Të martën fillon regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme
Të martën më 8 Korrik, fillon regjistrimi i nxënësve në klasën e 10-të, në shkollat e mesme të Gjakovës i cili do të zgjas për tri ditë. Shkollat kanë ftuar të gjithë nxënësit që kanë përfunduar me sukses klasën e 9-të që të regjistrohen , duke zgjedhur drejtimin që u përshtatet më së miri aftësive dhe interesave të tyre. Në bazë të statistikave, në shkollat e Gjakovës, klasën e nëntë e kanë përfunduar 1 mijë e 60 nxënës, aq sa pritet të jetë edhe numri i nxënësve të regjistruar në klasën e dhjetë. Oferta për të studiuar në shkollat me mesme publike të Gjakovës për vitin shkollor 2025-2026, do të jetë sikur vitin e kaluar, përveç në shkollën mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në të cilën këtë vit për herë të parë do të startoj drejtimi i ri, “Energjia me biomasë”. Përgatitjet për këtë drejtim të ri kanë filluar vitin e kaluar shkollor, ndërsa si institucion kanë marrë mbështetje edhe nga donatorët. Nxënësit do të kenë mundësi po ashtu të zgjedhin edhe profilet tjera profesionale, njohton Radio Gjakova.
Ndërkaq shkolla ekonomike, “Kadri Kusari” për vitin shkollor 2025 -2026, ju ofron nxënësve të ardhshëm, 10 profile në drejtime si ekonomi, juridik, bujqësi, veterinë, teknologji ushqimore e hoteleri dhe turizëm. Në këtë shkollë kanë bërë të ditur se ka vend për 300 nxënës që do të ndjekin mësimet në këtë vatër arsimore.
Ndërsa në shkollën e mjekësisë “Hysni Zajmi” në profilin bashkëpunëtor profesional i infermierisë do të hapen 5 paralele. Në profilet tjera si teknik i dhëmbëve, farmacisë, perdiatrisë, fizioterapisë dhe labaratorit mjekësorë janë në dispozicion nga një paralele. Në të gjitha këto drejtime, shkolla do të pranojë 280 nxënës.
Edhe në gjimnazin “Hajdar Dushi”, këtë vit shkollor nxënësit e interesuar do të mund të studiojnë, në dy drejtimet, shkenca shoqërore- gjuhësor, si dhe shkencave natyrore. Ndërsa shkolla e lartë e muzikës Prenk Jakova”, këtë vit shkollor do të pranoj 20 nxënës, 15 në profilin bashkëpunëtor i përgjithshëm në muzikës dhe 5 në interpret muzikor.
Profile të ndryshme profesionale ofron edhe Qendra për Aftësim dhe Arsim Profesional “Gjon Nikollë Kazazi”. Aty nxënësit do të mund të studiojnë në drejtime si asistent administrativ, informatikë, shkenca natyrore dhe shoqërore si dhe në infermieri.