Agim JAKA: Njëzet e një shekuj burg për 930 djem të Gjakovës
– Për 930 djem të komunës sonë, të burgosur, të internuar, të vrarë e të likuiduar pa nam e nishan.
– Të gjitha këto krime ndodhën në ish-Jugosllavinë e vëllazërim-bashkimit të “demokratit” Tito.
– Një mijë e dyqind e dyzet e tri vjet burg të dokumentuara.
– Mbi një mijë vjet të tjera kanë mbetur pa u dokumentuar. Arsyet janë nga më të ndryshmet, ndër to kalimi i viteve, mungesa e dokumenteve gjyqësore për shkak të kohës së kaluar, sidomos të atyre nga viti 1913 deri më 1941, kur mungon pjesa më e madhe dëshmive, e dokumenteve të domosdoshme për marrjen e vendimit nga ana e Komisionit shtetëror.
Pas miratimit të Ligjit për të drejtat e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, të atyre që kanë vuajtur dënimet me burg në ish-Jugosllavi, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Shoqata e ish-të dënuarave dhe të përndjekurve politikë e Republikës së Kosovës ua caktoi për detyrë degëve të veta nëpër komuna që të fillojnë me mbledhjen e dokumentacionit me të dhënat e nevojshme mbi dënimet dhe përndjekjet politike të dokumentuara me akte gjyqësore. Kjo detyrë u krye me seriozitet dhe përkushtim nga personat e angazhuar për këtë punë dhe filloi plotësimi i dokumentacionit dhe paraqitja e nënshkrimi i aplikacioneve nga të dënuarit e gjallë ose nga familjarët e atyre që nuk jetojnë më. Për të fituar statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, deri në datën e caktuar si afat të fundit e shfrytëzuan vetëm 599 ish-të dënuar dhe të përndjekur. E thamë vetëm 599, sepse në evidencën e zyrës së degës në Gjakovë janë shënuar emrat e 930 personave të dënuar me afate të ndryshme burgimi dhe 17 persona të pushkatuar.
Ne mendojmë se ky numër është edhe më i madh, si i personave të dënuar me vuajtje burgu, të personave të përndjekur dhe të personave të pushkatuar apo të zhdukur burgjeve.
Personat që punuan në Zyrën e degës së ish-të dënuarve në Gjakovë këto ditë kishin shumë punë, sepse ishin të shumtë ata që vinin me dokumente e pa dokumente për të aplikuar për ta fituar statusin e ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politik. Ndër ta kishte edhe ata që vinin për të aplikuar kush për babanë, për vëllain, për xhaxhain, për burrin. Ishte e rëndë kur vinin nënat të aplikonin për bijtë, të cilët ishin vrarë në mënyrë mizore, sidomos rastet në burgun e Dubravës, të cilët nuk jetojnë më. Kështu, në aplikacione nënshkruanin nënat, bashkëshortet, djemtë, bijat, vëllezërit, mbesat, nipat,… Ndër ta kishte edhe të likuiduar tinëzisht natën, të pushkatuar pa gjyq dhe të hedhur nëpër gropa që nuk i di askush deri sot dhe, me siguri, do të ngelen enigmë e përjetshme dhe peng në zemrat e të dashurve e të familjarëve të tyre. Këta të fundit janë djemtë e pushkatuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe djem dhe burra të pushkatuar a të zhdukur mes dy luftërave botërore.
Vetëm në komunën tonë Zyra ka në evidencë shtatëmbëdhjetë emra të të pushkatuarve apo të vrarëve në mënyrë mizore skaj përrenjve e skutave të errëta, po edhe në burgjet anembanë ish-Jugosllavisë, që ish-Jugosllavia i kishte ngritur fill pas luftës. Për fat të keq bashkekzekutorë në këto likuidime kishte edhe njerëz tanë!
Statusi i ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë u njihet të gjithë atyre që mund ta dëshmojnë se kanë qenë të dënuar ose të përndjekur për arsye politike, duke filluar nga viti 1913, pra nga viti i okupimit të Kosovës nga ushtria serbo-malazeze, pas vendimeve që mori Konferenca e Ambasadorëve në Londër, kur Kosova iu dhurua Serbisë. Këtë dhuratë miqtë e Serbisë ia bënë Serbisë dhe Malit të Zi në dëm të shqiptarëve. Kjo nuk ishte hera e parë që veprohej në këtë mënyrë, duke pasur parasysh se shtetet e tjera të Ballkanit kishin krijuar që më herët shtetet e tyre të pavarura, natyrisht, të ndihmuara nga po këta miq.
Po kjo është e kaluara jonë që nuk mund të përmirësohet dhe nuk është temë e këtij shkrimi. Këtu do të flasim për diçka tjetër – për vuajtjet dhe mizoritë e pushtuesit të ri, i cili menjëherë pas marrjes së miratimit, i mbështetur nga miqtë, ia mësyni tokave shqiptare jo vetëm në Kosovë.
Të tradhtuar nga vendimmarrësit, shqiptarët u ndodhën të papërgatitur dhe të lodhur nga kryengritjet çlirimtare të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit 20-të, prandaj pushtuesi serb i gjeti të rraskapitur, të djegur e me të mbjella të dëmtuara, me bagëti të rrëmbyer, dhe tashti rifilloi nga e para një shkatërrim edhe më i egër.
