Radio Gjakova kremtoi 41 vjetorin e fillimit të punës
Nga një program 3 orësh në ditë, para 41 vitesh, sot Radio Gjakova transmeton 24 orë program, që falë teknologjisë informative dëgjohet në gjithë botën. Zëri i kësaj radioje dëgjohet në shumë familje gjakovare si zë i besueshëm i informacionit dhe si zë i këndshëm i argëtimit dhe pasqyrimit të traditës së lashtë të qytetit për artin, kulturën, muzikën dhe sportin.
Radio-Gjakova dje me një program të larmishëm e shënoi 41 vjetorin e fillimit të punës dhe veprimtarisë së suksesshme. Pikërisht më 9 Nëntor të vitit 1979, Radio Gjakova si medium i parë lokal i informimit në komunë, filloi me realizimin e misionit të informimit të qytetarëve për rrjedhat aktuale, duke u bërë njëkohësisht misionare e afirmimit të vlerave të shumta të traditës kulturore të kësaj treve. Që nga ajo ditë, Radio Gjakova pasqyroi në mënyrë të denjë dhe të besueshme realitetin i ngjarjeve dhe zhvillimeve aktuale në komunë.
Përmes valëve të sajë, të cilat u bënë ushqim i përditshëm shpirtërorë i mijëra dëgjuesve, u transmetuan qindra e qindra emisione zhanresh të ndryshme duke filluar nga emisionet argëtuese muzikore e deri tek ato dokumentare, përmes të cilave u shënuan ngjarjet më të rëndësishme të historisë së bujshme të kësaj treve. Këtë mision Radio Gjakova, anipse me sfida jashtëzakonisht të mëdha, po e vazhdon edhe më tej duke synuar ta qojë ende më përpara zhvillimin e saj të përgjithshëm programor. Me rastin e këtij përvjetori, anipse në rrethana të vështirësuara me pandeminë Covid 19, redaksia e Radio Gjakovës nga mëngjesi e deri natën vonë me prezantimin e grupeve muzikore dhe solistëve, me muzikë e humor, transmetoi program festiv informativ dhe argëtues.