Wednesday, April 17, 2024
Kulturë

Poet nga Malësia e Gjakoves-Gjon Neçaj

Ramiz Lushaj

Aty Gjon Neçaj ka kullën e jetës,  orën  e poezisë

Nga  kulla e lartë alpine në Peraj, u nis një pelegrin,

Në dy shekuj Gjon Neçaj udhëton e burimon me poezinë.

Ky burrë i fismë nuk shkoi as në Mekë dhe as në Itakë,

E  krijoi shenjtërinë e vet tue hulmue nga vargu në varg.

 Rrufe të kohës iu hakërruan qysh në rininë e tij të ëndrrave.

Në çdo ditë të jetës mbeti  si në Natën e Pashkëve të Kshnellave.

Haiku i tij i vrelltë më ngjan me ritet e Natës së Buzmit Bujar.

E pagëzoi poet kjo kullë, me çdo gur’, në çdo fije barë.

Në çdo  janar, në festë të  Shamsjanit  të Nikajve, në  këtë kullë.

Kur ish fëmijë ndezi qiri të vogël e qiri të madh kur u ba burrë.

Po penën  poeti e gazetari Gjon Neçaj e ka flakadan të madh të shpirtit.

Gjon-necaj-207x300Nga Shënkolli i Pranverës deri tek  ai i Dimrit, në çdo stinë të vitit.

Kulla e Gjon Neçajt  mediton në Nikaj-Mërturin me legjenda,

Në këtë trevë ku në shekuj rri  fjetë e zgjuar mendja,

Rrotull vitit, me dymbëdhjetë festa të bekueme  edhe me shenjtor:

Jezu Krisht, Shën  Gjergj, Shna Ndou, Shna Prende, Shën Koll…

Nikaj-Mërturi ka emra në histori, shkencë e kulturë,

Ma shumë se ky amfiteatër i natyrës i ka gurë e drurë.

Nderim për këtë truall kryevepër – nga Raja në Curraj Epër.

Ia ndriti emrin e fjalën edhe Gjon Neçajt – mikut tim të vjetër.

 Nikaj-Mërtur, ku lumenjtë  e thërrasin detin e liqeni i rrok bjeshkët,

Aty ku burra e gra i bëjnë dritë kohës e malet s’i bajnë hije vetvetes.

Aty ku  njerëzit janë vet  zot i tokës e qiellit dhe i flasin shqip Perëndisë.

Aty i ka Gjon Neçaj: kullën e jetës, visarët e trashëgimisë, Orën  e Poezisë…