Wednesday, June 5, 2024
Sporti

KF Vëllaznimi, më në fund fiton në teren të vet, Mema: Do të luftojmë deri në fund

Pas Trepçës në Mitrovicë,  të dielën, në kuadër të xhiros së 21 të Raifeisen Liges së parë të Futbollit,  është gjunjëzuar edhe Istogu dhe Vëllaznimi nga këto dy ndeshje ka mbledhur gjashtë pikë duke u pozicionuar në vendin e pestë në tabelë me 30 pikë, aq sa ka edhe Drenica.

Në pjesëlojen e parë Vëllaznimi luajti njërën nga lojërat më të mira në këtë kampionat, duke funksionuar në mënyrë perfekte duke krijuar raste të volitshme shënimi, por që arriti vetëm një nga penaltia me realizator Nikson Memaj. Në të dytën, mysafirët nga Istogu zhvilluan një lojë shumë më të mire por nuk patën fat që nga penaltia të barazonin dhe të ia vështirësonin punën skuadrës Vëllaznimi. Ishte mbrojtja bravuroze e portierit Adi Hyla që iu dha krahë futbollistëve për të synuar golin e dytë që e shënoi Altin Vojvoda me asistim të Norik krasniqit. Krejt në fund, Istogu shënoi golin e vetëm për rezultatin përfundimtar 2 me 1.

Kryetrajneri i Vëllaznimit, Ardian Mema, tha se ishte I kënaqur me angazhimin e futbollistëve posaçërisht në pjesën e parë.

“Pjesa e parë ishte totalisht e jona dhe ne duhet ta kishim mbyllur me rezultat më të lartë. Në të dytën lojtarët luajtën hove- hove dhe mysafirët na nxorën telashe”, tha Mema.

Pos tri pikëve të reja, fitorja e sotme ka edhe një rëndësi tjetër se u thye bindja se në teren tonin po mungonin fitoret.

“Mungesa e fitoreve në teren tonin, në shtëpinë tonë, është e habitshme. Ne duhet të fitojmë këtu se është një gjë e mirë edhe për tifozët tanë, sepse varësisht tek rezultatet na vijnë tifozet. Kanë mbetur edhe 6 ndeshje dhe ne duhet të bëjmë shumë punë dhe do ta luftojmë kampionatin deri në fund. Na presin ekipe shumë të forta, por ne do të hyjmë ta fitojmë çdo ndeshje”, tha Mema.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *