuk e bëra duke menduar se për veprimtarinë e tillë botuese të akademik Esat Stavilecit fjalën e tyre e kanë thënë dhe do ta thënë edhe në të ardhmen me kompetencë të plotë njerëzit e profesionit të akademikut tonë.
Në këtë shkrim do të mundohem të theksoj disa nga kontributet e Akademik Esat Stavilecit në tubime, konferenca, kolokuime dhe tubime të ndryshme shkencore të organizuar nga ASHAK-u ose ku profesor Esati me kompetencë profesionale e dinjitet e ka prezantuar ASHAK-un. Janë këto shënime të nxjerra nga vepra e Akademik Stavilecit “Gjurmë të një jete – refleksione kohe” e botuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 1912 . I pajisur me njohuri të thella nga fusha e së drejtës, i pajisur me guximin intelektual dhe si një parashikues i pagabuar i të ardhmes sonë , Akademik Esat Stavileci i ka parapa shumë procese dhe dukuri dhe faza të ndryshme në zhvillimet e Kosovës si shtet i pavarur . Janë këto disa nga më shumë se 1050 paraqitje publike të Akademik Esat Stavilecit për Kosovën dhe shqiptarët.
I. Në Sesionin Shkencor të ASHAK-ut “Mbi gjenocidin e pushtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta ” të mbajtur me 29 qershor 2000, Akademik Stavileci tërheq vëmendjen në këta tri komponentë. “ Komponenti i parë mbështetej në empirinë politike e cila “tregon se në raste më të shumta motivi më cytës i pushtetit gjenocidues është lakmia për toka dhe synimi i ndërrimit të structures demografike të rajoneve me shumicë etnike tjetër nga qenja etnike e pushtetit ” Komponenti tjetër i vëstrimit të Akademik Stavilecit “niset nga e vërteta se asnjë individ dhe asnjë formacion politik serb, me asnjë deklaratë dhe në asnjë mënyrë, nuk është distancuar nga veprimet e pushtetit serb në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta.“ Më në fund, komponenti I tretë përqëndrohet në periudhën më të re dhe pretendon të dëshmoj në mënyrë të pakontestueshme, pasojat e zbatimit të akteve gjenociduese të pushtetit serb në Kosovë, veçanërisht që kur u rrënua, në mënyrë jokushtetuese autonomia e saj.”
II. Në Kolokuimin mbi të ardhmen e Kosovës të mbajtur në ASHAK më 6. Shkurt 2004, Akademik E. Stavileci, ndër të tjera , konstaton:
“Përkundër shumë zhvillimeve që kishin ndryshuar një pjesë të realitetit në Kosovë, gjendja ende nuk ishte ajo që kishim pritur të ishte pothuajse pesë vjet prej vendosjes së saj “nën administrimin ndërkombëtar”. Në Kosovë ende kishte më shumë “sjellje në rreth” e pak rezultate “për të dal prej atij rrethi”. Ende kishte më shumë “zotime për pavarësi” e “ecje shumë të ngadalshme nëpër te”. Ende kishte vonesë dhe shtyrje të proceseve zhvillimore . Përgjithsisht në Kosovë kishte përpjekje për ta paraqitur gjendjen “më të mirë” sesa ishte ajo. Gjendja në Kosovë ishte ajo që ishte dhe nuk kishte arsye që të paraqitej ndryshe prej reales. Ajo fliste se tërësia teritoriale e Kosovës ishte cunguar, se Mitrovica dhe pjesa veriore e Kosovës mbahej e ndarë; se as UNMIK-u dhe as institucionet e Kosovës nuk kontrollonin pothuajse një të tretën e teritorit; se Kosova ishte e “pushtetëzuar” nga UNMIK-u; se në Kosovë “zhvillohej jetë paralele;” Unë pyes : A ka ndryshuar diçka nga ky konstatim i para afro dy dekadave të profesorit tone të nderuar ? Besoj, se të gjithë pajtohemi me përgjigjen : fatkeqësisht, nuk ka ndryshuar ,pothuajse, asgjë.
III. Në Konferencën Ndërkombëtare të Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve me temën “Vlerat dhe Mileniumi XXI” të mbajtur prej 19-21 nëntor 2009, Akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi (në kumtesën e tyre të përbashkët) në mënyrë dinjitoze, me forcën e fakteve historike dhe logjikën e shëndoshë, iu kundërvihen botimeve antishqiptare të asaj kohe të Akademisë Serbe të Skencave dhe Arteve dhe Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve e cila në një enciklopedi të botuar shtrembëronte historinë shqiptare. Me këtë rast akademikët tanë theksojnë se në shembullin e Akademisë Serbe dhe Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve është dëshmuar fakti mbi qenien e shkencës “shërbëtor i mirë i politikës.” Më tej ata konstatojnë se “Shqiptarët, si njëri ndër popujt më të vjetër, asnjëherë nuk kanë pasur pretendime që të tjerëve t’ua shkruajnë historinë, por janë shumë të ndjeshëm kur të tjerët atyre ua shkruajnë historinë dhe kur këtë përpiqen “ta shesin ” si “vlerë shkencore” si ka bërë Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve dhe, së fundi, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve”.
“Ne e shohim Mileniumin Njëzetëenjë pikërisht si shansë që t’u kthehemi vlerave që tërë shekullit do t’i jepnin epitetin me të cilin karakterizohet bota bashkëkohore. Është e papranueshme , së paku, në shkencën e vërtetë, që mbi të kaluarën , të tashmën dhe të ardhmen e një populli me identitet të verifikuar dhe të vlerësuar të gjykojnë popujt të cilët nuk mund të krenohen për veten dhe identitetin e tyre.” Ata e përfundojnë kumtesën me konstatimin “E vërteta shkencore për shqiptarët në historiografi mund të thuhet vetëm nëse mbështetet në burimet autentike të historiesë se shqiptarëve. Secili shikim tjetër është antishkencor dhe nuk paraqet vlerë të vërtetë shkencore. Këtë do të duhej ta kishin parasysh akademitë e shkencave në veprimtarinë e vet botuese ”
IV. Fjalën e mbajtur në Konferencën Shkencore “Shqiptarët në shekullin XX” , të organizuar nga Universiteti i Lirë Ndërkombëtar i Brukselit më 14 qershor 2012, Akademik Esat Stavileci e ka emërtuar me titullin domethënës dhe kuptimplotë “Të vdekurit jetojnë përderisa ka të gjallë që i kujtojnë.” E fillon me thënien se “Të kujtosh do të thotë “të sjellësh në jetë” ata që janë flijuar për liri e vatan.” Konstaton se “Shekulli XX nuk ishte tjetër veçse shekulli i ndrydhjes së qenjes kombëtare shqiptare.” Më tej, autori konstaton se “Fillesa e tendencies dhe burimi frymëzues për krimin gjenocidues serb ndaj shqiptarëve ndeshen që nga gjysma e pare e vitit 1880. Në vitet 1998 dhe 1999 vetëm se do të dale haptazi në shesh krimi gjenocidues i pushtetit serb ndaj shqiptarëve, për të vërtetuar, qoftë lashtësinë, qoftë edhe vrazhdësin e tij”.
“Dëbimi i rreth gjysmës së shqiptarëve etnikë të Kosovës nga trevat e tyre, kallja dhe asgjësimi i shtëpive , i banesave, i lokaleve afariste, i vendbanimeve dhe fshatrave të tëra të shqiptarëve të Kosovës, rrënimi dhe djegia e qyteteve të tyre, vrasja sistematike e shqiptarëve të të gjitha moshave e gjinive, duke zbatuar të njejtat forma dhe të njejtat mjete të vrasjes dhe të masakrimit më 1998-99 njësoj si edhe me 1878-79, 1913, 1918, 1937, 1945, etj. tregojnë “praninë e qëndrueshme të tendencies së zhdukjes dhe të asgjësimit të shqiptarëve në Kosovë e më gjërë. Aktiviteti i krimit asgjësues mbështetet në dokumente zyrtare e shtetërore dhe studime të mendimtarëve serbë, sikurse edhe në disa vepra të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Sërbisë “. Më pastaj, Akademik E.Stavileci në fjalën e tij shpalos edhe projektet e vazhdueshme shtetërore gjenociduese serbe sië janë “Naçertanija” e vitit 1884, Elaborati i Vasa Çubrilloviqit i vitit 1939, Elaborati i Ivo Andriqit i vitit 1939, Elaborati i dytë i Vasa Çubrilloviqit i vitit 1944 dhe Memorandumin e Akademisë së Shkencave e Arteve të Sërbisë të vitit 1986, të cila flasin në mënyrën më të qartë për synimet e pushtetit serb për spastrimin etnik të popullates shqiptare dhe karakterin gjenocidues të atyre synimeve” .
V. Në Konferencën Shkencore “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas” të organizuar nga ASHAK më 13 shtator 2012, Akademik Esat Stavileci paraqitet me kumtesën “Zhvillimi kushtetues i Kosovës 1946 – 1990.” Kumtesën e tij e fillon me konstatimin se pozitës kushtetuese të Kosovës dhe zhvillimit të saj kushtetues në periudhën 1946-1990 të shekullit të kaluar i paraprinë luftat ballkanike, kur gjysma e kombit dhe më shumë se gjysma e trojeve të shumicës etnike shqiptare “nuk u gjend vetëm jashtë shtetit të ri shqiptar, por u gjend e okupuar nga shtetet fqinje ballkanike, kryesisht nga shteti serb”. Më tej profesor Stavileci konstaton se përplasjet ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan ndodhen në kushte të pabarabarta për kombin shqiptar , prandaj “për pasojë ndodhi që Kosova, më parë të përfshihet në kuadër të shtetit serbo-kroato- slloven të krijuar pas Luftës së Parë Botërore ”, e më vonë edhe në “përbërje të Jugosllavisë” , pas Luftës së Dytë Botërore. “
Në zhvillimin e mëtejmë kushtetues të Kosovës, Akademik Stavileci përmend Rezolutën e Konferencës së Bujanit (31.12.1943 dhe 1 e 2 .01.1944) me të cilën u konfirmua parimi i vetëvendosjes. Por , pas kësaj ngjarje, në Kuvendin e Prizrenit në vitin 1945, në kushtet dhe nën rrethanat e administrimit ushtarak, delegatët me dhunë qenë detyruar të shpallin bashkimin e Kosovës me Serbinë në kuadër të Jugosllavisë federative. Delegatët që paten votuar kundër qenë arrestuar dhe likuiduar. Zhvillimi i mëtejmë kushtetues në vitet 1945 -53 karakterizohet me diskriminimin kushtetues juridik të Kosovës jo vetëm në krahasim me njësitë tjera federale (ish republikat) por edhe në raport me pozitën kushtetuese të Krahinës Autonome të Vojvodinës. Edhe ndryshimet kushtetuese të vitev 1953 dhe 1963 nuk sjellin ndonjë ngritje të pozitës kushtetuese të Kosovës, përkundrazi e shndërrojnë atë në një “koloni të Sërbisë”.
Në shtjellimin e mëtejmë të kësaj teme Akademik Stavileci përshkruan periudhë e pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966 ku u zbuluan problemet e rënda ndëretnike , e sidomos deformimet e rënda ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi. Si pasojë e kësaj, ndryshimet kushtetuese të viteve 1967 e më vonë edhe ato të vitit 1971 paralajmërojnë përforcimin e pozitës kushtetuese- juridike të republikave dhe krahinave në marëdhënjet e tyre në Federatën Jugosllave. Pozita kushtetuese e Kosovës kulmon me Kushtetutën e vitit 1974 me të cilën Kosova shënon shkallën më të lartë të mëvetësisë së saj. Por me amendamentet kushtetuese të vitit 1989, në rrugë jokushtetuese Kosovës i merren kompetencat të cilat i ipen Republikës së Sërbisë.
Ndaj kësaj pozite Kosova reagon në mënyrën e vet: “së pari Me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990; së dyti me Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990; së treti, me refendumin e shtatorit 1991; së katërti, me Rezolutën mbi Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur të dates 18 tetor 1991 dhe së fundmi, me Amendamentin I në Kushtetutën e Republikës së Kosovës me 19 tetor 1991”. “Këto akte, ndonëse nuk unjohën ndërkombëtarisht, vendosën themelet e një shteti me sovranitet dhe pavarësi të kufizuar që u lind me 17 shkurt 2008.”
Këtë fjalë përkujtimore do t’a përfundojë me tri porositë kuptimplota të akademikut tonë mendjendritur:
“ Porosia e parë: Nuk do të dëshiroja që të na shemben themelet , pa i ngritur kulmet
Porosia e dytë: Të bashkur – edhe të pamundshmen e bëjmë të mundshme; të ndarë – edhe të mundshmen e bëjmë të pamundshme.
Porosia e tretë: Të veprosh i pabashkuar është e paefektshme, po sikurse edhe të bashkohesh pa vepruar. “
Janë këto tri porosi të akademikut tonë largpamës që janë aktuale sot më tepër se çdo herë tjetër dhe të cilat duhet t’i kemi në mendje përgjithmonë .
Lavdi e përjetshme Akademik Esat Stavilecit njeriut vizionar që tërë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi përparimit dhe të mirës së Kosovës.
Në Gjakovë, më 12. Gusht 2020.
Qamil Haxhibeqiri.
(Kumtesë e paraparë të lexohet në akademinë përkujtimore me rastin e pesëvjetorit të vdekjes të Akademik Esat Stavilecit, e organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, e cila nuk u mbajtë për shkak të situatës pandemike ).