Friday, March 29, 2024
Gjakova PresssLajmet e shpejta

Gjakova dhe kantone te Baselit bashkëpunime të dyanshme në veçanti në fushën e arkivit

Prej 19 deri më 21 nëntor 2018  një delegacion nga komuna e Gjakovës zhvilloi  disa takime në dy kantonet te Baselit të Zvicrës ku fokus i bisedimeve ishin bashkëpunimet e mëtutjeshme në veçanti në fushën e arkivit.

Delegacion nga Komuna e Gjakovës, ishte i përbërë nga z. Ramadan Hoti, nën-kryetar i komunës, nga Valdrin Shehu, drejtor regjional i Arkivit të Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës, Arber Gola, udhëheqës i zyrës së Integrimeve Evropiane, Skënder Nikoliqi, Drejtor i Bordit të ABSM (qendra për arsimim dhe këshillim) në Basel, Vjosa Meqa, administratore në ABSM. 

Në ditën e parë, në një nga sallat e Arkivit Qendror të Baselit, delegacioni nga  Kosova u prit nga drejtoresha e Arkivës në Liestal, Baselland, znj. Regula Nebiker. Vlen të theksohet se arkivi i Basellandit, ka rreth 21 km dokumente arkivore.

Pasi hapi takimin, z. Nikoliqi prezantoi anëtarët e delegacionit dhe falënderoi znj. Regula Nebiker, drejtore e arkivave të kantonit të Baselland dhe këshilltarja (Stadrätin) e qytetit të Listalit, për angazhimin e saj personal dhe institucional për organizimin e kësaj vizite dhe të takimit të parë. Hoti, po ashtu, si nën-kryetar, e falënderoi znj. Regula Nebiker, që, edhe pse e kishte ditë pushimi mundësoi takimin, duke e vlerësuar si një shprehje të re të ndihmesës së madhe,  të vyer e të vazhdueshme të  shtetit të Zvicrës për përkrahjen e formimit të shtetit të Kosovës. Valdrin Shehu informoi për organizimin e strukturave, të veprimtarive dhe të kushteve të punës në arkivin shtetëror të Kosovës dhe të Gjakovës. Nga ana e saj, znj.Nebiker, pasi vlerësoi se arkivat janë identiteti i një vendi, shpjegoi se si funksionojnë administratat dhe strukturat e tjera të arkivave në Zvicër. Ajo theksoi si një detaj domethënës se ato janë në objekte të mirëmbajtura dhe me kushte optimale për dokumentacionin, edhe pse në arkivat e Liestal punojnë vetëm 8-9 persona. Nebiker u ndal më gjatë, sidomos në nevojën e realizimit sa më të shpejtë e modern të digjitalizimit, që sjell ruajtjen afatgjatë të dokumenteve dhe mundësi më të mëdha për t’i kërkuar, gjetur dhe shfrytëzuar  ato sa më shpejt  e më lehtë.

Po ashtu, digjitalizimi u vjen në ndihmë njerëzve, që kanë pasion dhe ambicie për studime më të thella të gjejnë nëpërmjet kërkimeve online ato që dëshirojnë, sado të vjetra me shekuj të jenë, si p.sh libra historikë, fotografi, harta historike dhe libra kishtare, etj.

Sipas Znj. Nebiker nuk është e këshillueshme  që dokumentet e vjetra të blihen nga njerëzit privatë, edhe pse ligji nuk e ndalon. Nga ana tjetër ajo këshilloi që arkivi i Gjakovës të jetë më kërkues dhe të ketë mundësi financiare në rritje për të pasuruar fondet e saj me dokumente të rëndësishme e me vlera nga personat privatë, që i kanë si trashëgimi familjare apo nga burime të tjera. Arber Gola e mbylli takimin e parë  me një prezantim të përgatitur në Power Point rreth karakteristikave dhe traditave kryesore të regjionit të Gjakovës dhe mundësit e të bërit biznes në këtë regjionin.

