Sunday, March 30, 2025
Lajme

Banka Botërore e Austrisë punëtori në Gjakovë

Në Komunën e Gjakovës është mbajtur punëtoria e programit për partneritet urban “Qytete pa korrupsion-Qytete me ardhmëri” e cila organizohet nga Instituti i Bankës Botërore, respektivisht Banka Botërore e Austrisë në bashkëpunim me Fondacionin e Partneritetit nga Rumania. Siç  u bë e ditur nga Ismet Ballazhi, përgjegjës për mbarëvajtjen e këtij procesi, nga Kosova janë përzgjedhur dy komuna, Gjakova dhe Istogu, dhe si projekt do të përmbyllet në fund të këtij viti ku edhe do të sillen përfundimet. Kryetari i komunës, Pal Lekaj, ka falënderuar organizatorët për përzgjedhjen që i është bërë komunës së Gjakovës pas aplikimit për këtë projekt ku nga punëtoria edhe do të dalin sugjerimet dhe rekomandimet gjegjëse për tu shtrirë më pas edhe në mbarë vendin.

“Kemi menduar të aplikojmë për këtë projekt dhe jemi falënderues për përzgjedhjen që na është bërë pasi kemi marrur vlerësime të larta se  në këtë proces mund të ndikojmë për mbarë Republikën e Kosovës, ku në disa institucione ka shenja të korrupsioneve të mundshme dhe qëllimi është shërimi apo mënjanimi i kësaj sëmundjeje” ka pohuar në fjalën e tij kryetari Pal Lekaj. Kryetari Pal Lekaj gjithashtu ka pohuar se kjo do të ndikojë dukshëm në rritjen e efikasitetit në mbarë institucionet vendore si dhe për lehtësira në procedurat burokratike administrative. (Zyra per Informim e KK te Gjakoves)