Monday, March 25, 2024
FejtoneGjakova Presss

Gjakovës me nostalgji: Kur vjen pranvera…

Shkruan: SAMILE SEFA- HARAÇIA, Profesoreshë

Samile HaraciaVendet që e duan civilizimin , trashëgimisë kulturore i kushtojnë kujdesin e duhur. Kushdo që ra kalimthi , apo qëndroi një kohë në Gjakovë, pa një qytet me shtëpi të ulëta; gati të veçantë për kulturën, edukatën , intelektin; me burra patriotë e gra punëtore, bujarë e fisnikë; tregtarë e nikoqirë; fëmijë e të rinj të shëndetshëm e të bukur.

Flas në të tashmen mbase shprehem më mirë

Është pranverë. Gratë tona , sa i kushtojnë pastërtisë së shtëpive , oborreve, bashkë me burra , aq bëjnë për sokakët. Mëngjes- mëngjes, herët, pa lindur dielli, gëlqerosin muret e sokakëve, sado të larta qofshin. Merren me barin që fillon prej murit deri te kalldrëmi. Rrugët tona janë të ngushta , thuajse duan të të marrin në përqafim, qofsh vendës i larguar për një kohë , apo jabanxhi. Nuk janë rrugë të sheshta si të Tiranës që të presin krah hapur. E, shtëpitë i kemi si të Tiranës, me qerpiç, të ulëta, të bukura, të bardha. Shtëpi pa suva nuk gjen. Sokak më sokak pastërti e madhe. Nuk mendohet të hedh kush mbeturinat në rrugë. Krye çdo rruge : blinj, akacie të bardha e të verdha; lisa, gështenja të egra. Në secilin oborr një apo dy mana të mëdhënj. Aromat e këtyre mishërohen me ato të luleve në parqet e qytetit dhe luleve të oborreve. Kjo livandë të rrit jetën.

Dy lisat e moçëm para shtëpisë së xha Lolit i duam  sepse e duam shumë xha Lolin dhe ai neve. Në vjeshtë , kur gjethet bëjnë punën e tyre, dalin në shësh çerdhe këmbëgjatësh, dallëndyshesh, harabelash, kumrish, mëllenjash dhe ne :-“ Ku do të lozim sot?”-Te lisat, se pimë ujë pusi me kovë të xha Loli”. Nganjëherë barin rreth pusit batak e bëjmë. Xha Loli në vend se të na qortojë, na lëshon një shikim skofiar dhe ne të turpëruar dalim duke mërmëruar “faleminderit”, ose “- na fal Xha Loli se e katranosëm fare”. Ikim nga lisat dhe në Bahçen e Trëndafilave të Egër. Aq kënaqësi na sjell të gjithëve edhe  Bahçja e Kurt Pashës …

Qëkur oborrët tona ishin uh-aa, sa të mëdha . Këto oborre i kemi të lidhura me deriçka. S’ke nevojë të sillesh rreth lagjes. Duam të vemi te Nandaja. Hymë te Tafa i Aliagës , njerëz bujarë e fisnikë. Përbihemi nëpër deriçkë dhe hopa te dajallarët. Na pret Vija e Mullirit! Ç’qejf që bëjmë ne këtu! Kur nuk gjejmë njeri në oborr, mëshehtas nëpër deriçkë, hë, te mësuesja, zusha EMINE SHEHDULA-GJAKOVA. Verës ajo rri nën hijen e fikut, lexon. Ne e sodisim fshehur nën sheboja, zymbyla apo zambakë. Poçese aroma na i gudulis hundët, e teshtira na tradhton dhe ne dalim në shesh…

Pasi përfundon lyerja e mureve të sokakëve, oborreve, bahçeve, kopshteve, vreshtave me gëlqere, qyteti ynë i ngjan një saraji të madh, sepse dy aroma mbretërojnë : e luleve, e drunjve dhe e qereçit.

Me syrin e parë të pranverës, pas sokakëve, gra e vajza të rritura bëjnë larje –lyrjen e shtëpive. Shtëpia tundet e lëkundet cep më cep. Të gjitha gjërat, shtrojë e  mbulojë , dyer e dritare nxirren në oborr. Fillojnë me raftet: rreth e rreth sahanë bakri me kapak e pa kapak. Gota me qafe e pa qafë; me brerore e pa brerore. Kunguj të vegjël e të mëdhenj uji e rakie për dasmat tona të njohura. Tepsi tavash, tespiçesh, burekësh, hasudesh e bakllavash. Të bakërtat i lajmë me pluhur tjegullash e pastaj llamburitja e tyre i jep bukuri raftit, dyshemesë e tavanit të larë me rërë e gëlqere që bëhen limon e shkuar limonit.

Bardhësia e mureve, të të gjitha dhomave, të gëlqerosura , të kënaqë syrin, kur divaneve hapen anie e jastuqe cohe, o , kadifeje, deri në gjysmë mbuluar me  batist si të perdeve, të bardha dëborë. Batisti qëndiset me muline ngjyrash të zgjedhura, fije për fije , si të jetë kanavacë , me vesh qershizash. Në të gjitha shtëpitë e qytetit i gjen të qëndisura; me dantella( si në shtëpinë muze), o, i gavrojnë.  Këto tri modele shihen të shumtën në shtëpitë tona dhe kryesisht tri ngjyra të kadifesë: shumicën e shtëpive vishnja ose alli, tek tuk jeshile, rrallë çiviti. Hapet qilimi njëtenësh i punuar në Pejë me porosi (si në shtëpinë muze). Janë të njohura gratë e Gjakovës dhe të Pejës: të parat për pëlhura mëndafshi ; për qëndisma me kllapodan, fije tehrie e muline; për pëlhura bohasie; dhe të gavruarat e avlëmendi i grave të Pejës. Nikoqire që ç’të them.

Çdo stinë , nga pranvera deri në dimër , është fort e bukur  e këndshme, këtu në qytetin tonë. Nuk ka shtëpi pa ahur ku mbajmë një , dy lopë me viça, tri- katër buallica; ndonjë dhi të bardhë, të kuqe me topa, apo tufa të pafund delesh që herë-herë iu prin dashi gozhdak. Kështu që plehun e mbajmë në fund të oborrit. Nën pleh fusim mbeturina ushqimesh. Në pranverë e hapim vreshtave, arave, bashqeve,  kopshteve. Ose na bëhet se kundërmimi i plehut nuk është i padurueshëm , ose jemi mësuar dhe nuk na pengon se, në plehra hedhim edhe mbeturinat e rrushit në vjeshtë… Disa herë brenda vitit e bartim të tërin. Kur afrohen ditë dasmash pastrohet vendi i tëri dhe gëlqeroset. Dasmat i bëjmë në oborr. Shtëpitë nuk na mjaftojnë. Në kohë dasmash, nën hijen e manave hapim rrogozat. Mbi ta qilima të vjetër, sofrabezet dhe sofrën dykapakëshe. Të ulur rreth sofrës, në gjunjë,  sodisim Çabratin si në pëllëmbë të dorës, simbolin e këngës, gëzimit.

Pranvera te ne i mbush jetë dy Vijat e Ujit dhe katër lumenjtë. Kemi si të thuash “qymyrin e bardhë”. Para se të fillojë shkrirja e dëborës maleve, burra e gra pastrojnë shtratin e Vijës së Ujit se , Vija e Mullirit ka ujë verë e dimër. Mbeturina nuk hedhim në ujëra. Brigjeve të Krenës,Vijës së Mullirit ka ujë verë e dimër, ke gjelbërim sa ta dojë kokrra e syrit. Pastërtia, gjelbërimi, bukuria të përcjellin deri te parqet e qytetit, që sheshit i japin pejzash përrallor. Fëmijët i ruajnë muret e parqeve “të ndërtuara” me mana trupvegjël, kokërrkuq e kokërrzinj. Majat e degëve, nga kokrrat e ngarkuara, prekin tokën. “-Dëgjo këtu, është turp i madh të dëmtosh manat, o, lulet në parqe!-prindërit këshillojnë fëmijët.

-O, Ba, ç’ke ti, i kam merak vetë unë!”- ishte përgjigja që mbahej si vath në vesh…

Portat e hyrjes në të dy parqet janë të veshura më trëndafila zgjatës. Njerëzit kur duan ta bëjnë me dije njëri tjetrin se ku ndodhen: “-Te porta e trëndafilave të kuq , të bardhë…

”Brënda parkut freski e madhe ditëve me vapë dhe zabel lulesh të ulëta e të gjata. Radhazi vijnë togje manushaqesh,  shebojash; prapa stolave lule shpata; borzilik; aguliqe, lulevath, lule bletë (ne i themi milcë). Zymbyla Shkodre e zambakë. Lulevilat janë bërë njësh me lulezonjat. Vazhdon radha e lulenuseve e luleve e luleve…. Ulemi në stola druri për pak çaste dhe shijojmë aromën e luleve derisa mbarojmë së ngrëni akulloren. Ngrihemi dhe shpejtojmë  këmbësores mbuluar me kurora pishash deri te hyrja në bibliotekë. Një ndërtesë e vjetër përdhese dëng me libra. Parku i bibliotekës nuk ka as lule , as pisha  e stola më shumë se ai në rrugë për gjimnaz. Pastërti e freski parajse.

Prilli e maji shënojnë kulmin e lulëzimit në bahçe, parqe, kopshte. Ta paramendosh një qytet me tri parqe , tri bahçe të mëdha, me dy Vija Uji, me katër lumenj, me vreshta e me Çabratin e mrekullueshëm, është diç e madhe, e lëre ta jetosh. Çdo bimë , lule a pemë vezullon bukuri. Natën e Shën Gjergjit, kësaj feste pagane, tuba-tuba qytetarët në brigjet e lumenjve. Sidomos në brigjet e Llukacit, për hithrat, për milcët. I gëzohemi shumë   ngrohjes së motit, stinës së re. (Pas ndërtimit të fabrikave në veri, Llukacit iu helmua uji dhe dergjet)…

Dalëngadalë ikin pranvera bashkë me mësimet. Fundi i vitit shkollor. Vjen vera. Ka lezete të tjera për të gjitha moshat. Gurgullojnë Krena e dashur  me Vijën e Mullirit në mes, Ereniku azgan e Drini mistik përskaj qytetit. S’ke ku të vesh këmbën nga njerëzit që janë futur nën hijen e gëmushave për të gjetur pak freski: me tenxhere, me tepsi e kusi. Më së shumti kundërmon gjiza. Tërë kohën fëmijët pllas- pllus në ujë. ..

Ata, që Vija e Mullirit iu kalon nëpër oborr, kanë si të thuash parajsën. Këtë fat kanë dajallarët. Gusht- shtator ne bëjmë shtatë palë qejfe. Fillon në vreshta (Çabrat) vjelja e rrushit…