Shtabi i Emergjencave për COVID-19: Gjakova pa asnjë të infektuar
Sipas informatës së fundit të Institutit të shëndetit Publik , të gjithë personat e ritestuar nga komuna e Gjakovës kanë dalë negativ ndaj Covid-19. Kjo do të thotë se aktualisht në komunën tonë nuk ka të infektuar.
“Ky është lajm shumë i mirë për Gjakovën dhe të gjitha institucionet dhe individët e përfshirë në menaxhimin e pandemisë, ata meritojnë lëvdata dhe falënderime. Poashtu, të gjithë ish të infektuarit meritojnë falënderim dhe respekt për disiplinën dhe vetëdijen e lartë qytetare që e kanë treguar në mbrojtje të të afërmve dhe bashkëqytetarëve tjerë nga infektimi i mundshëm, ” kështu tha në
mbledhjen e sotme( e merkurë) të rregullt të Shtabit të Emergjencave për COVID-19, kryetari komunës dhe shtabit, Ardian Gjini.
Shtabi i Emergjencave së bashku me Kryetarin Gjini apelojnë tek qytetarët e Gjakovës që të vazhdojnë të respektojnë rregullat, në mënyrë që shumë shpejtë të shpallim fitoren kundër pandemisë. Ndërkohë, edhe Komuna e Gjakovës me të gjitha institucionet relevante do të vazhdojnë bashkëpunimin për ndërmarrjen e të gjitha masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.