Lamtumira e fundit e veçantë për mjekun e veçantë dr. Elmir Tarani
Të enjten, në Gjakovë i është dhënë lamtumira e fundit dr. Elmir Tarani I cili vdiq në moshën 63 vjeçare. Me këtë rast u mbajt mbledhje komemorative ku mes lotësh u fol për figurën e ndritshme të dr. Elmirit, njeriut që e deshi profesionin e mjekut, muzikën dhe librin. Në sfond, kjo mbledhje në sallën e Pallatit të kulturës u ndoq nga një këngë e fundit që e ai e kishte kompozuar. Vajzat e të ndjerit doktor Elimrit: Eldita, Hareja dhe Dora kanë falënderuar të pranishmit për ngushëllimet dhe kanë shpalosur virtytet e babait, si mjek, humanist duke punuar gjithmonë për të sjellë lumturi për të gjithë , si prind, krijues dhe i pasionuar pas muzikës dhe kitarës. Vajza Dora i këndoi një këngë Japoneze që dr. Elmiri e ka dashur gjithë jetën.
“Ideja qe nuk kom me e pa më është e tmerrshme dhe ma shpalos anën me vulnerabile timen. Megjithatë, po mundohna me mbajt para syve e duke e ndëgju muzikën e tij, forografitë, shoqërine e tij. Shumë kam djimbje edhe për ju qe e doni aq shumë, e nga mesazhet e juaja, po duket që jeni shumë. E ju qe nuk patet rast me e njoftë më shumë, me kënaqësi ju tregoj shume fabula me te”, ka thënë mes tjerash Eldita e cila me dy motrat tjera ka rrëfyer për momentet e veçanta.
Figura e mjekut profesionist që shëroi qindra pacient, figura e një babai shembullor, e një njeriu që la pas vetes shumë miq, sot u përcoll me nderime të larta nga të gjithë qytetarët që patën rastin ta njohin Dr. Elmir Taranin.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini në fjalën e tij ka theksuar që puna dhe mirësia e tij do ti mungoj secilit që e kanë njohur Dr.Elmirin.
E fjalë rasti mbajtën edhe Dr. Kujtim Zarari dhe Dr. Violeta Xërxa Thaqi .
Me mirësinë e tij, prej një mjeku të përkushtuar dhe gojë ëmbël, dr. Elmir Tarani i shërbeu popullatës së Gjakovës me dekada të tëra. Ishte ndër të parët që promovoi mjekësinë familjare në Kosovë. Poashtu, si drejtor ekzekutiv i Asociacionit për Zhvillim dhe Edukim Shëndetësor “Ahed” në Gjakovë, i ndjeri, me shumë aktivitete kontribuoi rreth edukimit shëndetësor dhe në ngritjen e shërbimeve në shëndetësi.
Pas mbledhjes komemorative, qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Dr. Elmirit, varrimi i të cilit u bë sot në varrezat e qytetit në Gjakovë.