Rreth 400 të zhvendosur nga tërmeti në Shqipëri kanë gjet strehim në Gjakovë
Rreth 400 bashkëkombës nga Shqipëria që i goditi tërmeti me 26 Nëntor, kanë ardhë në Gjakovë duke gjet strehim në familjet gjakovare, OJQ-të dhe hotelet e Gjakovës. Kështu ka thënë Kryetari i Këshillit për Veprim Rinor Lokal, Ideal Zhaveli, të enjten me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Vullnetart gjakovarë, të rinj e të moshuar u kanë dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti që nga dita e parë.
“Pas 8 dite, 100 prej tyre tashmë janë kthyer në Durrës dhe qendra tjera nga kishin ardhë, kurse në Gjakovë supozohet se janë nja 300 të strehuar”, ka thënë Zhaveli duke pranuar se këto të dhëna ndryshojnë nga ora në orë.
Zhaveli ka thënë se me një organizim të mirë është arritur që të zhvendosurit të sistemohen nëpër familjet gjakovare, në qytet e fshatra ndërsa fëmijët kanë vazhduar mësimet në shkollat e Gjakovës kurse vogëlushët nëpër kopshte fëmijësh.
Sipas tij këto ditë vullnetarët nuk po ndalen që vëllezërit dhe motrat nga Shqipëria të ndihen sikur në shtëpinë e tyre duke mbledhur ndihma dhe shpërndarë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe organizatat tjera.