Monday, April 15, 2024
Sporti

Çarqe të caktuara kundër Vëllaznimit

Kryesia e K.F.”Vëllaznimi”, në mbledhjen e vetë të jashtëzakonshme të mbajtur më 12.05.2013, edhe një herë ka analizuar rrjedhat aktuale në futbollin kosovar me theks të posaçëm me atë që ndodhi gjatë ndeshjen Drenica-Vëllaznimi dhe vendosi të dal me këtë komunikatë.
Para pak më tepër se dy javë, kemi bërë një ‘REAGIM PUBLIK” ku kemi shpreh dyshimet se çarqe të caktuara të futbollit kosovar janë duke punuar në mënyrë të organizuar kundër Klubit tonë. Ngjarjet që pasuan pas atij reagimi, e posaçërisht ato në ndeshjen Drenica-Vëllaznimi, na bindën se kishim të drejtë. Shumë detaje që ndodhën para dhe gjatë kësaj ndeshjeje, na japin të drejtë të konstatojmë se çdo gjë ishte parapërgatitur me herët, ndërsa kishte ngelë vetëm që ky skenar të realizohet në terren.
1. Për ta drejtuar këtë ndeshje shumë të rëndësishme ishte caktuar një gjyqtar i ri dhe pa përvojë, Genc Nuza, i cili në shumë ndeshje paraprake është dëshmuar se është kundër klubit tonë. Vetëm në dy ndeshje (me Ferronikelin dhe me Trepçën) ai ka ndëshkuar futbollistët tanë me 12 karton (11 të verdh dhe një të kuq), ndërsa dje, pos që na dëmtoi në mënyrë drastike në disa raste, e provokoi edhe ndërprerjen e ndeshjes në Skenderaj. Ndihmës i tij ishte caktuar Jakup Musolli, i cili 10 ditë më herët pati probleme në Gjakovë dhe hakmarrja e tij ishte e kuptueshme!
2. Në dy prej këtyre tri ndeshjeve, rastësisht apo me qëllim, vëzhgues është caktuar Agim Hasani, zaten i njohur prej kohës kur si vëzhgues në Ligën e Parë të Kosovës ishte iniciator i ndërprerjes së disa ndeshjeve me skenar të parapërgatitur. Çuditërisht, në 7 ndeshjet tona të fundit, ky person caktohet vëzhgues madje në 4 ndeshje, thuajse nuk ka vëzhgues tjetër!
3. I njëjti, edhe dje e morri rolin përcaktues për ndërprerjen e ndeshjes, dhe pasi që u “konsultua” me “mysafirin” e paftuar në bankinën e tij, me nënkryetarin e FFK-s, Haxhiun, e urdhëroi gjyqtarin që të ndërpres ndeshjen, çka ky i dyti edhe e zbatoi!
4. Për ne është e pashpjegueshme se çka kërkon nënkryetari i FFK-s në bankinën e vëzhguesit dhe si ndodhi që kur Drenica barazoi rezultatin, autori i golit (Shkupolli), vjen e përshëndetët me nënkryetarin e FFK-s! A nuk flet kjo më shumë se çdo paragjykim tjetër? Para ndeshjes, i njëjti (nënkryetari i FFK-s) i është drejtuar përfaqësuesit zyrtar të Klubit tonë me fjalët se “Sot mund të fitoni vetëm nëse jeni jashtëtokësor”! Nga ana tjetër, vëllai i tij, në mënyrë të pakuptueshme konfrontohet me menaxherin dhe futbollistët e Klubit tonë!
5. Nuk dëshirojmë të arsyetojmë veprimin e futbollistit tonë Dervishi, por kushdo që ishte prezent në stadium, e ka pasur të qartë se sjellja e tij nuk ishte e atillë që domosdo të ndërpritet ndeshja, pasi do të mjaftonte edhe kartoni i kuq më të cilin ai u ndëshkua. Fatkeqësisht për këtë nuk patën rast të binden edhe opinioni i gjerë kosovar, pasi kompania televizive që e ka fituar të drejtën e transmetimeve, nuk e pa të udhës të transmetoi këtë ndeshje edhe pse epilogu i saj ishte tejet i rëndësishëm për të dy palët!
6. Për të qenë edhe më e çuditshme, në kohën kur shumë javë më parë ka filluar që dy kandidatët për titull (Prishtina e Trepça’89) t’i zhvillojnë ndeshjet njëkohësisht, dje, konkurrenti tjetër në luftë për ekzistencë, ndeshjen e vetë e fillon 1 orë më vonë!
7. Këto dhe shumë raste të tjera që kanë ndodhur më parë në dëm tonin, e të cilat i kemi potencuar në reagimin paraprak (kriteret jo të barabarta të komisioneve të FFK-s, në ndërmarrjen e masave ndaj nesh) na kanë bindur se pjesëmarrja e jonë në garat e sivjetme ka qenë plotësisht e paarsyeshme, pasi një grup klubesh, gjyqtarësh dhe anëtarësh të komisioneve të FFK-s, paraprakisht e kishin gjykuar fatin tonë. Tash e kemi të qartë pse disa trajner të njohur kanë hezituar të marrin drejtimin e klubit tonë, duke na thënë se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e një dështimi të parapërgatitur!
8. Për shkak të gjitha këtyre, seriozisht kemi menduar që të tërhiqemi plotësisht nga garat. Por, për shkak të respektit që kemi ndaj imazhit të futbollit tonë në vend dhe jashtë vendit dhe ndaj atyre klubeve dhe individëve që kanë sjellje sportive dhe korrekte (siç kishin dje futbollistët e Drenicës) kemi vendos që të vazhdojmë garat, pavarësisht se, duket qartë, që ata që janë të “përkushtuar” kundër nesh, janë më të fortë se na! Urojmë që këtë, kështu, ta kuptojnë edhe simpatizuesit tanë të shumtë dhe besnik, por kjo nuk është e sigurt!
9. Me këtë reagim nuk dëshirojmë t’i mbulojmë dobësitë tona, por, ato, kurrsesi nuk i japin të drejtë askujt (gjyqtarëve, klubeve apo anëtarëve të komisioneve) që padrejtësisht të veprojnë kundër nesh, sepse dobësitë tona janë problem i yni dhe jo i atyre.
 
Me respekt,
Për Kryesinë e K.F.”Vëllaznimi”
Kryetari, AGIM KOCI, d.v.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *