KH Shqiponja përballje me skuadrën elite të Spanjës
Një nga skuadrat më të suksesshme të hendbollit për femra në Kosovë, Shqiponja pasi mposhti në dy takimet ekipin e Pelisterit të Maqedonisë, në raundin e ardhshëm do të përballet me spanjolet. Të martën në mesditë në ambientet e Federatës Evropiane te Hendbollit në Vjenë u bë tërheqja e shortit për Challenge Cup ne konkurrencën e femrave, me ç`rast skuadra më e suksesshme e Kosovës ne garat ndërkombëtare për këtë vit në konkurrencën e femrave, KHF Shqiponja nga Gjakova mësoi emrin e rivalit në të 8-në e finales, kjo është skuadra Rocasa Gran Canaria ACE nga Spanja lidere në garat e Ligës elite të Spanjes.
Ndeshja e parë zhvillohet ne Gjakovë më 9/10.01.2016 kurse kthimit më 16/17.01.2016, mirëpo, me siguri ndeshjet nuk do te zhvillohen sipas këtij kalendari, duke pasur parasysh se shteti i Spanjës nuk e njeh Kosovën dhe pasaportën e udhëtimit, prandaj Federata Evropiane e Hendbollit do të ndërmjetëson mes skuadrave lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje te pëlqyeshme për te dy skuadrat për tu zhvilluar këto dy ndeshje ne frymë sportive.
Kundërshtari i KHF Shqiponja sipas rezultateve nga viteve e kaluara është mjaft i fortë, mirëpo vashat gjakovare të përforcuara me disa hendbolliste cilësore nga Kosova me në krye Belma Beba din të befasojnë edhe pse, spanjollet llogariten favorite absolute.
Kryetari klubit Skender Alija tha se shorti nuk ka qenë më fat për Shqiponjën porse nuk do të dorëzohen lehtë.
‘Skuadra kundërshtare është më e mira në Ligën spanjole me të gjitha fitore, por ne do të përforcohemi edhe më shumë. Kemi plan të marrim edhe dy hendbolliste cilësore dhe presim mbështetjen edhe të komunës, të kryetares Mimoza Kusari Lila por edhe të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve për mbështetje financiare’, tha Alija për Gjakovapress duke theksuar vështirësitë që kanë dalë me mosnjohjen e Kosovës nga ana e Spanjës.
‘Nuk dijmë se ku do të zhvillohen ndeshjet, sigurisht me ndonjë teren neutral, por ne do të kishim pasur dëshirë që një spektakël I tillë të zhvillohej në Gjakovë për ta shndërruar në spektakël sportiv’ tha Alija.