Viti Ri 2021 ka filluar mbar, me diell dhe i bereqetshëm me 4 djem!!!
Nëse i besohet thënies së vjetër popullore se, “dita e mirë njihet në mëngjes”, dhe kemi parasysh motin e bukur e me diell që mbretëroi sot, në ditën e parë të vitit të ri, atëherë mund të shpresojmë dhe njëkohësisht të urojmë për një vit të mirë e të mbarë. Dielli është sinonim i ngrohtësisë, mirëqenies, dashurisë dhe lumturisë për çka kemi më së shumti nevojë.
Gjakova e ka nisur vitin e ri mbarë edhe sa i përket banorëve të ri. Në Spitalin e Gjakovës, sapo ka hyrë Viti i ri, kanë lindur 4 djem dhe në familjet e tyre kanë sjellë ngrohtësi, gëzim e lumturi ashtu siç do të dëshironim për të gjitha familjet. Dr. Violeta Binishi, kujdestare në repartin e lindjeve ka thënë se fëmijët kanë lindur të shëndosh dhe nënat e tyre ndjehen mirë me shëndet.
“Sapo kemi hyrë në Vitin e Ri, kemi pasur një lindje e më pastaj gjatë natës më të gjatë të vitit, ka pasur edhe tri lindje tjera. Të katër fëmijët e parë kanë lindur djem të shëndetshëm. Gjendja e tyre dhe nënave është e mirë”, ka thënë Binishi, duke uruar rritë të shëndetshme dhe të lumtur.
Ndryshe Gjakova mbrëmë ka hyrë në natën më të gëzuar të vitit, e stolisur dhe e ndriçuar me drita e fishekzjarrë të shumta vezulluese që i kanë dhënë qytetit një pamje festive. Gjakovarët natën më të gëzuar të vitit e kanë kaluar kryesisht në ambientet e ngrohta familjare në ndjekje të programeve festive televizive. Mbrëmë të gjithë, së paku në këtë mbrëmje festive, i kanë harruar problemet, vështirësitë dhe hallet e shumta me të cilat u ballafaquam gjatë vitit 2020, për të festuar të gëzuar dhe të lumtur në natën e ndërrimit të moteve, me urimet dhe dëshirat për një vit sa më të mbarë dhe më të suksesshëm.