Saturday, April 27, 2024
Lajme

Radio Gjakova pjesë e shumë familjeve gjakovare

13 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Radios, e cila synon të kujtojë fuqinë e këtij mediumi në funksion të informimit dhe lirisë së shprehjes. Radio Gjakova  që nga 9 nëntori i vitit 1979 kur filloi punën e deri me tash  si  mediumi i parë informativ dhe argëtues në qytetin tonë,  ka bërë përpjekje që të jetë pranë dëgjuesit në Gjakovë, Kosovë dhe rajon me informacione të besueshme dhe programe argëtuese. Edhe pas 4 dekadash një numër i madh i dëgjuesve  i kanë mbetur besnik valës 100 megaherc të Radio Gjakovës, e cila falë avancimit të teknologjisë informative, përmes internetit dëgjohet në të gjitha anët e botës. Në shumë familje gjakovare, Radio Gjakova mbetet informuesja dhe argëtuesja më e mirë për të gjitha shtresat e dëgjuesve. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të radios, sot në hapësirat e Radio Gjakovës kanë ardhë për vizitë nxënësit e shkollave fillore Zekirja Rexha e Mustafa Bakija. Me këtë rast ata u njohën me procesin e punës nga mbledhja e informacionit, përgatitja dhe transmetimi.

Ndryshe në Kosovë, aktualisht janë 86 radio të licencuara që operojnë. Sipas Komisionit të Pavarur për Media, gjatë 2019-ës, janë licencuar 5 radio të reja, ndërsa dy janë shuar.

UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë. Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *