Friday, March 28, 2025
Intervista

ALBANA E GJAKOVËS NDËR MË TË BUKURAT E GJERMANISË

 

Albana Nocaj, përcjelësja e parë në MISS GJERMANIA 2010

Albana Nocaj

Shqiptarja Albana Nocaj është përcjellësja e parë e Miss Gjermania 2010 që u mbajt kohë më parë në Berlin. Pos bukurisë që magjepsi jurinë e prestigjioze të këtij evenimenti, Albana është një sportiste dhe vallëzuese e shkathët. Dallohet si një trajner e zonja e karatesë, ndërsa studion me sukses Ekonominë.

Bukuroshja Albana Nocaj është vajza që ka lindur para 20 vjetësh  në Gjermani mirëpo ndjehet një vajzë gjakovare dhe kosovare, meqë prindërit e saj Hyseni dhe Ajmonja, kanë jetuar në fshatin Dujakë të Gjakovës. Koha më e bukur brenda vitit është ajo e pushimeve verore zakonisht  kur ajo vjen në Gjakovë, në familjen e prindërve të saj. Këtë verë ajo do të jetë akoma më e gëzuar,  sepse me bashkëvendësit e sajë do të ndajë suksesin e fundit në botën e bukurisë.

 

Meqë e gjithë familja, motrat dhe vëllezërit janë të përfshirë në veprimtarit e modës dhe bukurisë, edhe Albana ndoqi këtë rrugë. Më parë rrezatoi me bukuri duke fituar çmimin  Miss Baden-Ëuerttemberg  në qytetin ku jeton e pastaj suksesshëm konkurroi edhe për Miss Gjermania 2010, në një manifestim zyrtar shtetëror ku morën pjesë në finale 22 bukuroshe nga e mbarë vendi.

Ajo nuk iu frikësua fare kësaj sprove. Kishte besim në bukurinë e shpirtit të sajë që rrezaton mirësi dhe bukuri gjë që organizatorët e spektaklit e hetuan edhe gjatë përgatitjeve.

Qëndrimi në skenë, lëvizjet, koreografia dhe defileu me veshje të ndryshme e bindën plotësisht jurinë për t’ ia ndarë çmimin e përcjellëses së parë të Miss Gjermania 2010.

Ky është një nga sukseset mjaftë të mëdha për vajzat shqiptare që jetojnë në Gjermani meqë është shoqëruesja e parë Miss Gjermanisë e cila vie nga Berlini,  “Miss Berlin” Anne Julia Hagen

Albana në botën e bukurisë me këtë sukses ka hyrë furishëm dhe shpreson se edhe në të ardhmen do të vazhdojë në skenat e bukurisë duke shpalosur para botës bukurinë e femrës shqiptare.

“Albana e ka merituar dhe ka mundur fare lehtë të fitojë kurorën e më të bukurës së Gjermanisë” ishin komentet e gazetave gjermane  pas përfundimit të spektaklit.

Megjithëkëtë Albana   ka shprehë gëzimin  e saj për këtë fitore dhe gjithë suksesin ia ka dedikuar familjes së saj prindërve dhe motrave e vëllezërve të saj.

Para spektaklit për dhjetë ditë ka marrë pjesë  në përgatitje në   “Miss Kampin” në Egjipt, pastaj për shtatë ditë janë përgatitur në  Evropa Rust Park ku u mbajt spektakli qendror. Nga këto përgatitje ajo ka mësuar shumë gjëra të bukura dhe ka përfitua shoqëri të reja të cilat do ti mbesin në kujtim si të paharruara.

Para gazetarëve gjerman ka deklaruar se vjen nga një familje e vyeshme e punëtore shqiptare. Babai  saj ka një kompani ndërtimi në qytetin Tettnang  ku jeton një kohë të gjatë dhe gëzon një respekt të madh. Edhe ajo sikurse motrat dhe vëllezërit i ndihmojnë në biznes babait.

Në anën tjetër Albana është një luftëtare e shkathtë e karatesë. Ka grupin e të rinjve tek të cilët sjellë përvojat e sajë në karate.

Duke shfletuar ueb faqet e internetit ku prezantohet bukuria e Albana Nocaj, lehtë mundë të konstatohet për një vajzë të suksesshme dhe të gjithanshme, në fakultet, punë dhe në spektaklet e bukurisë.

 

 

Albana me bukurosheve fituese: Miss Gjermania 2010 Anne Julia Hagen, Përcjellësja e parë Albana Nocaj dhe përcje. dytë Reingard Hagemann