 

Në mëngjesin e ditës se dyte, më 20.11.2018, ishte një takim shumë i frytshëm me ish kryetarin e Bazelit z. Dr. Hans Martin Tschudi . Në këtë takim u theksua shembulli i qytetit të Baselit për bashkëpunimin e tij me shtetet tjera ndërkufitare. Një shembull i mirë i bashkëpunimit u tregua nga z. Tschudi për aeroportin e Baselit i cili funksionon në tokë të Francës. Për më tepër z.Tschudi e këshillojë delegacionin që te kenë sa më shumë bashkëpunime ndërkufitare për të mirën e qytetit te Gjakovës.

Më së shumti iu kushtua vizitave nëpër ambientet e objektit të vjetër të arkivit të Bazelit, znj. Esther Baur, drejtore e arkivave të kantonit të Baselit u tregoi mysafirëve nga Gjakova se si do të jetë struktura e dhomave të objektit të ri të arkivit. Përveç mjediseve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e dokumenteve, arkivi ri do të ketë edhe salla e dhoma për seminare, lexim, kafe, për dëgjimin dhe shikimin e videove apo të regjistrimeve zanore, sallën e librarisë, e tj.

Znj. Baur e vlerësoi si shumë të rëndësishme që të përdoren të dyja sistemet e arkivimit dhe të shfrytëzimit, si ajo analoge dhe ajo digjitale. Në të njëjtën kohe ajo këshilloi që arkivat shtetërore të jenë të hapura në drejtim të qytetarëve dhe studiuesve, por edhe të kenë mbrojtjen e duhur të të dhënave dhe të personave, që kanë të bëjnë me ato.

Valdrin Shehu, tregoi objektivat dhe synimet e arkivit të komunës së Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës për vitet e ardhshme, duke vlerësuar si ndër më të rëndësishmit mbledhjen e sa më shumë materialeve me vlera kulturore dhe historike dhe sigurimin e  financimeve për objektin e ri të arkivave të komunës së Gjakovës.

Drejtuesi në sektorin e IT-së, përgjegjës për të realizuar projektin e sistemin digjital tërësor të arkivave, tha se slogani i tij është :“Çdo gjë që mund të digjitalizohet duhet dhe do të digjitalizohet, e gjitha!“ Drejtuesi i laboratorit të digjitalizimit tregoi konkretisht se si bëhet digjitalizimi i një libri të vjetër, p.sh libri i ligjeve të vitit 1912, me një skaner shumë profesional, me qartësi të lartë të fotografisë. Ai po ashtu tregoi për katalogun online të dokumenteve të digjitalizuara, i cili është i qasshëm për të gjithë, ai theksoi se për siguri dhe privatësi, disa dokumente nuk publikohen online, por janë  në dispozicion vetëm për përdorim të brendshëm të arkivit shtetëror.

Në ditën e tretë delegacioni zhvilloi një takim me z.  Josias Planta, drejtor i sektorit për punë të jashtme në Basel. Ai i informoi mysafirët nga Kosova për binjakëzimet që qyteti i Baselit ka me qytete nga vende të tjera, me fokus kryesor kulturën, artin, arsimin, mjekësinë, etj. Ai vuri në dukje shumë pika lidhëse në mes Komunës së Gjakovës dhe Baselit, përfshirë edhe mes arkivave të dy  qyteteve, por që duhen konkretizuar sa më shumë e më mirë,  për një bashkëpunim sa më të frytshëm për të dy palët. Dëshira e të dy palëve ishte që takimet dhe vizitat e kësaj natyre të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim që arkivi i regjionit të Gjakovës, ose projekte të tjera të natyrave të ndryshme, të jetë i një standardi modern, bashkëkohor e lehtësisht funksional për qytetarët dhe studiuesit.

Për të gjitha takimet e lartpërmendura urë lidhëse ka qenë ABSM ( qendra për arsimim dhe këshillim) dhe GjakovaBasel të cilët gjithmonë do të vazhdojnë të përkrahin iniciativa të tilla për zhvillimin dhe realizimin e projekteve të ndryshme.

Nga Vjosa Meqa, Basel

ABSM dhe GjakovaBasel

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *