Tuesday, June 4, 2024
FejtoneKulturë

Impresione me rastin e 40 vjetorit të Universitetit të Prishtinës

UNIVERSITETI-I-PRISHTINES

 

 NJË PËRALLË MODERNE PËR  STUDENTËT E UNIVERSITETIT

 

Shkruan:

NORIKË   SEFA            

Fakulteti i Arteve

 

 Sinqerisht e në mënyrë instiktive  pata disa reagime inatqore përderisa babi im, profesor në UP  perbledhte me mburrje një periudhë të rëndësishme jo vetëm vetjake por edhe për tërë popullin tonë të nëpërkëmbur. Këto reagime me cytën që të nis një shkrim të këtillë. E koncentruar dhe me reflekse të bretkosës grabitqare që zënë insektet, I kapja çdo fjalë nga përvojat e hidhura që babi nxirrte nga goja..dhe sa vinte e  isha e uritur edhe më tepër.  Them me vete, sa të painformuar që  jemi ne, rinia,  për sakrificat që kanë bërë prindëri tanë për të mbërritur në ditët e sotme.  

 

Kur po vë në funksion gjithë receptorët e trurit , po qeshëm me ironi për  dilemat tona studentore në çastet  kur na zgjon alarmi i mobilit : “a me shkue a jo sot n’fakultet?” …  dhe përvojat  që babi tregonte,  më silleshin  nëpër kokë si mjegull tymi . Ai sot kujton:

“Me një rast, viti 1998, në pjesën e rrugës prej Graçanicës për në Prishtinë, autobusi në relacionin Prizren-Beograd  u defektua. Një ditë përpara ishte raportuar se forcat e UÇK-së dhe ato militare serbe ishin konfrontuar në shumë pika të Kosovës dhe supozoja se nëse vonohem për ligjërata, studentët do të mendojnë se (me arsye) nuk kam marrë rrugën për Prishtinë fare dhe do të shpërndahen. Ndala një taksi, i cili për deri në Prishtinë më kërkojë 10 DM dhe vazhduam rrugën. Kërkova nga  taksisti  që të nxitonte  ngase “studentët më presin”, “por edhe mund të shpërndahen!” . Sapo e kuptojë angazhimin tim dhe qëllimin e udhëtimit taksisti,  e shkeli papuçen e shpejtësisë  dhe më zbarkoi me kohë,  duke mos pranuar të paguaj  çmimin  sipas marrëveshjes, por vetëm deklaroi :” edhe unë po dua  me dhënë “argatin” tim në këtë proces!”

Babi im, Prof. Ruzhdi Sefa,PhD në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierike

vazhdonte “përrallen” i ngërthyer në kujtime dhe dukej sikur I shihte aq qartë ato pamje dhe bënte me gjeste:

 

Rasti i kontrollit në postobllokun e tmerrshëm në Komoran:

Pasi na nxorën të gjithëve nga autobusi , na urdhëruan që sikurse nëpër filmat me motive gangsterësh të  hapim këmbët, të ngrisim duart dhe  të kthehemi me fytyrë  kah autobusi. Pasi ishim shumë udhëtarë   dhe nuk mjaftonte vendi, udhëtarët tjerë formuan “shtresimin ” e dytë duke u mbështetur mbi supet  e të rreshtuarve të parë. Dhe pastaj policët serbë filluan me pyetje e provokime, me ofendime e shantazhime. Të rreshtuar atë ditë ishin edhe  prof. Besim Bokshi, prof. Qamil Gexha, prof. Jakup Nushi, prof. Bardhyl Çaushi, prof. Neki Dervishi dhe unë. Të gjithë ishim të kërcënuar sikurse ishin edhe 45 udhëtarët tjerë të autobusit të ndaluar ! Kështu ka ndodhur më se një here, jo vetëm  me udhëtarët e autobusit “tonë” por edhe me sa të tjerë, …. me një popull të  tërë.  Mirëpo mësimi, ligjëratat, ushtrimet,…  nëpër hapësirat jashtëshkollore nuk ndërpriteshin…. Të gjithë na admironin për sakrificën, të gjithë na mburrnin për të vazhduar, na ndihmonin dhe na gjendeshin pranë e pranë në ditët e vështira dhe situatat e pamundura.”

Në 40 vjetorin e Universitetit unë e pashë të arsyeshme të bëjë një përmbledhje për themelimin, ngritjen e rimëkëmbjet e Universitetit në vija të  përgjithshme.

Si një studente e vitit të parë, nismëtare në shijimin e krenarisë që ofron ky institucion, isha shumë kureshtare të dija historikun për të. Lexoj në Monografin e Universitetit : Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 Shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Rektor i parë i tij u zgjodh Prof. dr. Dervish Rozhaja.

Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Universiteti i Prishtinës tani ka 17 fakultete (njësi akademike).

Mësimi në fakultete dhe në shkolla të larta (me disa përjashtime) fillimisht zhvillohej në gjuhën serbokroate. Kuadri mësimor në gjuhën shqipe ishte I pakët. Mësimi në gjuhën shqipe në disa degë ose në disa lëndë mësimore mbahej qysh në fillim të veprimtarisë së tyre (më 1960 vetëm në Degën e Albanistikës. Dy vjet më pas mbaheshin shqip edhe lëndët: Pedagogjia e Sociologjia, si lëndët përgjithshme në shumë grupe studimore). Mësimi shqip do të intensifikohet, sidomos nga viti 1966.  U intensifikuan, gjithashtu, edhe përpjekjet për formimin e kuadrit arsimor për mësim në këtë gjuhë.

Nga Fakulteti Filozofik, më 1971, mëvetësohet Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, kur mëvetësohet edhe Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik, të cilët fillimisht ishin së bashku. Në vitin 1973 u themelua edhe Fakulteti i Bujqësisë në Prishtinë, pastaj Fakulteti XehetarMetalurgjik në Mitrovicë (1974), Fakulteti I Arteve në Prishtinë (1975), Shkolla e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan (1975),Shkolla e Lartë Teknike (Qendra për Arsimin e Lartë) në Ferizaj (1976), Fakulteti i Kulturës Fizike në Prishtinë (1979).

 

Periudha 1981-1991 e historikut të Universitetit të Prishtinës shënon numrin më të madh të studentëve dhe të kuadrit mësimor shqiptar, por shquhet edhe nga intensifikimi i represionit politik dhe policor serb ndaj profesorëve dhe studentëve shqiptarë, si dhe ndaj studimeve shqipe në këtë Universitet përgjithësisht.

 

Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës  1991-1999

 

Në vitin akademik 1991/92, filloi periudha e rimëkëmbjes dhe e mbijetesës së Universitetit të Prishtinës (studimeve në gjuhën shqipe) në kushte të jashtëzakonshme. Më 26 nëntor 1991 u mbajt mbledhja e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës, ku u vendos vazhdimi i mësimit në gjuhën shqipe jashtë lokaleve legale (të uzurpuara nga administrata dhe policia serbe). U zgjodh rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Prof. dr. Ejup Statovci. Në këtë kuadër u bë edhe konstituimi i organeve drejtuese të fakulteteve dhe të shkollave të larta të këtij Universiteti. Më 5 dhjetor 1991, Kolegjiumi i Dekanëve mbajti mbledhjen e parë ku u vendos për hapat që duhet marrë për organizimin e punës mësimore-shkencore në kushte të jashtëzakonshme, në lokale private. U vendos, gjithashtu që kjo veprimtari të jetë publike dhe e bazuar në dispozitat ligjore ekzistuese dhe në vendimet institucionale të Kosovës. Ndërkaq, në mbledhjen e Kuvendit të Universitetit, më 10 dhjetor 1991, rektori prof.dr. Ejup Statovci, paraqiti programin e punës dhe parashtroi vizionin e tij për organizimin e punës në këtë institucion. Kontribut të jashtëzakonshëm në nismën e aktivitetit për riorganizimin e punës në Universitet dha edhe prof. dr. Eshref Ademaj, me insistimin e të cilit u shpall Konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 1991/1992. Realizimin e Konkursit dhe pranimin e studentëve të rinj e mundësuan institucionet e arsimit të lartë. Kjo bëri të mundur të vazhdojë puna legale në pranimin e studentëve e më vonë edhe në organizimin institucional në objekte private.

    

 “Çdo shqiptar ishkolluar  është një armik më shumë për Jugosllavinë”

Historia e babit në  Universitet

 

Këtij fragmenti nga “përralla” por  jo e zakonshme, ndryshe nga ato të cilat jemi mësuar ti dëgjojmë, babi i dha një intonacion ndryshe dhe pati efekt të veçanet në mua…

“Edhe sot e ruaj shkresën  me të cilën prof.dr. Eshref Ademaj  në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve dhe Pedagogëve të Universitetit të Prishtinës (SHPAPUP) përmes prof. Salem Lepaja me drejtohej me lutjen që ” në ditët  e stuhishme  për Universitetin e Prishtinës dhe arsimin e lartë- universitar, me të cilat po përballemi, Ju ftojmë që t’i përgjigjeni thirrjes së kohës që t’i ktheheni  punës në UP”. Këtë  ftesë-vendim e kuptoja jo vetëm si rehabilitim për të gjitha ato vuajtje dhe dënime  që i pata   përjetuar si pedagog universiteti, por edhe si thirrje për t’iu bashkuar, duke I  ngjeshur radhët e personelit akademik, gjithë atyre që u kishte rënë  hise që në kushtet e krijuara, kur po tentohej të rrënohej gjithë ajo punë, gjithë ato investime në ngritjen e Universitetit….ta mbajmë gjallë procesin akademik në Kosovë dhe Universitetin para stuhive të reja që po ngriheshin. Nuk ishte ky kthimi i vetëm. Përkundrazi ! Njëlloj vepruan edhe intelektualët e lartë si: prof. Fehmi Agani, prof. Gazmend Zajmi, prof.Ymer Jaka, prof..Fehmi Rexhepi, prof..Mark Krasniqi, prof.Pajazit Nushi, prof.Sehadete Mekuli, prof.Skender Boshnjaku, prof.Shefqet Canhasi, prof.Rashid Alidemaj,  prof.Hamdi Gashi, të cilët për shkak të qëndrimeve të tyre që ishin të papranueshme për regjimin e kohës dhe të diferencuar pas ngjarjeve të vitit 1981,  ishin të larguar nga procesi mësimor (shih: Akademik Minir Dushi :”Universiteti I Prishtinës (1981-1983)”).

Lexon nga autobiografia e tij  ” Në kohën kur Universiteti i Prishtinës cilësohej “Kështjellë e nacionalizmit shqiptar” (Gjenarali serb Petar Graqanin,1981), principialiteti profesional dhe këmbëngulja për të mos lejuar cënimin e autoritetit të Fakultetit e Universitetit tonë,  që rezultoi me një incident me një koleg serb, poashtu ligjerues në Fakultet, u bë shkas që të diferencohem ideopolitikisht. Angazhimi im legal nuk mbeti pa u rënë në sy survejuesve kujdestarë të sistemit dhe së shpejti privohem nga liria. Në procesin e montuar politik, dënohem për  vepër penale të rrezikimit kundërrevolucionar të RSFJ (neni famëkeq 114 i LPJ)”.

 

Kthimi  në procesin mësimor

Para se të vendosi që sërish t’i përkushtohem punës pedagogjike në Universitetin e Prishtinës, nga ku isha larguar me epitetin “ njëri nga nacionalistët më të skajshëm”  (Shif librin e prof.dr. Vujadin Milanoviq: ”Universiteti i Prishtinës në rrjetin e strategjisë shqiptaromadhe.” Fq.173), së pari insistova të takohem  me gjithë përsonelin akademik të Katedrës, ku isha para së të burgosesha, dhe ua thashë atë që nuk e pata rastin gjatë diferencimeve të vrazhda të vitit 1981 se “I kam të ditura të gjitha të bërat dhe të pabërat E JUAJA dhe se nuk po kthehem në procesin akademik për t’u hakmarrur, jo, por mos kërkoni nga unë që t’i harroj ato që keni (keq)bërë  kundër meje dhe bashkëmendimtarëve të mi”. Dhe  e përfunduam me kaq! Vendosa t’i kthehem procesit arsimor në Universitet! Unë u mirëprita nga kolegët e Katedrës dhe fillova nga puna. Përplotë entuziazëm dhe vullnet.

 

Unë  e kisha parasysh atë që Akademiku I njohur serb Millosh Crnjanjski, I indinjuar për hapjen e fakulteteve në Prishtinë, pati deklaruar “Mirë, të gjitha I kuptoj, por nuk mund të kuptoj përse hapen fakultetet në Prishtinë?” “Çdo shqiptar I shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”! Siç dihet, në atë kohë, kur  kishte deklaruar kështu, mësimi është zhvilluar në gjuhën serbo-kroate ! I tëri iu përkushtova procesit arsimor në Universitet! Kështu  vazhdova me ditë e me javë, me muaj e vite…për tetë vite. Dhe jo vetëm unë por një armatë e tërë e pendës! Deri me 21.03.1999 (ditë e diele), kur organizova dhe mbajta provimin e fundit para intervenimit të NATO-së kundër caqeve militare të Serbisë. Jo për atë pagën prej 80 DM (sa paguhesha në fillim të kthimit në angazhimin në fakultet që ishte aq  sa  fitonte një agjenci turistike nga shitja e një bilete avioni, me të cilën të rinjtë e Kosovës largoheshin për në botën perëndimore), por pikërisht për ta penguar këtë largim. Këtu është I pashmangshëm falënderimi  për transportuesit privat të Gjakovës e para së gjithash atë “ShpatTurs”,  të cilat jo vetëm mua  por edhe prof. Qamil Gexhën, prof. Besim Bokshin, prof. Bardhyl Qaushin, prof. Minir Efendiu, prof. Jakup Nushi, prof. Qamil Haxhibeqiri, prof. Sutki Dafota, prof. Besnik Hoxha, prof Eda Vula  e sa e sa të tjerë na bartnin në relacionin Gjakovë-Prishtinë e anasjelltas pa asnjë pagesë, për vite.  Dhe jo vetëm na bartnin, por kur policia  e postblloqeve  na nxirrte nga autobusi “për një kontrollë rutinore”, nuk bënin lëvizjen më të vogël nga vendi  pa mos iu bashkangjitur edhe ne që ishim marrë kinse për kontroll sigurie nga ana e milicisë serbe !

Në vitin 1998, kur rruga magjistrale Pejë-Prishtinë ( pikërisht Gryka e Lapushnikut) e më pas rruga Prizren-Prishtinë (pikërisht Qafa e Duhlës), ishin në zjarrin e luftës, ishim të detyruar të udhëtonim nëpër rrugët Prizren- Mushnikovo-Prevallë… dhe atë me autobusë  që, pos udhëtarëve nevojtarë për Spitalet e Beogradit, bartnin pasurinë e rrëmbyer e të vjedhur nga familjet shqiptare (“ gjahun e luftës”) nga ushtarët, policia e paramilitarët serbë.

 

Si ia bëja? – rrëfen babi:

Sa herë që vinte dita për të udhëtuar, unë përgatisja një dokument “zyrtar” udhëtimi (“putni nalog”–“urdhër udhëtimi”), të cilin ua prezantoja              “ ruajtësve të rendit dhe qetësisë publike” që nuk lëshonin njeri sapo ndonjë  nga udhëtarët ishte I dyshimtë në sytë e tyre.

Megjithatë, ka patur raste kur dyshimi nuk neutralizohej me këtë dokument dhe policët kërkonin …madje edhe komplet portfolin (rasti në postbllokun në Kijevë, kur po udhëtonim së bashku me Afrim Domin (veprimtar në çështjen kombëtare, I dënuar politik) ose edhe na nxirrnin të gjithëve nga autobusi.. si ndodhi  pikërisht në postobllokun famëkeq në udhëkryqin në  Komoran, mu aty ku u rrah, u keqtrajtua dhe u përgjak profesori I UP-së, veprimtari I çështjes kombëtare , politikani I pagjetur – Ukshin Hoti (Profesorit Mr. Ukshin Hoti, iu dha titulli anëtar nderi i Universitetit të Prishtinës :Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm intelektual dhe njerëzor në mbrojtjen e vazhdueshme të Universitetit në kohën e sfidave më të mëdha të çështjes sonë kombëtare.) apo rasti kur paramilitarët e Sheshelit e ndalën atobusin dhe  na keqtrajtuan në postbllokun në Mushnikovo !”

 

Si për tu arsyetuar që në ato pak minuta heshtje  që kishim gjatë bashkëbisedimit kur Ai po  derdhte  një përvojë jo t’këndshme, Babi e përmbylli “përrallen e çuditshme” .

“Përse I komunikoj mendimet dhe përjetimet e mija ? Motivet dhe shkaqet që më nxisin në  këtë janë të shumta e të llojllojshme. Kam lexuar se, edhe te po I njëjti shkrimtar gjatë jetës së tij dhe në pajtim me botëkuptimet në periudhat e ndryshme të jetës ato jo rrallë ndryshojnë. Mua më pëlqen ajo që thuhet për shkrimtarët francezë, të cilët për të shkruar I kanë nxitur motivet e larta. Anatol Frans ka dëshiruar që fjalën e shkruar ta vejë në shërbim të idealit dhe aksionit- që të ndikojë te njerëzit. “Kur njeriu në vete ndjenë diç të fuqishme e të madhe , ai duhet edhe ta dëftojë, e me çfarëdo çmimi, madje edhe atëherë kur është I sigurt në atë se nuk do të kuptohet ose keqkuptohet” (Romen Rolan), pavarësisht se  me të rrëfyer shpesh hapen varret e brendshme të sensibilitetit.”

Shumë emra e personalitete, plot vende e zona, data e shënime ma kishin atakuar trurin e po mundohesha që secilin ta stisja në skutat e kujtesës. Më të vërtetë ishte një “përrallë” ndryshe, dhe nuk e kishte atë efektin qetësues për të cilat dhe rrëfehen  përrallat…por   ishte shume interesante dhe mbresëlënëse.

Ne studentët konsiderojmë që për përralla jemi tashme të rritur, por mendoj që secili nga ne duhet ta rikujtojmë këtë “përrallë” çdo natë para gjumit për tu “rritur” edhe më tepër.