Përgatitet premiera “Të mbetet mes nesh”
Teatri i qytetit të Gjakovës ka nisur përgatitjet për realizimin e premierës së tretë për këtë vit. Bëhet fjalë për veprën “Të mbetet mes nesh” të autorit Alan Aycbourn e cila do të inskenohet nga regjisori Kastriot Saqipi. Në rolet kryesore do të luajnë aktorët: Ahmet Bakia, Elida Shasivari, Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi dhe Altina Kusari. Kjo është premiera e tretë për këtë vit.
Në pjesën e parë të zezonës, Teatri i Gjakovës ka realizuar dy premiera, “Budallai” me regji të Zana Hoxhës dhe “Dorëzimi në Spokan” me regjisor, Ilir Bokshi. Drejtori i Teatrit Edi Kastrati ka thënë se deri në fund të vitit në këtë teatër do të realizohet edhe një premierë, për të cilën janë siguruar mjetet. Teatri i Gjakovës sivjet me një vendim të Kuvendit të Komunës ka fituar statusin e Teatrit të qytetit, që ka zgjidhur statusin e këtij institucioni kulturor pas një kohe të gjatë.