Sunday, April 28, 2024
AktualeGjakova Presss

Vala afrikane e vapës pritet të zbutet

vapa Vala e të nxehtit afrikan ka prekur edhe territorin e komunës sonë duke na sjellë temperatura të larta që sollën telashe shëndetësore për një pjesë të bashkëqytetarëve. Këto temperatura kanë populluar  brigjet e lumenjve, Shkugëzen dhe pishinat ku bashkëqytetarët tanë po kërkojnë freskinë e verës. Anipse ky mot i nxehtë e ka “vaktin” siç thonë të moshuarit, kjo vapë më e bezdisshme po bëhet për më të vegjlit, të moshuarit dhe të sëmurët kronik për çka mjekët rekomandojnë konsumim të sa  më shumë lëngjeve përkatësisht  ujit, ndërsa ushqimi, të jetë i pasur me vitamina, kryesisht  fruta dhe perime të freskëta. Pas disa ditëve me vapë  sipas meteorologëve, sonte gjatë mbrëmjes dhe nesër, nga veriperëndimi mbi rajon do të depërtojë një front i ftohtë, që   do të sjell vranësira, e vende-vende mundësi për riga lokale shiu dhe bubullima.

Një ulje e këtillë e lehtë e temperaturave të ajrit për dy- tri ditët e ardhshme , sigurisht se do të mundësoi një përditshmëri më të përballueshme dhe më pak vizita në institucionet shëndetësore.