Fqinjët tanë të deridjeshëm, kurse nga 1913-ta sundimtarët e ardhshëm gati shekullor (1913-1999), ia mësynë me zjarr dhe me hekur e me plumb tokave pjellore të Kosovës e të viseve të tjera, duke u vendosur fillimisht në tokat më të mira, më pjellore të Rrafshit të Dukagjinit e të Fushës së Kosovës, pastaj përreth qyteteve dhe fushave më pjellore në Maqedoni e në Luginën shumë pjellore të Preshevës. Ardhacakët, duke mos pasur ku të banonin, i dëbuan shqiptarët nga shtëpitë duke i ndjekur nën kërcënimin e jetës. Djegiet dhe shkatërrimet e fshatrave dhe qyteteve u bënë për të trembur shqiptarët, që ata të merrnin arratinë, ku kryet këmbët. Dhe kështu ndodhi. Sepse, të rrethuar nga të gjitha anët, qindra e mijëra familje shqiptare nga të gjitha trojet që i ishin falur Serbisë, u nisën vetëm me rrobat e trupit dhe duke tërhequr fëmijët zvarrë, më të vegjlit në djepe apo në krah, dhe me ndonjë strajcë a thes të hedhur mbi shpinë, me gjërat që kishin mundur t’i merrnin gjatë ikjes dhe, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtonin, kaluan kufirin më të ri dhe më të padrejtë të Evropës, kufirin shqiptaro-shqiptar, kufirin që i ndau vëllezërit mes veti, ndau burrin nga gruaja, fëmijën nga prindërit, motrën nga vëllai, kushërinjtë me njëri-tjetrin, ndau përgjysmë fshatrat dhe u krijuan fshatrat siamez, si binjakët!
Kurse në Shqipërinë e mbetur dhe të cunguar u krijuan kolonitë e para të shqiptarëve nga Kosova e viset e tjera. Refugjatë në shtëpinë e vet! Ata edhe sot jetojnë atje, kanë krijuar familjet e tyre dhe kanë pasardhësit, kurse ata që mbetën në Kosovën e robëruar, iu nënshtruan torturave, burgjeve, vrasjeve, mbytjeve me metodat më mizore dhe më të llahtarshme. Me qindra e mijëra u zhdukën pa gjyq, pa nam e pa nishan. Dhe ajo kohë e po ato metoda u përsëritën edhe më të përgjakshme në vitet e nëntëdhjeta, kur makineria serbe me tërë arsenalin e vet ushtarak, njerëzor e antinjerëzor u sul për herë të fundit mbi shqiptarët, këtë herë për t’i hedhur në det që të gjithë dhe për ta zhbërë Kosovën, për ta pastruar nga autoktonët, për t’i shfarosur shqiptarët!.
Nga sa u tha më sipër del se nga komuna jonë kanë vuajtur me dënime burgu djemtë që nuk po pajtoheshin me ripushtimin e Kosovës nga brigadat “partizane”, deri dje çetnike; nuk po pajtoheshin me shkeljen e Rezolutës së Bujanit; nuk po pajtoheshin me vrasjen dhe zhdukjen pa gjyq të mbi 3000 shqiptarëve në Tivar; nuk po pajtoheshin me vendosjen e Regjimit ushtarak sapo u “çlirua” Kosova; nuk po pajtoheshin me zhdukjen tinëzare natën pa gjyq të vëllezërve të tyre; nuk po pajtoheshin me ngjarjet dhe krimet që po bëheshin në Drenicë; nuk po pajtoheshin me gjyqet anembanë Kosovës kundër shqiptarëve…nuk po pajtoheshin me asgjë që po ndodhte në terren, sepse po e shihnin se liria e premtuar nuk kishte ardhur për të gjithë. Jo, sepse liria kishte ardhur vetëm për pushtuesin e 1913-tës! Djemtë tanë e panë se “përrallat” e bukura partizane për lirinë kombëtare, për vetëvendosjen e Kosovës, për jetën në bollëk dhe, pas çlirimit nacional, ngrënien me lugë të arta po i hante përnatë e përditë ujku bashkë me Kësulëkuqet!
Kjo zezonë zgjati 86 vjet nën dhunën serbe, pikërisht deri më 12 qershor 1999, kur të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, të udhëhequr nga burrat e Kosovës, pas një lufte të stërgjatë nëpër burgje, i rrokën armët dhe krijuan UÇK-në dhe bashkë me miqtë ndërkombëtarë ia sollën lirinë e shumëpritur Kosovës, të cilën liri po e gëzojmë sot.
Mungesa e dokumenteve është pasojë e pakujdesisë individuale për ruajtjen e tyre, pasojë e djegies së shumë shtëpive bashkë me dokumentet dhe kujtimet e tjera familjare, pasojë e grabitjes së dokumentacionit nga Serbia dhe, ndoshta, pakujdesisë së pjesshme të institucioneve tona të reja, sidomos pakujdesia e arkivave komunale, arkivave të gjykatave dhe i Arkivit të Shtetit të Republikës së Kosovës, që nuk e kanë azhurnuar dokumentacionin e kësaj natyre.
Me këtë rast zyra në Gjakovë falënderon kujdesin dhe ndihmën që dha Arkivi i Shtetit i Kroacisë, që ka dërguar të gjitha të dhënat për të dënuarit shqiptarë, që kanë vuajtur dënimet me burg në Goli Otok e në burgjet e tjera të Kroacisë, të kërkuara nga pasardhësit e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.
Po ashtu, i lusim të gjithë njerëzit që kanë qoftë dhe vetëm një gjysmë faqe të ndonjë dokumenti të ndonjë gjykate penale, ata që kanë ndonjë shënim a shkrim në gazeta apo libra të kësaj natyre, t’i sjellin në zyrë sa për t’i mbajtur shënim, sepse Dega në Gjakovë e ka në plan të përgatitë një libër me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën e që lidhen me personat e dënuar, të përndjekur dhe të pushkatuar a të zhdukur të komunës sonë.