Tri ndeshje tri fitore, tash kërkohet ti jepet fund gjendjes alarmante te Vëllaznimi
Futbollistët e Vëllaznimit këtë të diele kanë shënuar fitoren e tretë radhazi në finish të stinorit vjeshtor duke iu shmangur fundit të tabelës klasifikuese. Në një ndeshje plot tensione, me shumë karton të verdhë e të kuq, skuadra kuq e zi e ka mposhtur Oniksin 1 me 0 me golin e Rron Rugoves.
Siç dihet Vëllaznimi ka kaluar një sezon si asnjëherë më parë, me krizën më të thellë ndoshta në historinë e tij gati 100 vjeçare. Kjo ka reflektuar me rezultate të dobëta deri para tri ndeshjeve, kur u bë një rikthim i madh në saje të vullnetit dhe angazhimit maksimal të futbollistëve, shtabit teknik dhe tifozerisë që i dha mbështetje në aksionin për grumbullimin fondit për Vëllaznimin. Për tri ndeshje u arkëtuan 9 pikë, (me Trepcen në Mitrovicë, Ulpianen dhe Oniksin në Gjakovë) , dhe skuadra jonë u zhvendos nga pozita e fundit në tabelën klasifikuese. Por deri te fitorja e fundit me Oniksin u deshtë shumë mundë ngase skuadra mysafire tregoi angazhim dhe dëshirë për fitore duke tejkaluar edhe veten me ashpërsi. Pati ndërhyrje të shumta dhe ndërprerje të lojës, ( që e dëmtojnë futbollin dhe nuk kanë vend në stadiumet tona), ndërsa futbollistëve të Vëllaznimit gjyqtari Isak Ceroviku iu ndau 5 karton të verdh dhe dy të kuq, njërin për futbollistin Ardit Vokshi dhe tjetrin, për habi, ia ndau kryetrajnerit Ekrem Radoniqi i cili pas një ndërprerje të lojës kishte hyrë në fushë për të qetësuar lojtarët.
Tash pason pushimi mbi dy muaj dhe sigurisht se është koha për ta bërë organizimin e duhur të skuadrës, transformimin e premtuar në Shoqëri Aksionare dhe kthimin e donatorëve. Një organizim stabil, përforcime të reja dhe një mobilizim i gjithëmbarshëm do ta kthente skuadrën Kuq e Zi në pozitën ku e meriton. Këtë e dëshirojnë të gjithë.