FLAKA PRUTHI- notare që po shkëlqen
Edhepse ka lindur, jeton, shkollohet dhe bënë përpjekje të bëhet një notuese kampione në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinës, Flaka Pruthi, 16 vjeçare, ndjehet një gjakovare që dëshiron ta vazhdoi traditën e suksesshme të sportistëve gjakovarë. Në zemër e ka notin, këtë sport që dikur ka qenë shumë i popullarizuar në qytetin e Gjakovës, falë lumenjve Erenikut, Drinit e tj. Këtë dashuri për këtë sport, Flaka e ka marrë nga familja e sajë që vjen pikërisht nga qyteti rrëzë Çabratit. Flaka ka arritur të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në garat Olimpike evropiane në Baku 2015. Ky ishte shkas që të bisedojmë me Flakën.
Si I përjetuat këto gara që ishin të parat për shtetin e Kosovës të pranuar në komitetin olimpik ndërkombëtarë?
Përjetimi në këto gara ishte i veçantë duke pas parasysh që pas shumë e shumë vitesh shtetit tonë ju hapen dyert në arenat ndërkombëtare në sport. Duke e ditur faktin që ne jemi të parët që thyem këtë akull me të vërtetë është shumë emocionues ky fakt.
Rezultatet që arritët nuk ishin edhe aq të mira?!
Përkundrazi, rezultatet ishin shumë të mira duke pas parasysh faktin që dy muaj para lojërave ne kemi ushtruar në pishina 14 metërshe, që d.m.th. kushtet dhe infrastruktura në shtetin tonë me shtetet tjera nuk krahasohen. Pasi që arrita ta lë mbrapa notaren nga Maqedonia, kjo për mua do të thotë sukses duke mos harruat edhe mungesën e eksperiencës.
Patët rastin të shihni moshataret tuaja nga vendet e ndryshme. Si qëndrojnë notuesit kosovarë me talent e përgatitje ndaj atyre që shënuan suksese në këtë olimpiadë.
Sa i përket talentit të notareve kosovare në krahasim me notaret tjerë nga vendet e ndryshme mund të them me përgjegjësi se jemi në të njëjtin nivel, mirëpo, siç e ceka edhe me lartë, rol të veçantë luajnë kushtet të cilat na ofrohen dhe infrastruktura, të cilat nuk krahasohen me asnjë shtet në rajon e lëre më në Evropë.
Në cilat gara more pjesë dhe cilat ishin rezultatet?
Unë kam marrë pjesë në tri disiplina dhe atë: 50 metra (m), stil i lirë në të cilën dola e parafundit me kohen 00.29:99, pastaj 50 m stil shpine në të cilën dola e parafundit me kohen 00.33:49 ( për 6 të qindtat nuk arrita që ta thyej rekordin kosovar të senioreve), dhe 100 m stil shpine me kohen 1.14:13 në të cilën dola e parafundit duke e mundur notaren nga Maqedonia
Sa janë të dobishme këto gara ndërkombëtare?
Për mua kanë qenë shumë të dobishme pasi që morëm një eksperiencë të madhe, duke u ballafaquar me notaret tjera te Evropës dhe këtë eksperiencë do ta bartim në kampionatet tjera në të cilat do të marrim pjesë si dhe do ti bartim tek notaret më të rinj këto eksperienca
Si ju duk Baku, patet rastin ta vizitoni?
Baku ishte një qytet i madh dhe me një infrastrukturë shume të mirë. Kultura e tyre ngjasonte shumë me kulturën e Turqisë, njerëzit ishin shumë të shoqërueshëm dhe ishin shumë mikpritës.
E tash ti kthehemi karrierës sate si notare. Pse e zgjodhe notin si sport?
Qysh në moshë të vogël e kam dashur shumë ujin. Në pushime gjatë verës kur zgjohesha e deri sa të perëndonte dielli unë isha tërë kohën në ujë. Personi i cili zbuloj talentin tim ishte Babi i cili më mësoj hapat e parë të notit por dua të them qe ai më shtyu që të provoj nganjëherë edhe kërcimet prej së larti dhe qysh atëherë mua më ka lindur dashuria për këtë sport.
