Friday, April 5, 2024
Gjakova Presss

Komuna: Nuk punon Ngrohtorja, ju sigurojmë shkollave lëndë djegëse!

ngrohjaTashmë është bërë i njohur fakti se Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë sivjet nuk do të jetë në funksion të qytetarëve, përkatësisht konsumatorëve të vet. E përderisa konsumatorët individual tashmë kanë gjetur alternative tjera, shqetësimi është prezent tek institucionet publike, me theks të veçantë tek institucionet arsimore. Këto institucione kanë qenë me fat deri më tash për faktin së temperaturat kanë qenë mjaft të larta dhe nuk ka qenë i nevojshëm aktivizimi i sistemit të ngrohjes. Por, situata mund të ndryshojë rrënjësisht në dy ditët e ardhshme pasi meteorologët kanë paralajmëruar rënie të theksuar të temperaturave. Megjithatë, në komunë thonë se nuk ka nevojë për shqetësim në këtë drejtim, për faktin se çështja e sigurimit të ngrohjes në institucionet arsimore pothuajse është zgjidhur. Zyrtarë komunal kanë njoftuar se kësaj radhe është shpallur një tender i përbashkët për sigurimin e lëndës së parë për djegie në regjionin e Dukagjinit, përfshirë Gjakovën, Pejën, Deçanin, Klinën e Istogun, tender i  cili tashmë është në ditët e fundit të realizimit, prandaj edhe nuk ka nevojë për shqetësim, sepse sipas tyre, në momentin e rënies së temperaturave shkollat do ta kenë në depot e tyre lëndën e nevojshme djegëse.