Monday, December 30, 2024
AktualeKulturëLajme

Mitingu i Poezisë me 11 Maj

Qyteti Lodeve nga Franca binjakëzohet me Gjakovën në kujtim të Ali Podrimes

Në Mitingun e 49-të që mbahet në Gjakovë më 11 maj, është konfirmuar se do të marrë pjesë edhe një delegacion i qytetit  Lodeve të Francës, ku vitin e kaluar ka vdekur poeti Ali Podrimja. Qyteti Ledove, ku në vitin 2012, në një pjesëmarrje manifestive të krijuesve botëror, ku  la frymën e fundit poeti Ali Podrimja, ka shprehur dëshirën të binjakëzohet me qytetin e lindjes së poetit, Gjakovën. Asambleja Komunale e Gjakovës, me propozimin e kryetarit Pal  Lekaj e ka miratuar një kërkesë të arsyeshme dhe me interes të ndërsjelltë. Kështu,  qyteti  Lodeve në Francë, qyteti i vdekjes së poetit me qytetin e lindjes së tij, Gjakovën, do të bëjnë aktin solemn të binjakëzimit pikërisht në ditën e Mitingut të Poezisë, në manifestimin tradicional të 49-të me radhë që këtë vit do të mbahet më 11 maj.

Sipas kontaktit ndërmjetësues që ka vënë Konsulata e Republikës së Kosovës në Francë, konkretisht nga konsuli Kadri Dakaj, është konfirmuar se në Gjakovë do të vie një delegacion nga Lodeve, vetë  kryetarja e Bashkisë, dhe disa krijues të cilët janë bartës të manifestimit ku Ali Podrimja duke qenë pjesëmarrës e gjeti vdekjen  vitin e kaluar.Nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, bëjnë me dije se kjo pjesëmarrje e shton madhështinë e vet mitingut, por edhe respektin për poetin Podrimja, duke e konsideruar ardhjen e francezëve si madhështi e mitingut. Engjëll I. Berisha, organizator i mitingut, tha se “ne edhe ashtu këtë vit ia kushtuam poetit Podrimja, duke ia dedikuar  tribunën dhe vetë orën e poezisë. Por, respekti që po tregojnë qyteti ku Podrimja u takua me vdekjen, një vdekje krejt poetike, është për tu nderuar nga ana jonë, ngase ata e kanë ndier një obligim moral ta thellojnë miqësinë me qytetin që e lindi poetin, por edhe ta krijojnë një vëllazëri që do ta kujtojë përherë këtë figurë emblematike të poezisë, shumë të veçuar në krijimtarinë kombëtare”. Berisha, shton se, mitingu është duke funksionuar në pjesëmarrje ndërkombëtare, pasi që  kishim krijues pjesëmarrës nga Greqia, Franca, Bullgaria, Amerika, Zvcira dhe këtë vit kemi francezët me një pjesmarrje të veçantë.

Gjakova, më 11 maj, qytetin e poezisë e kthen në kremte të kulturës e të manifestimit të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga shumë vende tjera të shteteve mike.Ndër të tjera, klubi letrar është në përgatitje të fundit të organizimit të këtij manifestimi, ku komisioni për vlerësimin e librit më të mirë me poezi  të botuar në mes dy mitingjeve është duke pritur  ardhje  të botimeve të reja. Ndërsa e kanë konfirmuar pjesmarrjen edhe kumtuesit  e tribunës, studiuesit Bashkim Kyçyku dhe Basri Çapriqi.  Klubi po ashtu shpalosi edhe programin detal ku do të mbahet “Java e Mitingut” prej datës shtatë maj deri më 10 maj, ku do të ketë gjashtë promovime të librave, me disa orë letrare, si dhe dita qendrore me 11 maj.

Sipas organizatorëve, me këtë datë, në ora 11, në Komunën e Gjakovës bëhet binjakëzimi i komunave Gjakovë-Lodeve. Më pas, në ora 12 mbahet orë letrare në qytetin Bajram Curri. Në ora 12,30 krijuesit për fëmijë, para shtatores së Nënë Terezes do të kenë orë letrare për fëmijë.Mitingu vazhdon në ora 17 ku në ambientet e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” me tribunën e mitingut me temë “Vepra e Ali Podrimes” në të cilën tribunë me kumtesa do të paraqiten Bashkim Kyçyku, dhe Basri Çapriqi. Ndërkaq, në ora 19 mbahet “Ora Letrare e Mitingut”