Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën
Duke qëndruar para qytetarëve të mbledhur të dielen pasdite në njëren nga pjesët e Çarshisë së vjetër, Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, Arbërie Nagavci i ka garantuar qytetarët e kësaj komune se ajo dhe subjekti që e përfaqëson nuk do të thonë fjalë e premtime të mëdha gjatë këtyre ditëve parazgjedhore, por ato që do t’i premtojnë do t’i realizojnë në qeverisjen e tyre pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Ne nuk do të themi fjalë të mëdha, por ju garantojmë se do ta realizojmë secilën fjalë që e themi”, ka thënë të dielen pasdite kandidatja Nagavci, gjatë hapjes së fushatës elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, duke ironizuar me deklaratat e kryetarit aktual të Gjakovës Pal Lekaj, ka thënë se ajo që e ka bërë deri me tani qeveria lokale është vetëm fasadë dhe atë e vendosur në menyrë tepër jo profesionale.