Sunday, March 30, 2025
AktualeKulturë

“100 mijë poetë për ndryshim”, manifestim me shumë veprimtari

1000 poetNë kuadër të manifestimit ndërkombëtar “100 mijë poetë për ndryshim”, manifestim i cili në Gjakovë po organizohet nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Artistëve dhe Shkrimtarëve “Gjakova”, të martën në qendër të qytetit, janë prezantuar dhjetëra fotografi nga masakra të ndryshme në komunën e Gjakovës gjatë viteve 1998 – 1999

“Ky manifestim ka për qëllim të zgjojë vetëdijen e banorëve të Gjakovës që përmes këtyre fotografive t’i nxisim ata për ndryshime pozitive në të gjitha sferat e jetës. Sot kemi familjarë të dëshmorëve, të martirëve e të të zhdukurve, veteran e invalid të luftës që nuk e kanë asnjë cent për të mbijetuar. Kemi njerëz që po luftojnë për mbijetesë. Prandaj është moment i fundit që ne ta ngrisim zërin dhe të vendosim për ndryshime. Në hapje të këtij manifestimi kemi vendosur t’i paraqesim këto foto nga krimet serbe, të cilat fatkeqësisht kanë filluar të harrohen nga qeveritë tona”, ka thënë Mevlyde Saraçi, kryetare e QKPASH “Gjakova”.

Ndryshe, manifestimi ndërkombëtar “100 mijë poetë për ndryshim”, i ka fillet në vitin 2011 dhe ka nisur nga Kalifornia e SHBA-ve, në të cilin kanë marrë pjesë mbi 550 shtete nga e tërë bota. Manifestimi tashmë është shtrirë në shumë shtete të botës dhe varësisht prej problemeve të secilit shtet përkatës, konceptohet edhe mesazhi apo thirrja e artistëve.

“Aty ku ka luftëra bëhet thirrje për paqë dhe liri, aty ku shkelen të drejtat e njeriut mbahen protesta, ndërkaq ne që e realizuam lirinë me gjakun e të rënëve tanë, kemi vendosur që përmes këtyre fotografive tu tregojmë opinionit kombëtar e ndërkombëtar se jemi paqësorë, se ne nuk e harrojmë të kaluarën. Ne nuk hakmerremi por as nuk falim”, ka shtuar më tej Saraçi.

Manifestimi “100 mijë poetë për ndryshim”, që sivjet për herë të parë po mbahet në Kosovë, do të vazhdojë edhe të mërkurën me orën letrare dhe tryezën me moton “Poetët e kombit apelojnë” dhe të mërkurën me filmin dokumentar “Lotët e Lirisë”, kushtuar të gjithë familjeve që më të dashurit e tyre i kanë pasur apo vazhdojnë t’i kenë të zhdukur.