Sunday, March 30, 2025
Aktuale

Kujtohen njëzet e një dëshmorët dhe nëntë martirët e rënë në Has të Gjakovës

Sesioni shkencor 27 janar 13

Katërmbëdhjetë vjetori i rënies në tri prita në pjesën hasjane të Gjakovës të njëzet e një dëshmorëve dhe nëntë martirëve ka mbledhur të dielën në Gjakovë përplot familjarë dhe përfaqësues institucional që kanë kujtuar dhe nderuar veprën dhe sakrificën me jetë të të rënëve. Pal Lekaj, kryetari i komunës së Gjakovës, e cila komunë bashkë me komunën e Rahovecit dhe Shoqatën e Familjarëve të Dëshmorëve ishin organizatorë  të sesionit shkencor, kumtesat e të cilëve do të botohen në një vepër të posaçme, ka kujtuar ato tre ditë të dhembshme ku humbën jetën ndër luftëtarët më të sprovuar.

“Janari i vitit 1999 ka mbetur prej datave të dhimbshme të luftës ngase kemi humbur luftëtarë të shumtë e të mëdhenj, humbëm drejtues dhe strategë të luftës, porse kjo mbetet një dëshmi e fortë se në asnjë moment UÇK-ja nuk mbeti e heshtur dhe nuk e pranoi dorëzimin. Këta dëshmorë që sot po i kujtojmë dhe gjithë të rënët për liri mbesin moral jo vetëm për atë kohë lufte por edhe për ne sot, ngase kemi çka të kujtojmë dhe për kënd të flasim” ka thënë  Lekaj

Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit ka thënë se lufta çlirimtare ishte pjesë e kthesës së madhe historike dhe i vetmi qëllim ishte lufta çlirimtare e cila vinte jo me lule por me gjak dhe sakrifica.

”Luftëtarët dhe dëshmorët ishin atdhetarë të pafund dhe treguan se kjo tokë nuk mund të ndahej në kufij artificial dhe të shndërrohej në tokmë të djegur dhe se lufta çlirimtare ka qenë mbarëkombëtare ngase gjeografia ishte e gjerë dhe dëshmorët ranë në çdo cep të atdheut” është shprehur  Latifi.

Ndërkaq, Xhavit Jashari, kryetar i SHFD-UÇK ka kërkuar nga çdo individ, parti politike, deputet e nga çdokush tjetër që mos të ndalin shqiptarët në rrugën e tyre për bashkim kombëtar ngase as varri nuk do t’ua mbulojë turpin. “Lufta e UÇK-së jo vetëm e ka hequr robërinë por ka hapur edhe rrugën për bashkim kombëtar të cilën nuk mund ta ndalojë askush” ka thënë Jashari.

Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu pushtimin e Kosovës nga Serbia e ka vlerësuar si koloni e vetme evropiane e shekullit njëzet.

“Derisa edhe në Afrikë po zhbëheshin kolonitë, Kosova ishte koloni e Europës dhe atë e vetmja e shekullit të njëzet” ka pohuar Moisiu i cili më pas ka folur kronologjikisht për peripecitë gjatë shekujve të shqiptarëve, për copëtimin e trojeve në vazhdimësi, për konferencën e ambasadorëve në Londër, duke kujtuar Eduard Grein me thënien e tij të famshme se “ copëtimi i tokave shqiptare ishte i padrejtë porse ishte domosdoshmëri për shkak të paqes në Europë”.

Poashtu, ish presidenti Moisiu ka kujtuar edhe epokën e lavdishme të betejës së shqiptarëve autoktonë në luftën e Kosovës në vitin 1389, pastaj figurën e lavdishme të Skenderbeut dhe data dhe histori tjera për tu ndalur më pas tek zhvillimet e fundit çlirimtare në Kosovë.

E përpos ish presidentit shqiptar, në këtë sesion shkencor, me kumtesat e tyre janë paraqitur edhe ish – eprori gjeneral Kudusi Lame, Muhamet Mala, Emin Kabashi, Afërdita Dervishi, Sulejman Abazi e të tjerë.