Saturday, April 27, 2024
Intervista

Intervista: Taulant Rruci –violinë

 

Taulanti me violinën ndriçuese po ndriçon karrierën e vet

Violinisti Taulant Rruci ka mbajtur një koncert recital më 31 maj në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.  Rruci është në klasën e profesoreshës Sihana Badivuku, Asistent: Visar Kuçi dhe Asistente: Mrika Hoxha gjersa korepetitor Adem Hasani. Në këtë program janë të përfshirë vepra të kompozitorëve të njohur si: Bach, Paganini, Mozart, Sarasate dhe Kreisler. Ky ishte shkas për një intervistë në revistën Gjakovapress.

 Taulant, si  lindi dëshira për violinën, kishit talent që në fillore apo kishin shtytje për tu marrë me këtë instrument?

Qysh në vegjëli, talentin tim ma zbuluan prindërit. Ndër gjërat e para që vërejtën tek unë ishte se kur rastësisht dëgjoja diku muzikë klasike (opera, koncerte, sonata, arie etj, që sigurisht që në atë moshë vetëm “muzikë” i thosha pa e ditur se çfarë lloj muzike është), mua më zgjonte një kureshtje, pëlqim e emocion të veçantë për aq kohë veshi im pranonte atë lloj muzike, sa që instinktivisht u mundoja që ta këndoja me zë atë muzikë. Duke e vërejtur ketë prindërit, në fillim më blen disa CD me muzikë klasike, dhe më kujtohet pak a shumë kur mbyllesha në dhomë dhe i dëgjoja me orë të tëra ato CD që mi kishin blerë prindërit, sa që shpesh më ndodhte kur më emociononte ndonjë pjesë, më dilnin edhe lotët nga kënaqësia shpirtërore që ndjeja gjatë atyre momenteve. Duke e vërejtur vazhdimisht prindërit këto gjëra që po ndodhnin me të birin e tyre, vendosen që të më dërgojnë në shkollë të muzikës, që ta kuptonin edhe ata që a kam talent për muzikë apo thjeshtë dashamirë i muzikës klasike, pasi që edhe kisha edhe një piano elektrike (sint) menduan që nëse do kem sukses d.m.th të më regjistrojnë në piano. Më dërguan në shkollë kur aso kohe drejtor i shkollës së ulët të muzikës ishte prof. Sabah Bytyqi. Ai qysh ne fillim babit i tha që më vjen keq, por djali është i madh me vjet, kështu që nuk mundet me u regjistru në shkollë, veq nëse është ndonjë talent i madh shume atëherë ndoshta mund të bëjmë diçka. Dakordohen për këtë dhe me bën testin që i bëhet një nxënësi fillestar, (testi ishte  kështu: disa nota që ai luante në piano, unë do të duhej ti këndoja ato dhe ushtrimi tjetër ishte ai ritmik që bënte një ritëm me shuplaka ose diçka të tillë dhe a mundem që ta imitoj atë se çfarë ritmi po bën). Testi u bë, dukej që e kisha lënë pa fjalë sa që më kujtohet kur i tha babit qe ky djalë paska talent të madh dhe vesh shumë të mirë për muzikë, dhe për këso lloj talentesh kemi shumë nevojë në shkollën tonë, sepse janë të rrallë. Babit i vjen mirë për këto fjalë që drejtori ia tha, dhe i kërkoj që të më regjistroj në piano pasi që veç e kisha pianon elektrike në shtëpi. Drejtori, tha Jo! Nuk lejoj që ky djalë të shkoj në piano por, dua që ky talent të shkoj në violinë! Babi me habi i thotë por djali nuk ka parë kurrë violinë me sy, pianon e ka në shtëpi, atë menduam ne si prindër nëse pranohet në shkollë! Me të qeshur në fytyrë drejtori Sabah i thotë babit që nuk ka problem që nuk e ka parë kurrë, ja tash do ja tregoj dhe menjëherë shkon në arkiven e shkollës dhe merr një violinë të përmasave të krahut tim dhe më thotë ja kjo është violina, për më shumë, eja të fillosh shkollën prej 1 shtatorit dhe mësuesja e violinës do ti mësoj të gjitha…!  . . .  Dhe kështu u bë, fillova shkollën e ulët të muzikës në moshën 10 vjeçare në klasën e mësueses Elvane Qorri, që ishte mësuese e violinës. . . Kjo është pra me pak fjalë edhe pikënisja ime në profesionin tim. . .

Kush ishte idoli yt për violinën në hapat tuaj të parë?

Idol nuk kisha dikë sepse në fillimet e para nuk i njihja mirë kompozitorët apo instrumentistët dhe nuk i dija stilet e tyre se çfarë lloji të muzikës kanë bërë ata, që ti specifikoja se cila muzikë e cili kompozitorë më pëlqen më shumë, por diçka mund të them që çdo muzikë klasike pa marrë parasysh se çfarë kompozitori ose instrumenti ishte ose solo këngëtari ka qenë apo dhe cilës epoke i ka takuar ai apo ajo, mua më pëlqenin të gjitha!
Hapat e parë të violinës mi japi mësuesja e violinës prof. Elvane Qorri, me të cilën fillova dhe mbarova me sukses të lartë shkollën e ulët të muzikës, dega e violinës që ishte 6 vite por unë i kam bërë vetëm 5 vite (sepse vitin e fundit kisha avancuar shumë me planëprogram dhe drejtori i viteve të fundit te shkollës fillore në atë kohë ishte prof. Astrit Pallaska, i cili në konsultim me mësuesen Elvane, kishin rënë dakord që unë ti zhvilloja dy vite për një vit, ngaqë me planëprogram isha shume përpara).

A vërtet violina ka tingull magjeps a?

Mendoj që po, përderisa konsiderohet si mbretëresha e të gjitha instrumenteve, mendoj që tingulli i saj është shumë unik  dhe magjeps. Këtë gjë ndër vite e kanë thënë edhe kompozitorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave kur thonin që “Violina është instrument që din të të bëj të qesh, por din të bëj edhe të qash”

A ishte i vështirë fillimi i mësimit të lojës në violinë?

Të them të drejtën, në përgjithësi instrumentet me tela, janë shumë problem me hy në qejf qysh në fillim. E them këtë sepse krijimi ose prodhimi i tingullit është shumë i vështirë, pasi që dihet qe instrumentet harkore nuk kanë fusha apo taste (siç kanë instrumentet frymore apo ato me tastierë), që të del tingulli fiks i intonuar, por duhet që me anë të dëgjimit (me vesh)  dhe ushtrim tepër të madh të arrihet pastërtia e tingullit, e kur të arrihet kjo, atëherë fillon nga pak nga pak me hy në qejf si instrument.
Tek unë njëjtë ka qenë, por me kalimin e kohës, duke ju falënderuar mësueses Elvane e cila njiherit mi ka jap hapat e parë të violinës, puna e palodhshme e saj ka ndikuar që tek unë ngadalë ngadalë me hy në qejf instrumenti i violinës.

Cila është rruga  e shkollimit tënd?

Shkollën e ulët e kam të përfunduar me sukses të lartë, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” Gjakovë, pastaj në mungesë të shkollës së mesme në Gjakovë, drejtori i aso kohe Astrit Pallaska më kishte propozuar që të vazhdoja shkollimin e mesëm të muzikës në qytetin e Prizrenit, pasi që në atë kohe as qyteti i Pejës nuk kishte shkollë të muzikës….Vendosa me shku në qytetin e Prizrenit me vazhdu shkollën e mesme të muzikës… Ka qenë testi pranues për kush do të regjistroj shkollimin si “instrumental” (d.m.th të studioj instrumentin) dhe shkollimi “teorik” (studim i përgjithshëm i muzikës). Unë sigurisht që konkurova për Instrumental Violine dhe paraprakisht disa muaj më herët pata mbajt masterklasë me njërin prej profesorëve më të mirë të shkollës së mesme të muzikës “Lorenc Antoni” Prizren, me prof. Blerim Bytyqi. Ai  me punën e tij të palodhshme dhe me përkushtim të madh më përgatiti programin që do të luaja në provimin pranues .
… Erdhi koha e provimit pranues… U pranova dhe u vlerësova më pikë maksimale nga juria që ishin profesorët e instrumenteve harkore.
Pastaj shkolla na lejon që gjithësecilit instrumentist të përzgjedhim profesorin me të cilin dëshirojmë të studiojmë në vitet në vazhdim.
Përzgjedhja ime  ishte prof. Blerim Bytyqi, që të jem nxënësi i tij për 4 vite, aq sa edhe ishte shkolla e mesme, për arsye që veç kishim filluar me e njoft njëri tjetrin dhe profesori kishte kuptuar që ku janë përparësitë e mia si violinist dhe mangësitë e dobësitë e mija që do duheshin të përmirësoheshin për të mirë … 4 vite shkollimin e mesëm vijova me këtë profesor, vitin e fundit atë të katërt, paralelisht me prof Blerimin, fillova të mbaj mësim edhe me Prof. Ass e fakultetit të muzikës, drejtimit të violinës Visar Kuçi. Me prof. Visarin për gjatë gjithë vitit të katërt morëm të përgatisnim programin që na nevojitej dhe i plotësonte kriteret që të arrihet të luhet në provimin pranues, kriter ky që mund të aplikoja në cilindo universitet kudo nëpër botë…. Me kalimin e kohës programi u forcua  dhe u bëra gati për provimin pranues që ishte në Prishtinë… Edhe pse konkurrenca ishte shumë e lartë, puna e palodhshme me shumë mund dhe sakrificë u shpërblye kur u pranova dhe i pari në listë të fakultetit të arteve, dega e muzikës, drejtimi – Instrumental Violine tek klasa e prof. ord Sihana Badivuku.
…4 vite në fakultetin e arteve, me suksese të larta ku njiherit isha edhe bursist i të gjitha viteve ku dhe në fund u shpërbleva bashkë me disa kolegë tjerë nga kryetari i studenteve të fakultetit si “Student i dalluar i Gjeneratës ” .
Gjatë gjithë këtyre viteve që kalova në Gjakovë, Prizren e Prishtinë, u shpërbleva shumë herë me çmime të shumta në festivale e gara të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit, mirënjohje, bursa të shumta, koncerte të shumëfishta, recitale e koncerte solistike e shumë e shumë shpërblime tjera që kohë pas kohe me të gjitha këto u përcollën edhe me masterklase të ndryshme me profesorë të rangut botëror brenda dhe jashtë vendit, etj …

Së fundmi keni shpall një koncert recital. Sa jeni të kënaqur me këtë arritje dhe si të priti publiku?

Me datë 31 maj në Gjakovë dhe 2 qershor në Prishtinë, mbajta dy koncerte recitale për të vazhduar në fund të këtij muaji edhe me disa projekte tjera që shpresoj shumë që do të kem sukses. Fillova jo rastësisht me qytetin tim, qytetin e Gjakovës, sepse kisha shumë arsye që më shtyn që ta filloj me vendlindjen dhe të luaj para artdashësve të muzikës klasike, duke ditur edhe që ishte recitali im i parë me të cilin mendoj  që kulmi i arritjeve të një instrumentisti është kurorëzimi me Koncert Recital…  dhe duke e ditur këtë, doja qe këtë kënaqësi të ia dhuroj së pari vendit tim!
Publiku i priti shumë mirë koncertet, këtë e dëshmon edhe fakti kohë pas kohe më përcillnin me duartrokitje të mëdha  që për mua ishin shume emocionuese dhe shumë motivuese që të jepja më të mirën nga vetja.

Me këtë koncert ju diplomoni. Çka më tutje?

E vërtetë që disa ditë pas koncertit në Gjakovë e mbrojta edhe temën e diplomës në klasën e prof. ord Sihana Badivuku, me të cilën mendoj që i kam bërë krenare familjen time, që çdo hap që bëja para, ata i kisha shtylla të suksesit tim; të gjithë profesorët e mi që më kanë rritur bashkë me profesionin e violinistit; qytetin tim Gjakovën, me të cilin u linda dhe u rrita me kulturën dhe traditën që e kemi si qytet për muzikën e mirëfilltë; qytetin e Prizrenit, ku kalova një pjesë të bukur dhe shumë të rëndësishme të jetës dhe tërë Kosovën, me të cilën kudo që shkoj dhe shkoja nëpër botë u mundoja dhe mundona që ti përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme ku  dhe mendoj që dhe këtë e kam arrit, pasi që në të shumten e vendeve që kam shkua, kam fituar mirënjohje e shpërblime nga ato vende. Të gjitha këto suksese me krenari, zemër e shpirt, ju dhuroj  të gjithë këtyre që i përmenda më lartë! 

Cilët kompozitor i luani më me qejf?

Kompozitorin W.A.Mozart , sa që edhe kolegët e violinës në fakultet më thonin “Mozarti i klasës” hahah… Sigurisht që kam shumë kompozitorë të preferuar e që i luaj me shumë qejf dhe që më pëlqejnë shumë me krijimtarinë e tyre që kanë bërë në periudhat kohore kur kanë jetuar, por më me qejf e luaj kompozitorin W.A.Mozart .

Kujt ia dedikoni sukseset tua në interpretimin e muzikës klasike?

Siç e përmenda me lartë, sukseset e mija ia dedikoj Prindërve, Profesorëve , qytetit tim te Gjakovës, Prizrenit dhe tërë Kosovës ! 

Jeni i veçantë edhe për violinën me ndriçim! E kujt është kjo ide?