Si ishin fillimet tuaja në garat e notit?
Fillimet e mia në not ishin tepër të mira, pasi që kur fillova me ushtrime pas dy muajsh morëm pjesë në garat qe mbaheshin në Shqipëri, dhe aty tregova talentin tim ku dola e para nder fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës.
Cilat shin sukseset e para?
Pikërisht këto gara në Shqipëri ishin sukseset e para dhe në kampionatin e Kosovës ku u rendita e para në kategorinë e Fatosave.
Cilat gara i veçoni si më të rëndësishmet në karrierën tënde?
Secila garë ka rëndësinë e vet, por do të theksoja se garat e mbajtura në Shkup në vitin 2013 më kanë lënë mbresa për faktin se në një konkurrencë të fortë kam arritur që të dal e para në 5 disiplina, ku në njërën prej tyre kam lënë mbas edhe dy notare nga Serbia. Po ashtu vlen të ceken edhe garat e mbajtura në Kroaci, Slloveni, Bosnje, Mal te Zi, Turqi, ku nga të gjitha këto gara kam arritur që të stolisem me Medalje.
Çka duhet të ketë(aftësitë) një notare e suksesshme?
Që të jesh një notare e suksesshme përveç talentit duhet të kesh dashuri dhe përkushtim të madh për notin.
Sa je e përkushtuar për notin dhe sa kohë kalon në ushtrime?
Përkushtimi im për notin është tejet i madh, sepse gjatë tërë vitit unë jam në ushtrime e sidomos gjatë pushimeve unë ushtroj edhe deri në tre herë në ditë. Paradite jam së paku dy orë në pishinë, gjatë drekës jam në palestër dhe mbase dite prapë i kthehem pishinës edhe për dy orë të tjera. Kështu që shikuar në përgjithësi unë për të mbajtur formën e duhur pothuajse nuk kam fare kohë të lirë.
A ka Kosova kushte të volitshme për rezultate kulminante?
Kosova deri me sivjet nuk ka pasur kushte as elementare për të zhvilluar sportin e notit e lëre më që të mendojmë për rezultatet kulminante. Por falë iniciatives private tash kemi dy pishina gjysmëolimpike në Prishtinë dhe një në Gjakovë, në të cilat mund të ushtrojnë notaret gjatë tërë vitit. Dhe me përkushtim dhe përkrahje nga Shteti mendoj që në vitet në vijim edhe ne do të arrijmë rezultatet kulminante.
Kujt ia dedikoni sukseset e deritashme?
Sukseset e deritashme pa mëdyshje qe se pari ja dedikoj prindërve të mi si dhe trajnerëve duke mos harruar që dedikim i veçantë është për shtetin tonë- Kosovën.
Jeni nxënëse e shkollës së mesme dhe sa ju arrini të mbani suksese të mira edhe në mësime?
Pa mëdyshje që shkolla për mua është prioritare. Për të arritur suksese të mira edhe në shkollë por edhe në not më duhet që të punojë jashtëzakonisht shumë, ndodhë që shpesh, gjatë vitit shkollor të punojë edhe deri në orët e vona të natës.
Sa jeni e lidhur me Gjakovën dhe a vini shpesh?
Jam shume e lidhur me Gjakovën pasi qe familja ime është gjakovare dhe kemi shtëpinë në Gjakovë unë jam e lidhur shumë me qytetin tim të prejardhjes. Sa herë që kam kohë të lirë unë jam në Gjakovë ku edhe kam shoqe dhe shokë.
Çka i këshillon notueset e reja që e donë këtë sport?
Unë notueset e reja i këshilloje që të merren me përkushtim me këtë sport i cili përveç shëndetit të jep mundësi të madhe që të udhëtosh shumë dhe të njihesh me njerëz dhe kultura të ndryshme në mbarë botën.*(Gjakovaprss.info)