Binjakëzohen klubet rotariane Gjakovë, Tetovë, Prishtinë e Keyston
Rrjeti rotarian gjithandej botës është mjaft aktiv ndërkohë që Klubi rotarian Gjakova ka nisur rrugëtimin në mbështetje të komunitetit që në Qershor të vitit 2000 duke shënuar themelimin e klubit të parë në Kosovë. Pikërisht ky klub gjakovar është promotor edhe i bashkëpunimeve të reja. Të hënën në mbrëmje ka organizuar ceremoninë e binjakëzimit me klubet rotariane, Dardania të Prishtinës, klubin rotarian të Tetovës dhe Klubin Rotarian Keystone Distrikti 7 mijë e 280.
Blendi Bardhi kryetar i klubit Rotarian Gjakova me këtë rast ka përmendur arritjet e këtij klubi në mbështetje të komunitetit në Gjakovë dhe komunat përreth me pajisje shëndetësore për institucionet shëndetësore , me kompjuterë për nxënësit e shkollave, pajisje për zjarrfikësit e regjionit e të tjera ndihma. Pasi është nënshkruar solemnisht akti i binjakëzimit, kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila ka përgëzuar rotarianët për aktivitetet e zhvilluara ndërsa ka uruar një bashkëpunim të mirëfilltë mes klubeve të binjakëzuara .
Solemnitetin e binjakëzimit e ka shoqëruar diskutimi për idetë dhe format konkrete të bashkëpunimit për të cilat folën drejtuesit e klubeve mike, Mazllum Belegu nga Dardania Prishtinë, Argjent Imeri nga Tetova dhe Hektor Binishi nga klubi më i ri rotarian Keystone në SHBA.