Ekonomia gjakovare me probleme
Ecuritë e pavolitshme ekonomike bashkë me mosdefenimin e statusit të Ndërmarrjeve Shoqërore e kanë shoqëruar komunën e Gjakovës edhe gjatë vitit të shkuar, ndërkohë që drejtues të ekonomisë gjakovare thonë se përpjekjet e Kuvendit Komunal kryesisht ishin të fokusuara në investimet kapitale të cilat janë vlerësuar si parakusht i zhvillimit ekonomik.
Dikur qytet industrial me një ekonomi të zhvilluar dhe një shkallë të lartë të punësimit, Gjakova sot po përballet me sfidat e kohës .
Shpëtim Rezniqi, drejtor i Drejtorisë të Zhvillimit Ekonomik thotë se Komuna e Gjakovës për investitorët ofron kushte optimale duke u bazuar ne krijimin e sigurisë, korrektësisë si dhe transparence dhe gjithmonë është treguar e gatshme për partneritet. Gjakova disponon me potenciale kadrovike e teknike të hapësirave për zhvillim biznesi, por shumë ndërmarrje shoqërore nuk e kanë të zgjidhur statusin e vet ndërsa politikat kreditore janë të disfavorshme për bizneset . Sipas tij, pos potencialeve kadrovike dhe traditës për punën, Gjakova ka në dispozicion rreth 60 mijë metra katror hapësira për zhvillimin e biznesit, mirëpo mosdefinimi i statusit të ndërmarrjeve shoqërore ka sjellë pasoja të mëdha që janë reflektuar me shkatërrimin e ndërmarrjeve e që më së rëndi është reflektuar në industrinë tekstile, Emin Duraku, atë Metalike “Metaliku” e më pak tek KBI “Ereniku”.
Në anën tjetër Rezniqi ka shprehë edhe shqetësimet e tij rreth rezultateve të arritura me disa ndërmarrje të privatizuara. Ai e konsideron procesin e Privatizimit në Kosovë si të dështuar.
“Procesi i Privatizimit ka qenë i dëmshëm për tërë ekonominë e Kosovës e me këtë edhe për ne. Sa i përket Ekonomisë së Gjakovës procesi i privatizimit ka qenë i dëmshëm duke filluar që nga ish AKM-ja e tash edhe AKP-ja. Telashet kanë filluar së pari me mosnjohjen e statusit të ndërmarrjeve . Ato konsiderohen të jenë shoqëri Aksionare. Ne si Komunë i kemi kryer të gjitha procedurat për këto ndërmarrje. Mirëpo tek ish menaxhmenti i AKM-se nuk janë përfillur kërkesat tona ligjore, andaj unë konsideroj se Procesi i Privatizimit në Kosovë ka dështuar” ka përfunduar Rezniqi.(z.v)