Po,  është e vërtet që violinën elektrike që e kam karakteristike e interesante ku e veçanta e kësaj janë ledat(dritat) që i kam të vendosura në të. Kjo në njëfarë mënyre është gërshetim i profesionit tim me atë të prindërve pasi që të dy i kam të lëmis së inxhinierisë elektrike, nënën – inxhiniere e elektroteknikes, babin – novator të mekanikes dhe elektrikes dhe këto të dyja u bashkuan dhe arritëm me bo diçka risi, dhe po e shoh që publikut shumë po i pëlqen kjo ide inovative që kam bërë.

Derisa po studion po punon  edhe në projektet tjera. Jeni anëtarë i grupit Latino Band. Si po të ec puna me këtë grup?

Tash e 4 vite jam pjesë e grupit Latino Band, grup ky që dikur isha fans i madh i tyre e me një fjalë ishin idolat e mi që çdo herë që vijshin në Gjakovë ose në Prizren, gjithmonë i pranishëm isha dhe ëndërroja t`ju flisja të pakten, por  që erdhi koha me qenë unë pjesë e këtij grupi, ende më duket e pabesueshme dhe si një ëndërr e që kjo ëndërr më është bërë realitet.
Puna me këtë grup shkon për mrekulli, duke ditur që jemi grup shumë unik në vendin tonë dhe që nuk kemi sezone siç kanë zakonisht grupet apo bendet tjera, çdo muaj të vitit kemi shumë koncerte e performanca të shumta në evente të ndryshme .

A keni incizuar ndonjë projekt me Latino band që mund ti përmendni?

Së fundmi kemi mbajt koncert në DAM festival në Prishtinë me solistin tonë, kitaristin Agron Peni, gjithashtu kemi bërë hapjen e festivalit të kitarës në Tiranë, e qe çdo herë e më shumë që po shtohen këto projekte ku së shpejti do kemi edhe shumë projekte tjera brenda dhe jashtë vendit…

Hiti i fillimvitit 2016  ishte një version unik i këngës “Shake It” nga Etnon feat Genta Ismajli  shoqëruar nga Taulant Rruci i Latino Band  që me violinë keni ndërhyrë në këtë projekt duke e ripërpunuar atë në mënyrë fenomenale. Çka mundë të shtoni për këtë projekt?

Ka qenë një risi për industrinë e muzikës kjo gjë. Bashkëpunimi me grupin Etnon dhe Genta Ismajlin për këngën Shake It, ka qenë diçka që publiku e priti shumë mirë. Një version më ndryshe se sa ai që ishte, d.m.th një Cover Instrumental me Violinë. Një instrumental që u shëndrua në hit veror vitin që shkoj atë 2016 e që thej disa rekorde të shikueshmërisë (views) në trevat shqiptare, etj etj . . .

Ju kemi dëgjuar edhe në manifestimin Sportisti vitit me një interpretim të shkëlqyer në violinë. A do të thotë se keni një opus të gjerë të interpretimeve jo vetëm të muzikës klasike?

Tek Sportisti i vitit ka qenë ftesa e drejtorit të kulturës rinisë dhe sportit Meriton Ferizi me pëlqimin e kryetares Mimoza Kusari Lila, që të isha atë natë në event. Një event që performanca ime u pëlqye dhe la përshtypje të mirë tek të pranishmit përfshirë dhe juve që ishit të pranishëm atë natë dhe që pas performances shumë të pranueshme ndër ta dhe emra të njohur të sportit, kulturës etj, erdhën të më komplimentonin për performancen e bërë…
Po, kjo është veç njëra ndër ngjarjet që dëshmon që posedoj një opus të gjerë të interpretimeve jo vetëm të muzikës klasike por edhe si anëtar i Latino Band, bashkëpunues në shumë projekte të këngëtarëve të njohur të estradës sonë të rrymave të ndryshme muzikore si Etnon, Genta Ismajli, Edona Llalloshi, Jericho, Marigona Qerkezi, Selami Kolonja, Shyhrete Behluli, Flaka Krelani, Andos, Dren Abazi etj etj. 

Cilat janë planet e mëtejme?

Planet për të ardhmen e afërt janë në fund të këtij muaji (29 qershor) të konkurroj në garat e muzikës klasike që do të mbahen në Ksamil, si dhe masterklas (masterclass) me profesor të rangut botëror si violinisti i njohur Dimitri Berlinsy (Rusi) e Michael Vaiman (Ukraine), që do të mbahet në Anacarpi të Italisë me 7 deri me 14 Korrik 2017, për tu kthyer pastaj dhe vazhduar edhe me projektet tjera më pas…  (z.v) Gjakovapress Nr.103

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *